Analize21 Mar 2019

Raportet e DSIK për “krim dhe korrupsion” u përjashtuan nga vetingu

Vendimet e trupave të vetingut për t’i mbyllur hetimet vetëm mbi kriterin e pasurisë mënjanuan nga shqyrtimi gjyqësor një duzinë raportimesh për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar-praktikë kjo e kritikuar nga ekspertët e reformës në drejtësi.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Një duzinë raportesh të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, të cilat hedhin dritë mbi kompromentimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve u mënjanuan nga debati gjyqësor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit-praktikë kjo e kritikuar nga ekspertë dhe monitorues të procesit të vetingut në Shqipëri.

Raportet reflektojnë informacione të agjencive të inteligjencës për raste të dyshuara korruptive apo kontakte të papërshtatshme me personazhe të krimit të organizuar, por mbetën jashtë procesit për shkak të vendimeve të KPK-së për t’i mbyllur hetimet kryesisht mbi kriterin e pasurisë.

Në shtator 2018 dhe janar 2019, DSIK deklasifikoi pjesërisht ose plotësisht dhjetra raporte të subjekteve të rivlerësimit, mes të cilave edhe vlerësime të “pastërtisë së figurës” për gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë përballur ende me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Përmes kërkesave për të drejtë informimi, BIRN siguroi 25 raporte “papërshtatshmërie” të DSIK-së, të cilat u përkasin subjekteve që e kanë përfunduar procesin në shkallë të parë.  Dokumentet tregojnë se ndërsa 14 raporte u bënë pjesë e seancave dëgjimore dhe u reflektuan në vendimet e KPK-së, 11 raste të tjera u lanë në hije për shkak të vendimeve për të mos e bërë kriterin e “pastërtisë së figurës” pjesë të vendimarrjes.

Raportet për epidose të dyshuara korruptive apo lidhjet me elementë të krimit rëndojnë mbi 5 kryetarë gjykatash, një gjyqtar dhe tre prokurorë, të cilët ngecën në rrjetën e vetingut për shkak të dështimit në dy kritere të tjera. Pjesë e listës “së zezë” të DSIK-së u bënë edhe dy ish-zyrtarë të lartë të drejtësisë, të cilët u larguan me dorëheqje përpara fillimit të procesit.

Procesi i vetingut u projektua mbi tre shtylla për vlerësime gjithëpërfshirëse të zyrtarëve të drejtësisë, por deri më tani është mbështetur kryesisht pas verifikimit pasuror, i cili është testuar si mekanizmi më efikas i komisionerëve. Mbi 90 % e rasteve të shkarkimit u motivuan me pasurinë e pajustifikuar, ndërkohë që vlerësimi i figurës dhe i aftësive profesionale vazhdon të mbetet në kuota të ulëta.

Raportet e deklasifikuara  

Procesi i vetingut nisi zyrtarisht në shkurt të vitit 2018 dhe numëron 111 vendime, 17 prej të cilave u përkasin zyrtarëve të larguar me dorëheqje. Përgjatë një viti, trupat gjyqësore të KPK-së kanë konfirmuar në detyrë 48 subjekte, kanë shkarkuar nga detyra 46 të tjerë, ndërkohë që 18 raste janë apeluar nga ONM apo Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Përgjatë procesit, trupat e vetingut u furnizuan me informacione nga institucionet ndihmëse, mes të cilave është edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se një pjesë e raporteve të DSIK-së mbetën në sirtarët e Komisionit dhe nuk u verifikuan gjatë procesit, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e hetimeve të kryera.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se DSIK ka servirur informacione për përfshirje të dyshuar në korrupsion apo kontakte të papërshtatshme për kryetarët e Gjykatave të Apelit të Vlorës dhe të Durrësit, Alma Liçaj dhe Petrit Çeno.

Liçaj u shkarkua nga KPK më 15 nëntor 2018 për problemet me pasurinë, ndërsa Petrit Çeno u shkarkua më 27 shkurt 2019, sërish për të njëjtin kriter.

DSIK i ka konsideruar gjithashtu “të papërshtatshëm” edhe kryetarin e Gjykatës së Beratit, Agron Vavla, atë të Shkodrës, Arben Zefi si dhe kryetarin e Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni.

Vavla dhe Zefi u shkarkuan për problemet me pasurinë, ndërsa Alfred Gjoni humbi vendin e punës edhe për shkak të mangësive profesionale.

Një tjetër gjyqtar i dyshuar për përfshirje në korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës nga DSIK është edhe Besim Trezhnjeva. Ish-kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Trezhnjeva ishte ndër të parët gjyqtarë që iu nënshtrua vetingut vetëm për kriterin e pasurisë dhe u penalizua për këtë.

Në radhët e prokurorisë, DSIK ka konsideruar të papërshtatshëm Luan Kaloçin, Rovena Gashin dhe prokuroren e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani. Sipas raporteve të analizuara nga BIRN, DSIK ka ngritur dyshime për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe kontakte me persona të krimit të organizuar për ish-prokurorin Kaloçi, ndërsa për prokuroren Nikëhasani thuhet se është evidentuar “një rast i mundshëm i përfshirjes në korrupsion pasiv”.

Ndryshe nga dy prokurorët e mësipërm, DSIK deklaron se nuk disponon informacione të kësaj natyre për ish-drejtoreshën e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi. Megjithatë, raporti për të ka qenë gjithashtu negativ për shkak të informacioneve të administruara në emër të bashkëshortit të saj si “person i lidhur”.

Raportet e DSIK-së ngrejnë dyshime edhe për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, të cilët u larguan nga sistemi përmes dorëheqjeve, duke i kursyer vetes përballjen me vetingun.

Sipas raporteve respektive, Llalla u konsiderua i papërshtatshëm për shkak të transaksioneve të tij të pasurisë me persona me precedentë, ndërsa Imeraj dyshohet të ketë patur kontakte me persona të krimit të organizuar.

Emrat e këtyre kontakteve mbeten të klasifikuara “sekret” dhe të fshira me të zezë në raportet e siguruara nga BIRN.

Nënvlerësimi i figurës

Ekspertë dhe monitorues të procesit të vetingut në Shqipëri e shpjegojnë dominimin absolut të verifikimit pasuror me presionin e lartë publik për rezultate të shpejta, po aq sa me cilësitë e diskutueshme të komisionerëve për të kryer verifikime të thelluara në kriterin e figurës dhe atë të aftësive profesionale.

Megjithatë, ata theksojnë se përjashtimi i raporteve të DSIK-së nga debati gjyqësor krijon një tjetër hendek në besimin e publikut si dhe hapësira për subjektivizëm në vendimmarrjen e trupave të vetingut.

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit i tha BIRN se nisur nga ecuria e procesit, kalimi i barrës së provës për “pastërtinë e figurës” dhe “aftësitë profesionale” është testuar më i vështirë se sa ai për pasurinë.

“Kriteri i figurës dhe i aftësisë profesionale kërkon një nivel shumë të lartë profesionalizmi si në radhët e trupave gjykues, dhe në radhët e personelit mbështetës të këtyre trupave për të respektuar parimin e ligjshmërisë në arritjen e nivelit të provueshmërisë për këto dy kritere,” tha Skëndaj për BIRN.

“Në vlerësimin tim, trupat gjykuese duhet të jenë më konsistente në mënyrën se si e zhvillojnë procedurën e shqyrtimit gjyqësor, duke bërë transparente për publikun për çdo rast se përse raportet e DSIK nuk i nënshtrohen debatit gjyqësor me subjektet në seancë dhe rrjedhimisht nuk i nënshtrohen edhe shqyrtimit gjyqësor,” shtoi ajo.

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi e cilëson mungesën e verifikimeve të thelluara për dy kriteret e tjera, pjesë të hendekut ekzistues mes pritshmërive dhe rezultateve të vetingut.

“Vetingu ka pasur në thelbin e tij komponentë shumë më të rëndësishëm dhe më thelbësorë sesa thjesht justifikimi pasuror, – integriteti, aftësia, karriera, kurajo dhe kualifikimi, – elementë që duhej t’i jepnin sistemit të ri mbështetje afatgjatë publike,” tha Krasniqi.

“Mungesa e tyre vetëm sa e dobëson procesin dhe besimin,” shtoi ai.

Ekspertët e intervistuar nga BIRN i konsiderojnë transparencën dhe besimin e publikut si elementë tepër të rëndësishëm për këtë proces dhe bëjnë thirrje për qartësi dhe konsistencë në vendimet e trupave të vetingut.

“Në jurisprudencën e deritanishme, ka munguar elaborimi i një linje të qartë dhe konsistente se kur raportet e DSIK do t’i shmangen këtij debati dhe kur do të bëhen publike (plotësisht apo pjesërisht). Në këtë këndvështrim mund të afektohet besimi i publikut në këtë proces,” argumentoi Skëndaj.

Ndërkohë që Krasniqi mendon se pas rënies së disa “të paprekshmëve”, publiku ka filluar të kërkojë më shumë nga procesi, mes të cilave edhe hetime pasurore dhe përballje me ligjin.

“Tek e fundit reforma në drejtësi ka vlerë nëse ofron drejtësinë e munguar, jo thjesht se ikin ca dhe vijnë ca të tjerë. Deri tani ka ndodhur kjo e fundit, dhe drejtësia e premtuar vijon të jetë drejtësi e munguar,” përfundoi Krasniqi.