Nëntëmbëdhjetë persona janë akuzuar për abuzim me detyrën dhe përvetësim të pronave publike në bregdetin e Shëngjinit, përfshirë ish-drejtuesit më të lartë të bashkisë së Lezhës dhe të qarkut, në një skemë që shkonte përtej të majtës dhe të djathtës skenën politike vendore.
Ish-kryetari i djathtë të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe zëvendësi i tij Enver Hafizi dëgjuan pretencën e prokurorisë të Premten më 21 shkurt krahas Gjok Ndokës, ish-kryetar i Qarkut nga rradhët e Partisë Socialiste dhe shumë zyrtarë të tjerë të emëruar nga qeveria qendrore. Prokuroria i ka akuzuar ish-zyrtarët për veprat penale “falsifikim dokumentesh” e “shpërdorim detyre” në lidhje me transferimin e sipërfaqeve të mëdha të tokave publike në pronë private.
Prokurori Erjon Shehaj këroi në total 43.6 vite burg për të 19 të akuzuarit, ku për Gjok Ndokën kërkohet dënimi me 4 vjet ndërsa për Fran Frrokajn, 3 vjet. Për të akuzuarit e tjerë, të cilët janë zyrtarë të institucioneve të ndryshme, përfshirë hipotekat, u kërkuan dënime nga 2 deri në 4 vjet.
Që të gjithë u arrestuan në Mars të vitit 2018 në lidhje me skemat e tjetërsimit të afro 300 mijë metrave katrorë plazh në zonën e njohur si Rana e Hedhun. Sipas prokurorisë, skema e zyrtarëve konsistonte në hartimin e dokumenteve false të shpalljes së tokave tërheqëse bregdetare në toka bujqësore, shpërndarjen e tyre te banorë të zonës në bazë të ligjit 7501 “Për Tokën” dhe më pas tjetërsimin e tyre më tutje përmes kontratave fiktive.
Lexo më shumë:
Amnezi dhe falsifikime: Skema e tjetërsimit të pronave në Shëngjin
Prokuroria kërkoi në pretencë asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara ndërkohë që toka në fjalë është shpallur e sekuestruar. Të pandehurit, të cilët janë deklaruar në gjykatë të pafajshëm, pritet të japin konkluzionet finale për mbrojtjen më datë 11 mars. Ata janë aktualisht duke u ndjekur në gjendje të lirë