Forcat e policisë së Vlorës arrestuan të shtunën 25- vjeçarin Inez Hajrulla, i cili dyshohet se në datën 10 maj është përfshirë në një shkëmbim zjarri në lungomaren e Vlorës ku mbeti i plagosur një qytetar.
Hajrulla ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Vlorës pas përfshirjes së tij në një shkëmbim zjarri në 10 maj ku mbeti i plagosur një shtetas 63 vjeçar me inicialet D.C.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit ku ndodheshin personat e pa identifikuar që kanë hapur zjarr me armë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi [Inez Hajrrulla],” tha policia në një njoftim për shtyp.
“Gjykata i ka caktuar shtetasit [Inez Hajrulla], masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Vrasje kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë,” shton njoftimi i policisë.
Shkëmbimi me armë zjarri i datës 10 maj në Lungomare nuk është hera e parë që i riu nga Vlora është shënjestër e një atentati. Në nëntor 2017, Hajrulla u plagos nga një atentat me eskploziv të telekomanduar nga i cili humbi njërën këmbë.
Hajrulla ka precedentë të mëparshëm penal. Ai është dënuar dy herë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë për armëmbajtje pa leje. Ai gjithashtu raportohet të ketë qenë i dyshuar si i implikuar në rrëmbimin e një të riu nga Vlora në korrik 2018.