Profesori Ilir Ciko, i paditur penalisht nga kompania “Food Trade” për shpifje deklaroi se është detyrë e çdo qytetari të ngrejë zërin, ndërkohë që Prokuroria e klasifikoi komentin e tij si “qëndrim individual” dhe kërkoi pafajësi. Vendimi jepet më 25 korrik.
Gjatë seancës së zhvilluar të martën në Gjykatën e Tiranës, profesori Ilir Ciko deklaroi se “është detyrë e çdo qytetari të ngrejë zërin” për raste që cënojnë konsumatorin dhe kërkoi pafajësi ndaj padisë penale për shpifje të ngritur nga kompania “Food Trade”, që menaxhon rrjetin e supermarketeve Conad.
Ciko u padit nga kompania “Food Trade” për shkak të një komenti në Facebook, ku shkruante se një pako me kërpudha të blera në një nga supermarketet Conad në Tiranë kishte datë prodhimi në etiketën në shqip bashkë me çmimin, ndërsa poshtë saj, në etiketën italiane, data e skadencës ishte fshirë. Ciko ankohej edhe për çmimin më të lartë në lekë, në krahasim me atë të etiketës origjinale në euro.
Ciko dhe mbrojtësi i tij ligjor deklaruan para gjyqtarit Artan Gjermeni se nuk kishte asgjë personale apo të qëllimshme dhe se qëndrimi i tij ishte në interes të konsumatorit.
“Problemi për mua nuk ka qenë raporti i krijuar nga ky proces, por të zbulohet e vërteta nëse është ndryshuar ose jo etiketa,” pohoi Ciko para gjykatës.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe prokurori i çështjes, i cili kërkoi gjithashtu që Ilir Ciko të shpallej i pafajshëm. Prokurori shtoi se nuk rezultonte që i akuzuari të ketë pasur si qëllim dëmtimin e imazhit të kompanisë në fjalë.
“Nuk jemi para veprimeve të qëllimshme, por të një qëndrimi individual. Kërkojmë deklarimin e pafajshëm të të pandehurit,” tha përfaqësuesi i prokurorisë.
Në seancën e mëparshme, kompania që ngriti padinë pretendoi se nuk e ka hequr datën e mëparshme të skandencës, madje sipas saj, produktet e freskëta nuk mbajnë datë skandence. Duke shfrytëzuar nenin 120 të Kodit Penal –i përdorur rrallë që pas dekriminalizimit të shpifjes, kompania pretendoi se i është cenuar nderi dhe dinjiteti dhe se i akuzuari prej saj kishte konsumuar elementët e kundravajtjes penale të shpifjes.
Pasi u njoh edhe me qëndrimet e të paditurit dhe të prokurorisë, gjyqtari i çështjes, Artan Gjermeni vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit në datën 25 korrik, ora 12:45.