Paraditen e së premtes, aktivistë e anëtarë të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, së bashku me qytetarë dhe anëtarë të organizatave të shoqërisë civile u mblodhën përpara Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër dhunës së ushtruar nga policia bashkiake pak ditë më parë ndaj një të riu rom që punonte si kolektor individual i mbetjeve.
Nën thirrjet “jeni racista” dhe “hiqni kapelet”, apo “na lini të hamë”, qytetarë të komunitetit Rom dhe aktivistë u mblodhën sot përpara godinës së Bashkisë së Tiranës për të kërkuar pezullimin nga puna të policëve që ushtruan dhunë ndaj Hekuran Shaqirit – një i ri rom që punon si kolektor i mbetjeve të riciklueshme, fenomen i cili sipas tyre sa vjen e po shtohet dita-ditës.
Shaqiri shfaqet në një video duke u dhunuar dhe goditur nga dy efektive të policisë bashkiake në Tiranë, pranë një kazani mbetjesh, ndërsa ata kërkojnë ta fusin në makinë.
Bashkëshortja e Hekuranit, Trëndelina Shaqiri kujtoi se në mbrëmjen e 22 majit, rreth orës 20:30, ato po mblidhnin mbetje të riciklueshme pranë një kazani plehrash të lagjes së tyre. Ndërsa Trëndelina po i mbante thesin për t’a ndihmuar bashkëshortin, mbinë dy policë bashkiakë të cilët tentuan ta fusin me dhunë në makinë Hekuranin.
Lexo më shumë:
Aktivistët dhe qytetarët në mbrojtje të komunitetit Rom i bënë thirrje punonjësve të bashkisë t’i lënë të qetë këta familje pasi mbledhja e materialeve të riciklueshme është e vetmja mënyrë që ata kanë për të mbajtur frymën gjallë.
“As nuk e keni ndihmuar komunitetin…keni ndihmuar 10 familje, por keni lënë me qindra të tjerë pa bukë. Nëse nuk jeni në gjendje t’i ndihmoni atëherë i lini të punojnë, të mbajnë shtëpitë e tyre me bukë. Stop dhunës!”, u shpreh i revoltuar Fatmir Zyberi, nga zyra për Advokim Social.
Aktivistja Romina Sefa tha se nuk mund të vazhdohet më kështu edhe për gjatë, pasi dhuna nga autoritetet ndaj shtresave të margjinalizuara po bëhet rrugë.
“Të varfëritë këtu po shtypen përditë dhe nuk do na bëjë më përshtypje as dhuna që po ushtrohet ndaj këtyre familjeve nëse vazhdohet kështu… kjo është e papranueshme”, reagoi ajo.
Të njëjtin mendim ndau edhe juristi Gentian Sejrani, i cili u shpreh për mediat se kryetari i bashkisë Erion Veliaj duhet të kërkojë falje për këtë akt të punonjësve të tij dhe t’i pezullojë ato nga detyra.
“Dhuna fillon gjithmonë ndaj të varfërve, fillimisht shtëpiat i prishen romëve dhe egjiptianëve, pastaj një ditë mund të kalojnë tek ju,” paralajmëroi Serjani gjatë protestës së sotshme, duke iu bërë thirrje qytetarëve për reagim.