Duke lënë pas krahëve 3 muajt e pezullimit të aktivitetit të tyre për shkak të pandemisë së COVID-19, parukeritë dhe berberët rihapën dyert të hënën nën masa strikte higjiene dhe me një fluks të shtuar klientësh.
Me maska kirurgjikale mbi buzë dhe hundë dhe sy të mbuluara nga maska plastike, doreza në duar dhe përparëse të gjata të bardha, si dhe dezinfektantë të shpërndarë në çdo tavolinë, sallonet e bukurisë dhe të estetikës në Tiranë të hënën ngjasonin më shumë me një klinikë mjekësore.
Prej mëngjesit të 11 majit qeveria ka lehtësuar disa nga masat shtrënguese të distancimit social duke lejuar hapjen e disa bizneseve – përfshirë parukeritë dhe berberët.
Gjithsesi kjo hapje ka ardhur kundrejt ndjekjes së një protokolli strikt që përmban masa për organizimin e shërbimit në kushte të reja që sigurojnë mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe dizenfektimin të ambientit dhe të mjeteve të punës.
“Prenotimet kanë filluar qëkur u mbyllëm,” shprehet Mira, pronarja e një parukerie me 5 punonjëse.
“Klientët e mia kanë prenotuar orare prej kohësh, duke pritur me padurim që të rihapeshim,” shtoi ajo, duke nënvizuar se disa nga kërkesat i është dashur t’i refuzojë “pasi nuk kam mundësi t’i mbuloj të gjitha.”
Mira tregon se edhe me numrin e madh të punonjëseve që ka në biznesin e saj, fluksi i klientelës pas mbylljes prej 3 muajsh është i vështirë të përballohet.
“Unë nuk i hoqa punonjëset e mia, edhe pse nuk kemi nxjerrë fitime që prej 3 muajsh,” tha ajo. “Ndryshe nga shumë biznese të tjera, unë e mbajta stafin tim gjatë këtyre muajve”, shtoi Mira, me një dozë krenarie dhe shpresë për të ardhmen e biznesit të saj.
Programi i hapjes graduale të vendit, ka rihapur të hënën përveç parukerive dhe berberëve, edhe klinikat dentare dhe qendrat e mëdha tregtare. Protokolli i masave mbrojtëse ka qenë rigoroz për këto biznese, duke i kufizuar kështu për t’i shërbyer klientëve me kapacitet të plotë.
Rregullat që duhen ndjekur për parandalimin e COVID-19 përfshijnë kufizimin e orarit të punës deri në orën 17.00, përdorimin e dezinfektantëve për ambientet dhe veglat e punës para çdo përdorimi, mbajtjen e maskave/dorezave/përparëseve gjatë gjithë kohës së shërbimit, ruatjen e distancës prej 2 metrash nga klienti tjetër, ndalimin e grumbullimit të klientelëve për të pritur brenda sallonit, pajisjen me qese plastike njëpërdorimshe të këpucëve , si edhe sterilizimi i pajisjeve metalike në autoklava për dentistët.
Mbyllja prej gati 3 muajsh ka krijuar një pakënaqësi tek klientela, sidomos tek gratë dhe vajzat që nuk kanë mundur të mirëmbajnë flokët apo trupin.
“Ku rrimë dot ne pa bërë thonjtë dhe flokët…mezi kemi pritur të hapen”, thotë një kliente e cila pas 3 muajsh ishte duke trajtuar thonjtë e saj me xhel të hënën dhe shtoi se ana estetike ka të bëjë shumë me vetëvlerësimin tek gratë dhe vajzat.
Nga ana tjetër, meshkujt duken se gjithashtu kanë pritur me padurim hapjen e berberëve, por ndryshe nga gratë ato nuk preferojnë të prenotojnë, por të paraqiten drejtpërdrejtë e presin radhën jashtë dyerve të dyqanit.
Berberët shprehen se në këto ditë ku fluksi i punës pritet të shtohet ndjeshëm, të paktën për dy javë do të funksionojnë me mentalitetin “fiton më i shkathëti”, pasi meshkujt nuk kanë durimin apo nuk janë mësuar të lënë orare tek berberi.
Jurgeni, një djalë i ri që zotëron një salon meshkujsh pranë rrugës së Durrësit, shprehet se deri para pandemisë ai funskiononte me orare, por tashmë kjo është e pamundur për shkak të fluksit të madh të klientëve që vijnë dhe janë të gatshëm të presin radhën.
“Tani e kam pothuajse të pamundur të funksionoj me orare,” shprehet ai, ndërsa në derën e dyqanit shfaqen vazhdimisht klientë të cilët kërkojnë që të jenë të radhës për të prerë flokët apo për të shkurtuar mjekrën.
“Besoj se deri nga fundi i muajit do jemi në të njëjtën situatë, deri sa të qetësohet gjendja dhe të zgjatet dhe fasha orare, pasi tani lejohemi të punojmë deri në orën 17.00,” shpjegoi Jurgeni.
Një tjetër berber pranë rrugës Asim Vokshi, shprehet gjithashtu se shumica e klientëve vijnë dhe presin jashtë, ..
“Klientët e mi filluan prenotimet vetëm disa ditë pasi doli ligji për t’u rihapur, pra rreth 4-5 ditë më përpara”, tha ai, ndërsa shtoi se rihapja nuk është e lehtë, pasi gjatë gjithë kohës është duke dezinfektuar mjetet e tij të punës.
Nga ana tjetër, për parukeritë e vogla të grave, protokolli lejon vetëm prezencën e një punonjësi, gjë kjo që i ka shtuar ngarkesën këtyre bizneseve, të cilat më parë operonin dhe me asistentë.
Zamira Muhadri, pronarja e një parukerie me të njëjtin emër në qendër të Tiranës, thotë se deri para pandemisë edhe me ndihmën e asistentes së saj ajo kishte fluks të mjaftueshëm që shpeshherë e detyronte të punonte dhe jashtë orarit, ndërsa tani që fluksi pritet të shtohet akoma më shumë, ndërkohë asaj i duhet të jetë e vetme në punë dhe kjo do e bëjë akoma më të lodhshme.
“Për shkak të sipërfaqes së vogël të dyqanit , protokolli ma ndalon të mbaj edhe person tjetër për të punuar, prandaj tani e kam dhe më të lodhshme për të përballuar të gjithë punën vetëm,” tha Zamira.
“Që ditën e sotme më janë zënë të gjitha oraret deri për të shtunën në darkë”, shtoi ajo, duke theksuar se shpreson që fasha orare në ditët në vazhdim të zgjatet deri në orën 21.00, e kështu të ketë mundësi të shtrijë më tej prenotimet e klienteve të saj.
Ngjashëm, pronarja e “Smiling Nails” – studio për estetikën e thonjve, thotë se nëse puna vazhdon me kushtet e tanishme, deri në fund të muajit ajo do detyrohet të punësojë një ndihmëse, pasi ngarkesa është e madhe.
“Gjithmonë kam punuar vetëm pasi e kam pasur të lehtë ta menaxhoj me orare” , tha sipërmarrësja e vetëpunësuar
“Por nëse kërkesa do vazhdojë të jetë kaq e lartë do më duhet patjetër ndihmë, pasi klientet që presin shërbim janë grumbulluar tashmë gjatë gjithë kësaj kohe dhe nuk presin dot”, përfundoi ajo.