Të ndaluarit janë mbështetës të opozitës dhe punonjës të policisë bashkiake dhe akuzohen për krime zgjedhore dhe kundërshtim të forcave të policisë.
Policia e Shkodrës njoftoi se ka ndaluar pesë persona për përleshjet e dhunshme natën e kaluar pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në shkollën “Shejnaze Juka” në lagjen “kongresi i Përmetit” në Shkodër. Katërmbëdhjetë të tjerë raportohen të shpallur në kërkim.
Policia njoftoi gjithashtu se shtatë persona janë ndaluar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim në Tropojë për shkak të përleshjeve në KZAZ 9 në qytetin e Bajram Currit.
Sipas policisë,Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, bënë arrestimin në flagrancë të 5 personave, konkretisht:
- B., 29 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm”, Shkodër
- N., 41 vjeç, banues ne lagjen “Guerrile”, Shkodër, punonjës i Policisë së Bashkisë Shkodër
- G., 50 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër
- N., 39 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër
- Th., 17 vjeç, banues në Shkodër
Janë shpallur në kërkim policor 14 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Akuza për këta shtetas është “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Policisë së Rendit publik”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Mësohet gjatë mbrëmjes së të martës dhe orët të para të së mërkurës, policia ka bërë kontrolle në banesat e disa prej anëtarëve të kryesisë së PD në Shkodër.