Lajm23 Sep 2020

Prokurorët e Hagës kritikojnë veteranët e luftës në Kosovë për rrjedhjen e dokumenteve

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë akuzoi Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për komprometim të drejtësisë pas rrjedhjes së tre pakove me dokumente të gjykatës, që pretendohet se kanë lidhje me raste krimesh lufte.

Autor: Xhorxhina Bami, Gjergj Erebara BIRN Prishtinë, Tiranë
Printo

Ndërtesa e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Foto: Europol.

Dhoma e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e cila po heton krimet e luftës dhe të pasluftës, tha të martën se Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pretendon të ketë marrë tre grupe dokumentesh të gjykatës, të rrjedhura këtë muaj, ka vepruar kundër interesave të drejtësisë.

Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së “në disa raste është angazhuar në aktivitete të cilat unë besoj se kanë për qëllim dëmtimin e administrimit të duhur të drejtësisë”, tha zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, në një deklaratë.

Deklarata erdhi pasi Organizata e Veteranëve të Luftës tha të martën i ishte dërguar në mënyrë anonime një grup i tretë dokumentesh që ajo pretendoi se janë nga e ashtuquajtura Gjykata Speciale.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se dokumentet përfshijnë disa padi që përmendin emra që nuk duhen bërë publik.

Gucati tha për KTV-në se Gjykata Speciale është e njëanshme kundër shqiptarëve të Kosovës dhe e akuzoi atë për paaftësi.

“Kjo gjykatë e ka humbur besueshmërinë në momentin që nga ajo dalin dokumente”, tha Gucati.

Që kur mori dokumentet e para të rrjedhura në fillim të shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës i ka bërë vazhdimisht thirrje mediave t’i të botojnë dokumentet, por deri më tani asnjë media në Kosovë nuk e ka bërë këtë.

Prokuroria e Specializuar ndërkohë përgëzoi gazetarët e Kosovës që kanë refuzuar t’i publikojnë dokumentet, “si edhe gazetarët e shumtë që na kanë siguruar vullnetarisht dokumentet që morën nga Shoqata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe pranuan publikisht se pjesëmarrja në shpërndarjen e një informacioni të tillë mund të ishte një krim sipas Kodit Penal të Kosovës”.

Por në Shqipërinë fqinje, stacioni televiziv Top Channel ka përgatitur një material që thotë se bazohet në një dosje konfidenciale prej 260 faqesh nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Top Channel pretendoi se dosja është “baza për ndërtimin e aktakuzës nga prokurori special” ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, politikanit kryesor Kadri Veseli dhe të tjerëve të akuzuar për krime lufte. Aktakuza e tyre nuk është konfirmuar nga një gjykatës dhe ata mohojnë çdo keqbërje.

Stacioni televiziv shqiptar ka premtuar se “nuk do të publikojë ndonjë emër ose detaj që identifikon dëshmitarët e prokurorisë speciale të përmendur në këtë dosje”.

Ai pretendoi që dosja ishte përpiluar në dhjetor 2019 dhe se “është një përmbledhje ekzekutive e rrethanave të krimeve të dyshuara”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

Ato priten të gjykojnë ish-luftëtarë të UÇK-së për krime që përfshijnë vrasje, torturë dhe ndalime të paligjshme gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.

Ato u krijuan nën presionin e madh të aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështje kaq të ndjeshme.

E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës që e shohin atë si një ofendim për luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.