E ardhmja e zbatimit të projektit “Veliera” në Durrës vazhdon të zvarritet në dy Gjykata, ku përfaqësuesit e Shoqërisë Civile po përballen me Bashkinë e qytetit dhe firmat e ndërtimit që punojnë për realizimin e veprës me vlerë 6 milion USD.
Pas më shumë se 2 orësh në seancën që u zhvillua sot në mesditë në Gjykatën Administrative (e cila ndodhet ngjitur me Velierën), përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe avokatët e saj u shprehën për vonesat disamujore dhe zvarritjet në marrjen e një vendimi, çka sipas tyre bëhet për të humbur kohë. Sot gjykata vendosi 4 dhjetorin si ditën për seancën e ardhshme.
“Trupi gjykues më kryesor gjyqtarin Ergys Gashi u dha kohë përfaqësuesve të bashkisë të njihen me përfundimet e ekspertëve, që ka caktuar Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në procesin paralel që po zhvillohet atje-tha avokatja Mirela Jorgo, njëkohësisht veprimtare e Shoqërisë Civile. Sipas znj. Jorgo, këto janë dy çështje krejtësisht të pavarura, me kërkesa të ndryshme, përkatësisht për një çështje penale dhe për një çështje civile.
Më i ashpër në qëndrimin e tij, Sazan Guri, i cili i konsideroi vonesat e gjykatës të kota. “Pavarësisht nga rezultati, ne do ta kërkojmë të drejtën e popullit të Durrësit edhe në gjykatën e Strasburgut-u shpreh Sazan Guri, kryetar i Zyrës Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit. Guri vlerësoi se dëmtimet në zonën A të rriskut arkeologjik gjatë punimeve për hapjen e themeleve të projektit “Veliera” janë të dukshme, dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar zonën është rikthimi i gjendjes së parë, pra siç ishte përpara se të niste ndërtimi.
Në seancën e sotme ra në sy mungesa e palëve të treta, të interesuara për çështjen, si Agjencia Kombëtare Mjedisit, Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, Ministria e Kulturës, etj.
Saga 11-mujore e gjykimit
Rreth 11 muaj më parë në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit nisën punimet për zbatimin e projektit të shumëdiskutuar “Vela”, që më pas u njoh me emrin “Veliera”. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik.
Shoqëria civile, shumë e ndjeshme që në momentin e parë, e konsideroi zbulimin e mureve fortifikuese mesjetare, si një mundësi për ta bllokuar vazhdimin e punimeve dhe me kallëzimin penal të 2 shkurtit 2017 e paditi Bashkinë e Durrësit për “Ndërtim të paligjshëm”.
Një muaj më vonë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës. Megjithë ankimimin e Bashkisë së Durrësit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë gjeti mbështetjen e Gjykatës së Apelit, i cili e la në fuqi atë.
Për disa javë radhazi arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, me mbështetjen e Agjencisë së Shpëtimit Arkeologjik dhe Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës vijuan punimet për zbulimin e disa elementëve të rëndësishëm, mes të cilëve dy topa ushtarakë dhe rreth 40 gjyle të mesjetës së vonë, që shërbenin për mbrojtjen e qytetit.
Gjithçka u krye nën vështrimet kureshtare të qytetarëve dhe mediave, një rast i paprecedent në gërmimet e mëparshme, kur dëmtimet e objekteve arkeologjike kanë qenë të shumta.
Prof. as. Dr. Eduard Shehi, tha për BIRN se në raportin që iu drejtua Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, “rekomandimet nga ana e arkeologëve kanë qenë që gjithçka të ruhet dhe asgjë të mos hiqet nga vendi i vet”. Shehi shtoi se pas disa muaj studimesh të materialit arkeologjik tashmë është dërguar për botim një artikull, i cili, bazuar te rezultatet e gërmimeve, rimerr në trajtim të gjithë linjën fortifikuese juglindore të qytetit si dhe evolucionin e tyre kronologjik, duke dhënë vlerësime dhe datime krejtësisht të reja”.
Ndërkaq, me vendimin 144 të dt 31.07.2017 Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik u shpreh për “ruajtjen dhe integrimin e strukturave më përfaqësuese të zbulimit”, por pa harruar të nënvizojë “se do të miratojë projekt-propozimin për ndryshimin e projektit të rehabilimit në sheshin para hyrjes së portit”. Kjo pjesë e vendimit ka marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.
Ideja e bashkëjetesës së veprës arkitektonike me vlerë 6 milion USD me muret fortifikuese mesjetare dukej se po gjente mbështetjen e edhe të organizmave shkencore për trashëgiminë kulturore, pra edhe të Ministrisë së Kulturës. Ndërkaq proceset paralele gjyqësore bënin përpara me shumë ngadalësi. Më 29 shtator 2017, gjyqtari Petraq Çuri, në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, nuk e pranoi kërkesën e Bashkisë së Durrësit “për heqjen e sekuestros preventive” dhënë 6 muaj më parë. Vendimi i kundërt do t’i jepte mundësi investitorit të vijonte punimet edhe në zonën e zbulimit arkeologjik, me synim realizimin e plotë të projektit “Veliera”. Ndërkaq firma ndërtuese “Everest” ka vijuar punimet në të gjithë pjesën që del jashtë perimetrit të zonës së zbulimit arkeologjik.
Por në seancën e 29 shtatorit të kaluar, gjyqtari Çuri në të njëjtën kohë vlerësoi se “KKA dhe KKR kanë miratuar vetëm projekt-propozimin e Bashkisë, ndërsa para tyre nuk është paraqitur projekti i zbatimit, çka tregon se këto dy institucione shtetërore nuk janë serioze”.
Në vendimin e nënshkruar nga gjyqtari Petraq Çuri, të cilin BIRN e posedon, trajtohet edhe problematika e ngritjes së një grupi ekspertësh, kërkuar më parë edhe nga Prokuroria. Gjyqtari kërkoi edhe ekspertë të fushës së ndërtimit dhe të urbanistikës, të cilët së bashku me ata të arkeologjisë duhet të “përcaktojnë nëse kemi element të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës”.
Proceset gjyqësore në të dy gjykatat kanë ecur me ritme të ndryshme. Gjykata Administrative që nga maji I këtij viti bllokoi seancat e procesit të Velierës për shkak të mungesës së emrave të dy gjyqtarëve të tjerë, të cilët në kushtet e fillimit të Reformës në Drejtësi duhet të zgjidheshin nga Institucione të tjera, duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Seanca e mesditës së sotme ishte e para pas një vonese gati 6-mujore, por ajo nuk zgjatja e saj në pritje të vendimit të kolegëve të Gjykatës së Shkallës së parë, i la të pakënaqur përfaqësuesit e Shoqërisë civile.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile shprehen të shqetësuar për investimet e tjera që pritet të nisin në qytet. Sipas znj. Mirela Jorgo, projekti që pritet të zbatohet pranë sheshit të Mauzoleut të Dëshmorëve, mund të rrezikojë në të njëjtën mënyrë nëntokën arkeologjike të qytetit antik. Zbulimi i dyshemesë së një terme të periudhës romake në lulishten e Mauzoleut gjatë një sondazhi të verës së kaluar është tregues i pasurisë arkeologjike të zonës.