Reportazh2 Sep 2014

Peshkatarët shqiptarë i vijnë hakut peshkut vrasës 'jugosllav'

Luçiperka – peshku grabitqar dhe invaziv që kërcënon speciet vendore të peshkut – duket se ka hasur, më në fund, të barabartin e vet.

Autor: Altin Raxhimi BIRN Tiranë
Printo

Liqeni i Fierzës

Liqeni i Fierzës | Foto nga : Altin Raxhimi

Në shkurt 1985, kur peshkatari Kamber Kapica hodhi rrjetën e tij mes pllakave lundruese të akullit në Liqen të Fierzës, i zuri syri dy a tre peshq të panjohur sa pëllëmba e dorës.

Kurreshtar, Kapica ia tregoi atë një studenti biologjie që punonte aty pranë në Kukës, i cili e identifikoi si Styzostedion lucioperca ose, siç njihet tani në atë zonë, luçiperka.

Studenti i tha Kapicës se peshku sipas gjasave kishte ardhur nëpërmjet Drinit të Bardhë nga Jugosllavia, ndoshta përmes një rrjedhjeje rezervuari në Kosovë.

Shumë pak ose asgjë s’hynte në Shqipëri gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe për pasojë vendasit e quajtën mes tyre “peshku jugosllav”.

Pak vite më vonë, luçiperka u përhap në të gjithë liqenin, i pari pre tre të tillëve të krijuar nga digat mbi lumin Drin në veri të Shqipërisë për hidrocentrale. Pushtimi kërcënonte speciet vendëse të peshkut si gjuca.

Sipas Arben Çinarit, kryetarit të shoqatës së manaxhimit të peshkimit në Shkodër, luçiperka prej Fierzës depërtoi në liqenin e Komanit, të dytin në kaskadë përmes digës në vitet nëntëdhjetë.

Gjatë përmbytjeve të vitit 2010 në Shqipëri, vendi hapi dyert dytësore të digës së dytë dhe një numër peshqish rrëshqitën në liqenin e Vaut të Dejës. Disa prej tyre janë kapur edhe më poshtë rrjedhës së Drinit.

“Jemi të shqetësuar. Nuk i dimë efektet, por dimë se është një peshk i pamëshirshëm,” thotë Çinari.

Në një studim mbi luçiperkën të 1989-ën, dy vjet para rrëzimit të regjimit komunist, biologu shqiptar Shaban Memia, studenti që e identifikoi atë fillimisht, vëren se gjatë peshkimit të zakonshëm ata arrinin të gjenin deri në 20 gjuca në stomakun e një luçiperke të vetme.

“Është peshk që ka nevojë të hajë shtatë kile peshk tjetër për të fituar një kile peshë vetë,” shkruan Memia.

Këto të dhëna theksojnë natyrën e tij grabitqare dhe kërcënimin që përbën për speciet vendase.

Nga hiç, në ato kohë, luçiperka arriti të zinte një të pestën e të gjithë peshkut të kapur në Fierzë.

Nga fundi i tetëdhjetave, biologët kishin frikë se luçiperka do të kërcënonte ekosistemin dhe do të pakësonte shpejt popullsinë e gjucës, e cila shfrytëzohej për fabrikat e konservave përgjatë bregdetit shqiptar.

Luçiperka është specie e ujërave të ëmbla dhe të përzjera të Euroazisë perëndimore. Ka trup të gjatë dhe kurriz me gjemba.

Spase Shumka, studiuesi kryesor i peshqve invazivë së fundmi në Shqipëri, beson se luçiperka qe dërguar në Jugosllavi në vitet 1950 për të populluar rezervuarët.

“Tashmë është vendosur dhe në Neretva,” lumin kryesor të Bosnjës, thotë Shumka.

Biologët janë përpjekur të kuptojnë ndikimin e saj në mjedis.

“Nëse ka ardhur në Shqipëri, atëherë gjynah,” thotë Predrag Simonoviçi, një iktiolog nga Beogradi që së fundmi ka kryer një studim rajonal mbi speciet e huaja të peshqve në gadishullin ballkanik.

“S’e heq dot qafe, për sa kohë nuk do përdorësh mjete drastike, si rotenone apo peshqvrasës të tjerë,” shton ai.

Kanibali

Transferimi i peshqve të ujërave të ëmbël nga një masë ujore në tjetrën është pothuajse aq i vjetër sa edhe qytetërimi.

Legjinarët romakë përhapën krapin e zakonshëm nëpër Europë dhe murgjit mesjetarë furnizuan liqenet e tyre me rasat nga ujëra të tjera.

Por kjo praktikë mori hov me industrializimin e Perëndimit në shekullin XIX kur ndërtoheshin ferma peshku për të përmirësuar bazën ushqimore dhe peshkimi amator u bë sport popullor mes klasave të reja të pasura.

Në vende pa dalje në det, si Çekosllovakia apo Hungaria, u ndërtuan biznese të konsiderueshme me kultivimin e peshqve të ujërave të ëmbla. Por jo sa të haheshin me Kinën, biznesi akuakulturor i së cilës përbën gjysmën e shitjeve dhe 60 për qind të peshkut të transportuar në botë.

Nga fundi i viteve pesëdhjetë, ndërsa Shqipëria po kthehej në shok të ngushtë të Kinës në Europë, ajo filloi të marrë specie të familjes së krapit nga Lumi Amur, të cilin Kina ndan me Bashkimin Sovjetik.

Pas shkëputjes nga Kina në fillim të viteve shtatëdhjetë, peshqit kinezë u zëvendësuan me blerje nga Hungaria, por këto futje qenë rreptësisht të kontrolluara.

E paftuar, luçiperka gjithsesi arriti të depërtojë.

Luçiperka e pati nisur marshimin e vet perëndimor dhe jugor shumë më herët.

Nga lumenjtë në pjesën Euroaziatike të Rusisë, ajo u soll në Europën Perëndimore vonë në shekullin XIX. Nga viti 1860 ajo u soll në Gjermani dhe Hollandë, nga fundi i viteve 1880 pati mbërritur në Liqenin Anesi në jug të Francës. Më 1890, një lord britanik e mori atë në lindje të Anglisë për peshkim sportiv.

Pasi hyri në Jugosllavi në vitet pesëdhjetë, gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-95, gjeti mënyrën për t’i shpëtuar fermave të peshkut të ndodhura përreth lumit ikonë të Bosnjës, Neretvës. Ujërat që derdhen në Adriatik “kanë shkallë të lartë endemizmi të peshqve,” thotë Simonoviçi. Të fusësh specie aliene si luçiperka është “çmenduri e spikatur që lejohet pa vrarë mendjen për humbjen apo kompromentimin e atij endemizmi.”

Luçiperka nuk është shqetësim vetëm për biologët shqiptarë dhe ballkanikë. Më 2008 ajo u konsiderua një nga dhjetë speciet më invazive në Britani, ku autoritetet po përpiqen ta shfarosin.

Spanja ka filluar të ndëshkojë çdo transferim të saj nga rezervuarët aktualë të izoluar në ujëra të tjera të ëmbla që prej 2010-ës.

Ka histori që tregojnë se si, kur ky peshk u hodh në një liqen në Anadoll për të prodhuar fileto për eksport, ai shpejt shfarosi të gjithë krapin dhe pakësoi dhe popullsinë e vet, duke i detyruar fabrikat e filetimit të mbyllen.

“Kur luçiperka nuk ka asgjë tjetër të hajë, han veten,” thotë Arben Palushi, një specialist peshku në Kukës. “Është kanibal!”

Por çfarë shijeje!!!

Në Drin, luçiperka u mbivendos në majë të zinxhirit ushqimor me egërsi.

I eci për disa arësye, përfshirë faktin se përshtatet mirë në ujëra me rrjedhje të ngadaltë apo të turbullta, sipas Palushit.

Por edhe luçiperka e ka pikën e vet të dobët. Mishin e bollshëm dhe të butë e ka me pak hala dhe shumë shije, dhe shkon shumë për fileto.

Mënyra kryesore për ta gatuar është zgara.

Shumka e ka ngrënë atë pranë Podgoricës, e shijoi nga Liqeni Dorjan të Maqedonisë dhe festoi mbi të në Republikën Çeke.

“Nuk mund ta marrësh me mend se sa mirë shkon e skuqur lehtë me pak uthull japoneze,” më tha mua një ditë në një lokal në Tiranë duke rikujtuar një recetë personale.

Luçiperka është një produkt i rëndësishëm për restorantet e Kosovës që shërbejnë për zyrtarët ndërkombëtarë dhe është bërë preja e parapëlqyer e peshkatarëve të anës shqiptare të kufirit, në zonës e Kukësit.

Me rënien e komunizmit kërkesa nga industria shtetërore e peshkimit dhe fabrikat e peshkut për gjucën ra. Por biznesmenët vendës gjetën tregje të reja për shfarosësin e saj.

“Në ato kohë luçiperka shitej me ton çdo vit në tregjet italiane dhe zvicerane nga tregtarë të rinj që e çuan në tregjet me shumicë të peshkut në Milano,” tregon Palushi.

Ndërmarrjet vendëse të peshkimit i lanë vendin një armate peshkatarësh të pavarur me pak respekt për rregullat.

Në Kukës ata kanë eksperimentuar me dinamit që vonë nga vitet 1980, pasi vidhnin eksplozivë nga minierat aty pranë. Pastaj filluan të kthenin nitratet e bujqësisë në eksplozivë në shishe plastike.

“Për natë ka nga një shpërthim” në liqen të Fierzës, thotë Palushi, i cili ishte drejtor i rajonit për mjedisin deri në vitin 2013. “Vjet numërova më shumë se 500.”

Dhe përveç dinamitit, u shfaq një mënyrë më efektive dhe spektakolare për shfarosje.

Peshkatarët marrin një gjenerator elektrik dhe fusin dy telat në ujë, gjë që vret apo trullos të gjithë peshqit mes telave.

E për pasojë, jo vetëm gjuca por edhe grabitqari i paftuar janë nën kërcënim. Sasia e zënë e luçiperkës ka rënë ndjeshëm.

Ditët kur peshkatari mund të zinte dhjetë kile e më shumë janë harruar, thotë Palushi.

  • Virtyt Gacaferi

    Altin te lumte shume storie e mire.

  • Fadili-pz

    Artikull shumë i qëlluar, por për kënd , ne shqiptarët e kemi shume problem me u pershtatë ndaj rregullave qe i vendosim vetë, Drini i Bardhe qe rrjedh neper Kosove vertete ka mbetur pa peshq si rezultat i mos pergjegjesise se pushtetit ndaj mbrojtjes se ambientit etj….. te falenderoj per këtë shkrim te mrekullueshem z.Palushi.

  • Arben Palushi

    Me pelqente shume dialogu me gazetarin Altin Raxhmi, i pranueshem, i ditur, me humor te mire, i komunikueshem, dhe i palodhur ne çdo ore te dites.

  • luli

    bukur

  • l.b.m baco

    nuk do ishte memire ta mbanin nen kontroll dhe jo ta zhduknin me dinamite e korrente e menyra ka plot perse duhette kemi frikenga mje specie peshku qe ka egzistuar ne ujrat tona gjithmon