Dhjetra persona që tentuan të shkonin në Kosovë u bllokuan sërish në Morinë pasi nuk kishin test të COVID-19 dhe nuk mund të deklaronin vend vetëizolimi. Ndërsa qytetarët reaguan duke lajmëruar protesta, ndërsa thanë se kufiri “de facto” ishte i mbyllur.
Dhjetra qytetarë që udhëtuan drejt Kosovës mëngjesin ë të martës u bllokuan sërish në kufi pasi nuk mund të dëshmonin se kishin kryer test për COVID-19 në 4 ditët e fundit dhe se nuk pranonin të deklaronin që do të vetëizoloheshin pasi të mërrnin në Kosovë.
Hapja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës të hënën është shoqëruar me paqartësi mbi mënyrën se si palët po procedojnë dhe masat e marra nga autoritetet kufitare. Një ditë më parë pas një bllokimi të ngjashëm, autoritetet në Kosovë lejuan kalimin e udhëtarëve ditorë duke mos kërkuar që të plotësojnë kushtet për të pasur test apo për tu izoluar, por mëngjesin e të martës pas një urdhëri nga Departamenti i Kufirit të Kosovës masat u rivunë në zbatim duke ndaluar lëvizjen.
Qeveria e Shqipërisë ka hapur kufirin në mënyrë të njëanshme me të gjithë vendet fqinje, por përveç Malit të Zi, kalimi nuk është i dyanshëm në asnjë pikë tjetër doganore. Sipas Policisë së Shtetit, Maqedonia e Veriut dhe Italia lejojnë kalimin vetëm pas një procedure të caktuar dhe kanë ende në fuqi masat kundër epidemisë për udhëtarët. Drejt Greqisë po ashtu udhëtohet me kufizive dhe shumica e atyre që dalin janë të punësuarit sezonalë që preken prej një marrëveshje dypalëshe.
Nga ana e saj Kosova lejon kalimin e vetëm atyre personave që kanë kryer test të COVID-19 në katër ditët e fundit gjë që duke marrë parasysh numrin e testeve të kryera nuk është e mundur për shumicën dërrmuese, ose të atyre që vetëdeklarojnë se do të qëndrojnë të izoluar për 7 ditë në Kosovë. Kjo masë e dytë nuk u zbatua një ditë më parë për disa udhëtarë që deklaruan se do të ktheheshin brenda ditës, por u rivu në fuqi mëngjesin e të martës.
Sipas atyre që ishin nisur drejt Prishtinës apo Prizrenit dhe u bllokuan në Morinë këto masa “de facto” nuk e lejojnë udhëtimin. “Kam udhëtuar nga Tirana. Thanë që u hap kufiri. Do shkoja për një ngushëllim në Viti pasi ka ndodhur një vdekje më parë”, thotë Veli Domi me origjinë nga Kukesi, por me banim në Tiranë, ndërsa shpjegoi se për vizitën e tij 1 ditore nuk mund të plotësonte asnjë nga kushtet.
Qytetarë të tjerë që nuk ishin informuar qartësisht mbi mënyrën si po procedohej kërkuan që qeveritë të merreshin vesh dhe njerëzit të informoheshin. “Kam një kompani në Kosovë. Më thanë që u hap kufiri dhe jam nisur për të filluar veprimtarinë. Kjo është skandaloze”, tha një qytetar nga Tirana.
Dhjetra qytetarë kërkuan të mbyllej edhe krahu tjetër i kufirit, ndërsa tentuan të bllokonin rrugën, por nuk u lejuan nga policia.
Një natë më parë i ftuar në “5 pyetje nga Bababramo”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se vendi nuk kishte më karantinë për ata që hynin nga jashtë, por la të kuptohej se qytetarët duhej të kishin test të COVID-19 dhe se duhej të deklaronin vendin e qëndrimit. Punonjësit e policisë në dy anët e kufirit thanë se ata ndiqnin urdhërat dhe se nuk ishin të qartë për vendimmarrjen e qeverive.