Lajm14 Jun 2019

Prokuroria e Kosovës “s’mund të rihapë çështjen e Vasfije Krasniqi Goodman”

Prokuroria tha se nuk kishte bazë ligjore për të rihapur rastin e Vasfije Krasniqit Goodman, e cila ishte një nga gratë e para në Kosovë që foli hapur për përdhunimin e saj gjatë luftës së 1998-1999.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Vasfije Krasniqi Goodman (në mes) në Babimoc të dielën. Foto: BIRN.

Prokurorja Speciale e Kosovës Drita Hajdari tha për BIRN të premten se ajo u përpoq të gjente një bazë ligjore për të rihapur rastin e Vasfije Krasniqit Goodman, por nuk pati sukses.

“Për të rihapur një rast, nevojiten prova të reja, por vetëm nëse ato janë në favor të të pandehurit, jo kundër tij,” tha ajo.

Në vitin 2014, Gjykata Supreme e Kosovës liroi dy ish-policë serbë të cilët u paditën për përdhunimin e Krasniqi Goodman.

Krasniqi Goodman ishte një nga gratë e para që tregoi publikisht se si ishte përdhunuar gjatë luftës, kur ishte 16 vjeçe.

Prokurorja Hajdari tha në programin televiziv të BIRN Kosovës “Jeta në Kosovë” në nëntor se ajo kishte nisur hetimet në këtë rast.

“Rasti i Vasfijes është rihapur. Vendosa të rihapja rastin e saj, por jo kundër autorëve, sepse procedurat kundër të dyve u mbyllën me vendim të formës së prerë,” tha Hajdari.

Ajo shpjegoi se një nga arsyet për rihapjen e rastit ishte se përdhunimi ishte përdorur si një “mjet lufte” nga forcat serbe.