Parlamenti maqedonas ka miratuar të katër amendamentet kushtetuese për të lejuar ndryshimin e emrit të vendit – siç kërkohet sipas marrëveshjes historike me Greqinë.
Parlamenti maqedonas mbështeti të katër amendamentet e propozuara nga qeveria për ndryshimin e kushtetutës së vendit të premten në mbrëmje, duke lejuar që emri i vendit tani të ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Të 81 deputetët e pranishëm nga partitë në pushtet dhe nga disa parti opozitare mbështetën ndryshimet, duke siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave.
Shumica e deputetëve të krahut të djathtë VMRO DPMNE, të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e emrit, munguan në seancë.
Ndryshimet kushtetuese shënojnë finalizimin e anës së Maqedonisë për marrëveshjen e emrit me Greqinë dhe do të thotë se emri i vendit tani do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut për përdorim ndërkombëtar dhe të brendshëm. Kombësia e popullsisë do të mbetet maqedonase.
Referenca e përkohshme e OKB-së, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) do të fshihet.
Me miratimin e amendamenteve, Greqia pritet të heqë veton ndaj Maqedonisë që kjo e fundit të nisë negociatat për anëtarësim në BE dhe për t’u bashkuar me NATO-n.
Gjatë votimit të së premtes, disa qindra kundërshtarë të marrëveshjes së emrit protestuan para ndërtesës së parlamentit, duke akuzuar deputetët që e kishin miratuar atë se kryen një tradhti kombëtare.
Sigurimi i votave erdhi si një nxitje për qeverinë e udhëhequr nga Social Demokrati Zoran Zaev, i cili ka luftuar për të siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave në parlamentin me 120 vende.
Votimi u zhvillua pas tre ditë diskutime ndërpartiake të shoqëruara me pasiguri të madhe mbi numrin e deputetëve të opozitës do të votonin në favor të marrëveshjes së emrit të Maqedonisë të arritur me Greqinë këtë verë.
Sfida më e madhe për kryeministrin Zaev në ditët e fundit ishte të bindte katër deputetë nga dy partitë e vogla të opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA për të mbështetur ndryshimet.
Ata e kushtëzuan mbështetjen e tyre me një sërë kërkesash për të afirmuar karakterin multietnik të vendit. Një nga më të debatuarat ishte kërkesa për heqjen e termit “shtetësi maqedonase” nga kushtetuta.
Në fund u arrit një kompromis dhe qeveria ra dakord të trajtonte disa nga këto kërkesa përmes ligjeve shtesë dhe të vendoste disa drejtpërdrejt në kushtetutë.
Akti final i zbatimit të marrëveshjes tani do të jetë në Athinë, ku parlamenti duhet ta ratifikojë atë.
Ndryshe nga Maqedonia, vetëm një shumicë e thjeshtë është e nevojshme në parlamentin grek. Kjo do të thotë se të paktën 151 deputetë në parlamentin me 300 vende duhet të votojnë pro marrëveshjes.
Të mërkurën, kryeministri grek Alexis Tsipras tha se marrëveshja do të paraqitej për ratifikimin në parlament deri në fund të muajit.
Nëse marrëveshja zbatohet, ajo do t’i japë fund një mosmarrëveshje të gjatë në lidhje me emrin e Maqedonisë, të cilin Greqia e kundërshtonte.
Greqia ka këmbëngulur prej kohësh që termi “maqedonas” ishte pronë helene. Por ajo e ka modifikuar qëndrimin e saj tani që Maqedonia ka rënë dakord të shtojë përcaktuesin “Veri” në emrin e saj.