Pas fillimit të vitit të ri shkollor, në të gjithë rajonin shtohen shqetësimet se rikthimi i nxënësve nëpër shkolla mund të shoqërohet me një tjetër rritje të infektimeve me COVID-19
Fillimi i vitit akademik ka sjellë sfida të reja për shkollat në të gjithë Evropën Juglindore ku disa vende po përpiqen të menaxhojnë një valë të dytë të rasteve COVID-19.
Edhe pse të gjitha shkollat në të gjithë rajonin kanë marrë masa të veçanta shëndetësore, siç janë maskat e detyrueshme, ruajtja e distancimit social dhe protokollet e përmirësuara të higjienës, tashmë në disa shkolla janë raportuar infektime dhe shumë nxënës janë përsëri në shtëpi, duke u vetëizoluar.
Ndërsa numri i fëmijëve dhe stafit të shkollës që janë në vetëizolim në Kroaci rritet pas fillimit të vitit shkollor më 7 shtator, një epidemiolog kroat, Branko Kolariç, tha se një situatë e tillë pritej.
“I bëj thirrje prindërve të jenë të durueshëm këtë vit sepse mund të ndodhë që fëmija i tyre të vendoset në vetëizolim disa herë. Ata do të vetëizolohen sa herë që një fëmijë tjetër ose një mësues infektohet”, tha Kolariç për televizionit N1 të enjten.
Mediat kroate njoftuan të hënën, duke cituar Ministrinë e Arsimit, se 265 nga 460,000 nxënës kishin rezultuar pozitivë për COVID-19 dhe 2,089 ishin vetëizoluar. Mediat thanë se 95 mësues janë vetëizoluar gjithashtu, me 26 që kishin rezultuar pozitiv për koronavirus.
Në Serbi, që nga fillimi i një viti të ri shkollor më 1 shtator, 20 mësues dhe 52 fëmijë janë raportuar të infektuar. Ministri i arsimit Mladen Sarceviç e quajti këtë një rezultat të mirë, duke marrë parasysh se në shkollat në vend ka rreth 850,000 nxënës.
Megjithatë, në Serbi ka pasur tensione midis prindërve dhe institucioneve. Pasi koronavirusi preku një shkollë fillore të Beogradit, Ministria e Arsimit akuzoi disa prindër se kishin dërguar një fëmijë të infektuar në shkollë dhe në këtë mënyrë kishin vënë në rrezik sigurinë e fëmijëve të tjerë.
Të enjten, autoritetet në Beograd regjistruan 102 raste të reja me COVID-19 dhe një vdekje.
Në Kosovë viti shkollor filloi të hënën e kësaj jave, pasi u shty për dy javë. Nëse një nxënës ose mësues rezulton pozitiv, e gjithë klasa do të vetëizolohet për 14 ditë dhe mësimi do të vazhdojë në internet. Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, shkollat filluan më herët në përputhje me rregullat e Ministrisë serbe të Arsimit më 1 shtator, duke mos marrë parasysh vendimin e qeverisë së Kosovës.
Në Bullgari, ku viti i ri shkollor filloi të martën, një nxënës i shkollës së mesme në qytetin Ruse dhe tetë mësues në një shkollë fillore në Sofje kanë dalë pozitiv për COVID-19.
Ministri bullgar i Arsimit, Krasimir Valcev, tha për çdo 200 raste të reja në ditë, ata prisnin që 10 deri në 15 prej tyre të lidheshin me ata që ndiqnin dhe jepnin mësim në klasë. Fillimi i semestrit gjithashtu ka vënë në fokus gjendjen e shkollave në periferitë e qyteteve, në fshatra dhe qytete më të vogla, të cilat kanë mungesë sapunësh dhe uji të ngrohtë.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, viti i ri shkollor do të fillojë më 1 tetor, por ekziston edhe frika e përhapjes së infektimeve me COVID-19 në shkolla.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të gjashtën të shkollës fillore dhe ata të vitit parë në shkollën ë mesme do të frekuentojnë mësimin në klasa në Mal të Zi. Të dielën, Ministria e Arsimit tha se të gjithë nxënësit e tjerë do të vazhdojnë mësimin online, duke bërë konsultime drejtpërdrejtë në shkolla çdo 15 ditë.
Megjithatë, shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, në Malin e Zi, Mina Brajoviç, paralajmëroi të mërkurën se situata epidemiologjike duhet të jetë nën kontroll para se shkollat të mund të hapen. “Shkollat duhet të jenë një vend i sigurt si për fëmijët ashtu edhe për mësuesit”, tha Brajoviç për televizionin Vijesti.
Të mërkurën, Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi tha se vendi aktualisht kishte 2,401 raste aktive me koronavirusit. Me 381 raste aktive për çdo 100,000 qytetarë, ai ka gjithashtu nivelin më të lartë në rajon.
Në Maqedoninë e Veriut, qeveria po punon për një të ashtuquajtur platformë të unifikuar arsimore kombëtare për mësimin online, për të cilën Ministria e Arsimit tha se do të promovohet së shpejti.
Parlamenti në vend ka gjasa që të enjten të bëjë ndryshime në ligjet për Shkollat Fillore dhe të Mesme për të lejuar qeverinë të marrë vendime më të shpejta në raste emergjencash.
Siç janë gjërat, është miratuar një vendim që të mund të fillojnë vitin shkollor vetëm nxënësit e shkollës fillore deri në klasën e tretë, të cilët do të mund të marrin pjesë fizikisht në klasë. Pjesëmarrja është opsionale për të gjithë të tjerët.
Vendi nuk ka parë një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve me COVID-19 gjatë muajit të kaluar. Shifrat ditore kanë variuar nga 90 në 170 infeksione.
Më 14 shtator, pas shtatë muajsh pezullim të procesit mësimor, në Shqipëri nisi viti i ri shkollor.
Sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit, dhe Rinisë (MASR) mësimi do të zhvillohet në 4 turne të ndara, kur çdo turn do të jetë rreth dy orë e gjysmë, ndërsa orët mësimore do të kenë një kohëzgjatje prej 30 minutash.
Ndërkohë, mësuesit në ditën e parë të shkollës i shpjeguan fëmijëve rregullat e reja të protokollit anti-COVID që do të respektohet brenda ambienteve të shkollave si pjesë e masave parandaluese për përhapjen e virusit të ri SARS-CoV-2.
Ndërkohë, në Tiranë janë shënuar edhe rastet e para të mësuesve pozitivë për COVID-19.
Gjatë javëve të fundit, në vend është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve ditore pozitive për COVID-19 dhe aktualisht janë 4740 raste aktive.