Dhjetra të rinj marshuan në Korçë në një protestë pas vrasjes së Klodian Rashës. Protestuesit u hodhën gurë drejt bashkisë dhe punonjësve të policisë. Policia njoftoi se katër efektivë u lënduan.
Të rinjtë në Korçë protestuan para Drejtorisë së Policisë ndërsa marshuan përgjatë bulevardit kryesor të qytetit me pankarta në duar, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. Protesta ishte fillimisht paqësore dhe të rinjtë mbajtën një minutë heshtje e ndezën qirinj para Katedrales së Korçës, por kur kaluan para Bashkisë së Korçës protestuesit qëlluan me gurë drejt punonjësve të policisë dhe xhamave të bashkisë si edhe u vunë flakën pemëve dekorative në Zonën Këmbësore.
Pjesë e protestës së paralajmëruar për të qenë paqësore nga Forumi Rinor i PD në Korçë u bënë rreth 150 të rinj, por edhe qytetarë të tjerë, që marshuan me pankarta ku shkruhej “Unë jam Klodiani” dhe “Lleshaj Dorëhiqu”. Fillimisht ata qëndruan përpara Drejtorisë së Policisë për disa minuta.
Më pas ata mbajtën një minutë heshtje para Katedrales së Korçës për Klodian Rashën. Por në fund të ndalesës së tyre para bashkisë ata nisën të qëllojnë me gurë. Menjëherë forca policie të shtuara mbërritën në zonë dhe ndërhynë për të shpërndarë protestën. Policia raportoi për katër punonjës të saj të lënduar nga goditjet me gurë.
Policia e Korçës bëri me dije se janë shoqëruar disa persona për organizim të paligjshëm të tubimit dhe prishje të pronës publike ndërsa priten shoqërime të tjera të personave që do të identifikohen nga pamjet filmike. Protesta të ngajshme pati në disa qytete.