Lajm4 Feb 2019

Pedagogët e Universitetit të Tiranës drejt grevës pa afat

Në Asamblenë e dytë të Pedagogëve të Universitetit të Tiranës u shtuan thirrjet për hyrje të stafit akademik në grevë pa afat, ndërsa pedagogët i kërkuan qeverisë të marrë parasysh kërkesat e tyre për një ligj të ri të arsimit të lartë.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Asambleja e Pedagogëve mbajtur të hënën 4 shkurt në godinën ‘Liria”. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ndërsa pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale ishin në grevë të hënën, kolegë të tyre të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës, UT, mbajtën në sallën “Liria” një takim për të vendosur hapat e radhës në kundërshtimin e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe kërkesat e tyre për mbarëfunksionimin e jetës universitare.

Pedagogët, të cilët akuzojnë qeverinë se ka cënuar autonominë dhe kërkimin shkencor të universitetit përmes ligjit të arsimit të lartë të tetorit 2015 dhe VKM-ve dhe urdhrave të nxjerra në fund të dhjetorit, po intensifikojnë diskutimet për hyrjen në një grevë të përgjithshme dhe paafat të tyre.

Prej 25 janarit, pedagogët janë bërë së bashku për të kërkuar një ligj të ri të arsimit të lartë, tërheqjen e VKM-ve të dhjetorit, rritjen e buxhetit të arsimit publik dhe mbështetjen e kërkesave të studentëve.

Takimi i së hënës nisi me një përmbledhje të takimit të përfaqësisë së pedagogëve me ministren e arsimit Besa Shahini, ku pedagogu i gazetarisë dhe komunikimit Mark Marku, informoi kolegët se takimi nuk kishte pasur rezultat, pasi ministrja Shahini nuk kishte qenë e gatshme të shprehej mbi kërkesat e tyre.

Në fjalimet e mbajtura njëra pas tjetrës nga stafi akademik i UT u vlerësua procesi demokratik dhe reformator i mbajtur nga Fakulteti i Shkencave Sociale për vendimin e hyrjes në grevë dhe pati thirrje që ky veprim të përsëritej nga fakultetet e tjera sa më shpejt.

“Nga mënyra se si ka funksionuar Fakulteti i Shkencave Sociale jam admiruese për mënyrën si janë organizuar dhe si ka funksionuar demokracia atje dhe jam optimiste se kjo do të vazhdojë edhe në fakultetet e tjera,” tha para kolegëve pedagogia Mimoza Hafizi, duke shtuar se procesi mund të marrë kohën e nevojshme.

“Besoj se kjo rezistencë që po forcohet në Universitetin e Tiranës do të jetë shumë e gjatë, sepse nuk është sot për nesër sepse universiteti ka shumë kohë që po degradon,” tha ajo.

Një nga problematikat e ngritura prej në Asamblenë e Pedagogëve ishte mungesa e informacionit të disa profesorëve për situatën aktuale dhe mospërfshirja e tyre për shkak të mosinformimit apo hezitimit.

Hafizi sugjeroi që të hartohej një oponencë e pedagogëve të UT për ligjin e arsimit të lartë, ku të kontribuonte lirshëm i gjithë profesorati duke qartësuar kështu qëndrimin e kujtdo për ligjin.

Pedagogia Majlinda Keta nga Shkencat Sociale qe edhe më e drejtpërdrejtë në fjalimin e saj, duke shprehur nuk e kuptonte përse Senati i Universitetit të Tiranës nuk kishte vendosur për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të universitetit.

Sipas Ketës komunikimi mes kolegëve dhe trupave akademikë duhet shtuar që të mos i mbesi medias detyra për të informuar brenda për brenda universitetit.

“Ditët që ikin, nuk janë ditë që janë në favorin tonë dhe veprimet tona duhet të përshkallëzohen me shumë zgjuarsi,” nxiti Keta kolegët.

Ajo shtoi se pedagogët e Tiranës duhet të ftojnë në diskutime edhe pedagogë të universiteteve të tjera të Shqipërisë, pasi shqetësimi për një arsim cilësor ndahet edhe prej tyre, ndonëse rezistenca në rrethe u shpreh Keta nuk po merr vëmendjen si ajo e Tiranës.

Sfida e tretë sipas Ketës është edhe komunikimi me vetë studentët.

Më 4 dhjetor në fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës nisën protestat studentore të cilat në ditët në vijim u shumëfishuan me pjesëmarrjen e mijëra studentëve që mësynë në rrugët e Tiranës dhe në qytete të tjera për të shprehur pakënaqësinë me gjendjen e universitetit në vend.

Qeveria Rama në fund të dhjetorit doli me disa VKM dhe urdhra që lidheshin kryesisht me aspektin ekonomik të kërkesave të studentëve si për shembull ulja e tarifës, por planet e qeverisë për arsimin priten ende të prezantohen përmes të ashtuquajturit “Pakti për Universitetin”.

Prej janarit studentët e kaluan formën e protestës në një zaptim të fakulteteve dhe bojkot të mësimit, por që atëherë presioni për të rifilluar mësimin në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e vitit akademik është rritur nga qeveria dhe drejtuesit e fakulteteve.

Studentët  janë ndarë tashmë në dy grupe mes atyre që vazhdojnë protestën përmes bojkotimit dhe të studentëve që duan të vazhdojnë mësimin.

“Në momentin që unë jam këtu, më vjen një mesazh ku më thuhet se kurset që kam, kanë bërë në dy orët e para mësim. Zysha do të vijë?” – tha Keta.

“Jo, unë nuk është se nuk dua të vij në mësim, unë jam duke ushtruar atë demokraci që ata ushtruan deri më tash. Unë dhe të gjithë ju jemi duke mbartur më tej atë çështje dhe kauzë që ngritën vetë studentët dhe të dyja palët jemi me një shqetësim, universitetin cilësor,” shtoi Keta.

Sipas saj, stafet akademike dhe hartuesit e ligjit për arsimin e lartë nuk e kishin menduar se pasojat negative të ligjit do të vinin kaq shpejt, ndonëse priteshin të sillnin kaos arsye për të cilën ajo e quajti votimin e ligjit si tradhti nga të gjitha kahet politike.

“Hallin e paskan pasur të na shkatërrojnë ne për të fuqizuar një privat preferencial,” hamendësoi Keta.

Ata gjithashtu dënuan fushatën denigruese që vazhdon ndaj pedagogëve, duke e quajtur atë një fyerje të stafit akademik, por edhe studentëve aktualë dhe atyre që janë diplomuar deri më tani në universitet.

Në fund të takimit, pedagogët pjesëmarrës rikonfirmuan kërkesat e tyre. Ata gjithashtu bënë thirrje që asambletë e fakulteteve të mbajnë një qëndrim për ligjin e arsimit të lartë dhe të vendosin për hyrjen në grevë. Thirrje pati edhe ndaj Senatit Akademik dhe Rektorit që të pasojnë vendimin e Asambleve.

Pedagogët kërkuan po ashtu ngritjen e një grupi pune për të hartuar një oponencë për ligjin në fjalë. Së fundmi, pedagogët kërkuan pjesëmarrje në një debat në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mediave për ligjin.