Komuniteti LGBTI në Kosovë dhe mbështetës të tij nga rajoni organizuan të martën me sukses, paradën e parë të krenarisë në Prishtinë
Qindra persona nga Kosova dhe rajoni marshuan në Prishtinë për paradën e parë të krenarisë në vend këtë të martë.
“Jemi krenarë të drejtojmë të parën paradë krenarie në Kosovë. Sot po ngre zërin për këdo që nuk mund të ecë me neve sot,” tha aktivisti, i LGBTI Lendi Mustafa.
Marshuesit valëvitën flamuj nën diellin e ndritshëm të vjeshtës dhe thirrën slogane si “Ngrihu për dashurinë!”, “Dashuria nuk njeh kufij” dhe “Krenari”, nën tingujt e këngëve pop të Dua Lipës dhe Beyonce.
Parada u organizua si pjesë e javës së krenarisë në Kosovë, nën sloganin “Në emër të dashurisë”.
Megjithëse kjo ishte parada e parë e krenarisë në Kosovë, ajo nuk ishte i pari organizim publik i komunitetit LGBTI në vend; gjatë viteve të fundit, aktivistët kanë organizuar marshime private për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, IDAHOT.
Teksa marshuesit u mblodhën për të nisur paradën në Sheshin Skënderbej, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri një paraqitje të shpejtë për të shprehur mbështetjen e tij për eventin.
Politikanë dhe diplomatë të tjerë në Kosovë dhe aktivistë nga rajoni gjithashtu morën pjesë në këtë event historik për Prishtinën.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kritikuan fanatikët fetarë që kanë përhapur fjalë urrejtje ndaj komunitetit në ditët përpara paradës. Të hënën, media lokale raportoi se një email kërcënues anonim ishte dërguar te disa media, duke i paralajmëruar mbështetësit të mos merrnin pjesë në paradë.
“Kosova është një vend mjaft homofobik, ne e dinim që do të përballeshim me komente të tilla. Kjo është pikërisht pse Kosovës i duhet një paradë krenarie – që persona të tillë të ekspozohen direkt te lëvizja e komunitetit LGBTI,” tha për BIRN një përfaqësues i Qendrës për Barazi dhe Liri, CEL.
“Është shumë bukur, megjithëse prisja më shumë njerëz. Mund të jenë familjet që i ndalojnë të vijnë dhe ka të tjerë që mbulojnë fytyrat që të mos dalin në kamera,” tha Gresa Isufi, një 20-vjeçare që punon si programuese, e cila mori pjesë në paradë. “Është diçka e mirë që parada po mbahet këtu… çdo kryeqytet progresiv mirëpret parada, ndaj shpresoj që të vazhdojë në vitet në vijim”.
Marrë nga Prishtina Insight.