Në një seancë maratonë prokurorët kërkuan dënimin e ish-ministrit të Brendshëm me 8 vjet heqje lirie për “trafik narkotikësh”, ndërkohë Saimir Tahiri e akuzoi prokurorinë për gënjeshtra dhe akuza të bazuara mbi hamendësime.
Në një seancë që zgjati plot 7 orë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës të martën të dënonte me 8 vjet burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe 8 vjet burg ish-drejtuesin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Prokurorët thanë se ishte provuar se Tahiri dhe Çela ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe se kishin ndihmuar vëllezërit Moisi e Florian Habilaj të trafikonin drogë në Italinë fqinje. Prokuroria përmendi konkretisht katër episode të trafikut të kanabisit, mes vjeshtës së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.
Pak pasi prokurorët kishin lexuar pretencën, shpesh herë duke nxituar dhe me zë që mbytej prej zhurmës monotone të kondicionerëve – duke mos frymëzuar besim mes përfaqësuesve të medias në sallë, fjalën e mori ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Ndryshe nga toni i prokurorëve, Tahiri vendosi një “flip-charter” mbi tavolinë dhe i kërkoi ndjesë disa herë trupit gjykues për tonin lartë që përdorte, duke u justifikuar me mënyrën e të folurit dhe faktin se për këtë çështje mund “të kërcente mbi tavolinë”, ndërsa e quajti akuzën gënjeshtër dhe prokurorët gënjeshtar.
Ai i akuzoi prokurorët se kishin fshehur me qëllim prova për të mbajtur në këmbë akuzën që ai tha ishte e ngritur mbi hamendësime. Tahiri pretendoi se akuza e ngritur ndaj tij duhej të rrëzohej dhe se ai duhej të shpallej i pafajshëm.
Me gjasë, seanca e parafundit e një prej çështjeve më të rëndësishme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u kthye shpesh në një platformë batutash dhe e shpotive larg thelbit të çështjes, ndërsa ish-ministri iu përgjigj me metafora dhe krahasime pretencës së shkruar kryesisht në një zhargon të ftohtë e burokratik nga prokurorët.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Ndërsa Tahiri ishte i zhurmshëm gjatë seancës, ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy policë të tjerë vendorë – Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Për këta dy të fundit u vendos pezullimi i shqyrtimit gjyqësor dhe ndarja e çështjes.
Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor 2019. Ata u arrestuan teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Pas arrestimit të tyre filloi edhe çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri në tetor 2017, pasi u gjet se në disa përgjime anëtarët e grupit “Habilaj”, përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. Ndërkohë prokuroria ka lidhur me këtë çështje edhe atë ndaj Taulant Haxhirajt e të tjerë të dënuarve tashmë për trafik narkotikësh.
Pretenca e prokurorisë
Gjyqi filloi me fjalën e prokurorëve. Fillimisht, prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi lexoi pjesën e parë të pretencës duke përshkruar detaje të dosjes. Prençi lexoi po ashtu një mori përgjimesh të personave të dënuar tashmë për trafik narkotikësh.
Kryesisht në përgjime trafikantët flisnin për marrje garancish apo për ndihmë nga oficerë të ndryshëm të policisë. Në një rast Prençi përmendi se një prej të akuzuarve, Taulant Haxhiraj i dënuar për trafik narkotikësh, i thoshte bashkëbiseduesit se “ende nuk e kishin marrë garancinë kushot e ministrit”.
Përgjimet të bëra publike edhe më herët si pjesë e dosjeve të tjera hetimore në Shqipëri dhe Itali, u dukën si prova kryesore e akuzës. Sipas prokurorëve, nga përgjimet, gjuha e përdorur mes të dyshuarve dhe kronologjia e drogës së trafikuar apo kultivuar, provohet se ata kishin garanci dhe se ndihmoheshin nga lart.
Prokuroria pretendon se në një rast policia preu 5 mijë bimë kanabisi në Vlorë, por pastaj u largua pa i asgjesuar dhe se trafikantët e morën produktin gjysmë të gatshëm. Episodi aludon se policia u përdor si krah pune nga grupi i trafikantëve.
Akuza u fokusua kryesisht të dëshmonte përmes përgjimeve të trafikantëve të ndryshëm lidhjet që këta kishin me oficerë të policisë.
Ndërkohë në pjesën e dytë që u lexua nga prokurori Arenc Çela, akuza u fokusua te provat dhe rrethanat që lidhin ish-Ministrin e Brendshëm me vëllezërit Moisi e Floirian Habilaj. Prokuroria përmendi në këtë rast përgjimet mes Moisi Habilajt dhe të vëllait Florianit në të cilat përmendet “shefi i madh”.
Po ashtu u ripërmendën përgjimet e realizuara nga anti-mafia italiane në të cilat Moisi Habilaj dhe partnerët e tij përmendin ish-ministrin e Brendshëm dhe po ashtu aludojnë për dhurata në bizhu për të afërmit e tij. Prokuroria përmendi dëshmitë e dy shitësve italianë dhe njëkohësisht edhe dy biseda të një personi të tretë, pjesë e grupit që i mburrej dikujt për afërsinë e Habilajve me ministrin.
Po ashtu prokuroria përmendi angazhimin e vëllezërve Habilaj në rregullimin e një skafi që ishte përdorur nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri për të shkuar me pushime. Prokuroria paraqiti si provë faktin se Moisi Habilaj ishte paraqitur në një prej pikave hyrëse në vend me dokumente të skafit ku emri i ish-ministrit ishte shënuar si kapiten dhe po ashtu rezultonte si personi që kishte paguar disa prej shpenzimeve të personave për rregullimin e skafit në Itali.
Sipas prokurorisë përgjimet dhe provat e tjera tregonin se mes palëve kishte pasur kontakt dhe njohje. Në fund Çela lexoi tre akuza për Tahirin, përfshirë atë të trafikimit të narkotikëve si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në tërësi për Tahirin dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela prokuroria kërkoi 12 vjet burg, të cilave u zbriten 4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Mbrojtja e Tahirit
Përndryshe nga pretenca, e cila herë-herë mezi dëgjohej në sallë, Tahiri duke vendosur një tabelë të madhe me data e shënime mbi tavolinën e mbrojtjes e bëri të qartë se donte të dëgjohej.
Ai që në fillim, duke luajtur me fjalët i akuzoi prokurorët si gënjeshtarë. Pavarësisht se gjykatësi Ardit Mustafaj i tërhoqi vëmendjen për gjuhën, ish-ministri sulmoi disa herë prokurorët përballë, duke përdorur epitete të ngjashme.
Mbrojtja e Tahirit u bazua kryesisht mbi atë që ai e cilësoi si inkoherencë në akuzë. Ai mori përsipër të justifikonte po ashtu dy ish-vartësit e tij, Jaeld Çelën dhe Gjergji Kohilën, duke vënë në dukje se asnjë prej tyre nuk kishte qenë në Vlorë si polic kur kishin ndodhur tre episodet e trafikut për të cilat prokuroria i akuzonte. (Çela ishte emëruar aty pak para episodit të katërt, ndërsa Kohila pas tij).
Duke akuzuar prokurorët për mungesë profesionalizmi dhe gabime që nuk do t’i bënin as “studentët e vitit të parë të juridikut”, Tahiri këmbënguli se ndaj tij nuk kishte asnjë provë dhe se prokuroria nuk ishte në gjendje të thoshte se cilat veprime kishte kryer ai për të ndihmuar grupin. Ai tha se prokuroria i kishte gjetur zero pasuri dhe zero kontakte me të dyshuarit.
Duke u përpjekur të rrëzojë akuzën e prokurorisë se Habilajt kishin qenë të përkëdhelur nga policia, Tahiri vuri në dukje dy referime ndaj tyre për “përdorim makine të vjedhur” dhe një për “heqje lirie”. Ai po ashtu referoi tre raste që sipas tij vëllezërit ishin ndaluar në kufi për kontroll të imtësishëm nga policia. “Nëse ata do ishin të mbrojtur nga ministri kush do guxonte t’i ndalonte për kontroll të imtësishëm”, tha ndër të tjera Tahiri.
Ai po ashtu vuri në dukje se dy oficerët e policisë të cilët akuzohen bashkë me të, i kishin referuar vëllezërit në Prokurorinë e Vlorës dhe në një rast te prokurori Dritan Prençi. “Ne duhet të jemi një grup i çuditshëm që punojmë si t’ia fusim njëri-tjetrit”, ironizoi Tahiri, duke thënë se po të përdoreshin të njëjtat hamendësime si ato të akuzës nuk kishte arsye pse prokurori të mos ishte bashkë me të pjesë e “grupit të strukturuar kriminal”.
Tahiri ndërkohë u përpoq të rrëzonte disa nga përgjimet mbi të cilat ngrihej akuza. Duke iu referuar njërës prej datave në të cilën përmendet “shefi i madh” në një bisedë mes vëllezërve Florian dhe Moisi Habilaj, Tahiri tha se kishte qenë në Bruksel dhe ironizioi se në këtë rast shefi i madh mund të ishte dikush mes tij, Klajda Gjoshës dhe komisionerit për zgjerim Stefan Füle.
Për një datë tjetër Tahiri iu referua regjistrit të hyrje-daljeve në ministri, duke thënë se kishte qenë gjatë gjithë kohës në takime me krerë të tjerë të vendit për shkak të situatës emergjente të krijuar nga arratisja e disa të dënuarve në burgun e Drenovës.
Tahiri nga ana tjetër akuzoi prokurorinë se nuk kishte kryer plotësisht punën e saj. Ai tha se prokurorët nuk e dinin se për cilin ministër flitej në përgjime, pasi personi që i përmendte “kushot e ministrit” nuk ishte pyetur. Ish-ministri shtoi se prokuroria nuk kishte qenë serioze as në kontrollin e shtëpisë së tij, duke thënë se ndërsa aty nuk gjetën byzylykun e pretenduar, nuk kishte bërë kontroll në shtëpinë e të ëmës (e cila po ashtu përmendej në përgjime), duke dëshmuar se nuk kishin pasur për qëllim të provonin akuzën.
Sipas tij letërporositë nga drejtësia italiane ishin cituar vetëm pjesërisht nga prokuroria edhe pse fakti i pretenduar në përgjime nuk ishte vërtetuar as në dyqanin e bizhuve dhe as në atë të kostumeve nga autoritet italiane.
Tahiri kundërshtoi po ashtu kontaktet me personat e tjerë të akuzuar përpos Jaeld Çelës. Ai tha se nuk ishte gjetur asnjë bisedë e tij telefonike me asnjë nga të dyshuarit, ndërsa tha se ai akuzohej vetëm se i kishte shitur makinën vëllait të dy të akuzuarve.
Jashtë sallës, përpara gazetarëve Tahiri këmbënguli se gjyqi ishte politik, ndërsa tha se do e bënte që e vërteta e tij të dëgjohej.