Lajm11 Oct 2018

Prokurori Adnan Xholi përballet me Komisionin e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të enjten seancën dëgjimore të vetingut për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi, i cili udhëheq Drejtorinë e Hetimit dhe të Ndjekjes Penale.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Adnan Xholi, gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : Besar Likmeta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i udhëhequr nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, mbajti të enjten seancën dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi.

Prokurori Xholi ka një karrierë 21 vjeçare në radhët e Prokurorisë. Përpara se të emërohej në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2013, ai ka punuar në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Komisioni e ka ushtruar procesin e vetingut për subjektin për të tre kriteret e rivlerësimit, ku përfshihet pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi. Në këtë kontekst KPK ka administruar raportet e përgatitura nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas ILDKPKI subjekti ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare, nuk ka fshehje pasurie, nuk ka deklarim të rremë, dhe nuk ka konflikt interesi. DSIK ka konfirmuar se prokurori Xholi është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, ndërkohë që grupi i punës pranë Prokurorisë së Përgjithshme i ka dhënë një vlerësim me notën “shumë mirë” për sa i përket profesionalizmit.

Komisioni ka ndërmarrë një hetim të thelluar administrativ duke marrë në sitë pasuritë e deklaruara në deklaratën veting të vitit 2017, ku përfshihet një apartament 107 m2 në Tiranë me vlerë 50 mijë euro, një automjet Benz i vitit 2004 me vlerë 4 mijë euro, një tokë arë me sipërfaqe 22 mijë m2, me pronësi 1/8 dhe likuiditetet në banka dhe ‘cash’ me vlerë 2.5 milionë lekë.

Sipas KPK deklaratat e prokurorit Xholi në deklaratën veting për sa i përket apartamentit në Tiranë dhe automjetit përputhen me gjetjet e hetimit administrativ. Megjithatë, Komisioni nënvizoi se deklaratat për gjendjen cash dhe bankë ndër vite kishin pasaktësi, ndërsa analiza financiare kishte treguar gjithashtu diferenca negative, për të cilat subjektit i është kaluar barra e provës.

Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore, Prokurori Xholi vlerësoi hetimin e “KPK-së si të thellë dhe objektiv,” duke e përshkruar si një kontroll të “imtësishëm të jetës sime personale dhe familjare.” Ai bëri një rezyme të shkurtër të karrierës së tij duke nënvizuar se kishte përfaqësuar akuzën në gjyq kundër grupeve kriminale të rrezikshme dhe kishte sekuestruar miliona euro pasuri të të ashtuquajturave Banda e Lushnjës dhe Banka e Durrësit, si dhe të një kompanie bastesh nën ndikim të ‘Sacra Corona Unita” – mafia Puljeze.

Xholi tha se ishte dakord me gjetjen e KPK për sa i përket vlerësimit të pasurive të tij, por jo me analizën financiare për sa i përket likuiditeteve. Xholi i tha Komisionit se eksperti financiar i KPK-së nuk kishte marrë parasysh që disa nga udhëtimet e tij jashtë shtetit të përllogaritura si shpenzime kishin qenë të mbuluara financiarisht nga shteti ose nga familjarët e tij.

Ai dha shembullin e një udhëtimi në vitin 2005, për të cilin kishte udhëtuar në Xhenova të Italisë, për të përfaqësuar organin e akuzës në procesin e vrasjes të një shtetase shqiptare. Xholi shtoi se udhëtime të tjera në Paris, Sofje dhe Beograd kishin qëllime akademike dhe kostot ishin mbuluar nga universiteti ku ai jepte mësim ose organizatorët.

Më tej prokurori tha se Komisioni i kishte përllogaritur gabim pagesat e kësteve të kredisë pranë Raifeissen Bank në vitin 2005, pasi kjo kredi ishte marrë një vit më vonë.  Prokurori kundërshtoi dhe vlerën mesatare të kostos së jetesës të përdorur nga KPK në analizën financiare. Ai shtoi se një analizë financiare e përgatitur nga një ekspert i pavarur financiar, e cila është paraqitur si provë nga subjekti, arrinte në përfundimin se pasuria e tij neto justifikohej nga të ardhurat familjare.

Edhe pse seanca nuk ishte shumë e gjatë, gjatë fjalës së tij subjekti iu kërkua disa herë që t’i përmblidhte shkurt argumentet e tij, përpara se kryesuesja Bekteshi ta kërcënonte se ‘keni 5 minuta për ta mbyllur.”

Në fund të seancës Xholi kërkoi që të merreshin parasysh provat e paraqitura dhe të konfirmohej në detyrë. Vendimi i KPK-së për Prokurorin Xholi do të shpallet me datë 16 tetor 2016.