Analize1 Oct 2021

Resorte ose kampe refugjatësh: Afganët priten ndryshe në tre vendet e Ballkanit

Disa nga qindra refugjatë afganë, të cilëve iu dha strehim i përkohshëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, janë sistemuar në resorte, ndërsa të tjerë kanë përfunduar në kampe të izoluara, të kontrolluara nga ushtria.

Autor: Fjori Sinoruka, Xhorxhina Bami, Sinisa Jakov Marusic BIRN Tiranë, Prishtinë, Shkup
Printo

Refugjatët afganë pasi mbërritën në Rinas. Foto: Malton Dibra/ LSA

Kur trupat amerikane dhe perëndimore u tërhoqën nga Afganistani në gusht dhe mijëra civilë afganë, jeta e të cilëve ishte nën kërcënim, u evakuuan, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut dolën para duke ofruar strehim të përkohshëm.

Secili vend ra dakord të pranojë disa refugjatë dhe të kujdeset për ta për një periudhë të përkohshme derisa SHBA-ja dhe vendet e tjera të miratojnë udhëtimin e tyre drejt strehimit të përhershëm në Perëndim. Shqipëria aktualisht po strehon rreth 700 afganë, Kosova ka pothuajse 1,000 dhe Maqedonia e Veriut ka siguruar strehim për rreth 200.

Disa prej tyre duket se kanë qenë relativisht me fat pasi u sistemuan nëpër resorte të mira në bregdetin Adriatik të Shqipërisë ose në hotele të ngjashme në Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu morën oferta të konsiderueshme ndihme nga aktivistë dhe gëzojnë një liri relative lëvizjeje ndërsa presin që kredenciale të tyre të kontrollohen në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë udhëtimin e tyre.

Por të tjerë, kryesisht në Kosovë, nuk ishin aq me fat. Ata u vendosën në kampe të izoluara, ku mediat nuk kanë akses, dhe mungesa e informacionit në lidhje me gjendjen e tyre ka bërë që disa organizata të të drejtave të njeriut të ngrenë shqetësime për mirëqenien e tyre dhe të drejtat themelore të njeriut.

Paketat kujdesi dhe kompjuterë

Refugjatë afganë buzë detit në Shëngjin. Foto:Elvis Hila

Kur fluturimet e para me refugjatë afganë mbërritën në Shqipëri në fillim të gushtit, kryeministri shqiptar Edi Rama ishte i bindur se vendi i tij nuk do t’i sistemonte ata në kampe refugjatësh dhe se autoritetet do të siguroheshin që njerëzit që kishin vuajtur mjaft do të priteshin në një mënyrë më dinjitoze.

Në përputhje me premtimin e Ramës, shumica e 700 refugjatëve që u dërguan në Shqipëri janë sistemuar në resorte përgjatë bregdetit Adriatik, kryesisht në qytetin e Lezhës.

Pakot ndihmë të mirëseardhjes janë përgatitur me gjërat më të nevojshme bazike për të porsaardhurit, ekipe punonjësish humanitarë që ofronin ndihmë mjekësore dhe psikologjike ishin në dispozicion, dhe pak kohë më parë, disa gazetarë u lejuan të dëshmonin se si refugjatët ishin të lirë të përziheshin me klientët e tjerë të hotelit në plazh dhe në pishinën e hotelit.

Afganëve në Shqipëri u është dhënë statusi i “mbrojtjes së përkohshme” për një vit, me mundësinë e zgjatjes nëse është e nevojshme.

Ndërsa të drejtat e tyre, përfshirë liria e lëvizjes, janë të garantuara sipas Ligjit Shqiptar për Azil, autoritetet megjithatë kanë rezervuar të drejtën për të kufizuar lirinë e lëvizjes së individëve të veçantë “nëse konsiderohet e nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast”, tha qeveria shqiptare në gusht.

Maqedonia e Veriut ka ndjekur një qasje të ngjashme.

Për shkak se refugjatët afganë që Maqedonia e Veriut ka pranuar janë kryesisht njerëz që punonin për organizata ndërkombëtare ose që ndihmuan forcat ushtarake perëndimore, ata u konsideruan si një rrezik i ulët sigurie dhe autoritetet u dhanë atyre statusin e azilit të përkohshëm, i cili zgjat 90 ditë, gjithashtu me një mundësi për ta zgjatur më shumë këtë periudhë.

“Këta njerëz janë kryesisht aplikantë për viza amerikane që presin miratimin e vizave të tyre. Ata kanë punuar për NATO-n ose janë punonjës OJQ-sh të njohura ndërkombëtare të cilët u larguan bashkë me familjet e tyre”, tha për BIRN zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dusko Arsovski.

“Pra, ndërsa policia dhe autoritetet në përgjithësi po bëjnë punën e tyre për të garantuar sigurinë, ata nuk konsiderohen si një rrezik i lartë për vendin”, tha Arsovski.

Ashtu si në Shqipëri, autoritetet e Maqedonisë së Veriut gjithashtu kanë rezervuar të drejtën për të kufizuar lëvizjen e individëve të veçantë, nëse e konsiderojnë të nevojshme.

Grupi i parë dhe më i madh i refugjatëve që arritën në Maqedoninë e Veriut, rreth 150 afganë, u vendosën në hotelin resort Bellevue, i cili ndodhet në daljen lindore të kryeqytetit Shkup.

Pako ndihmash, ndihmë mjekësore dhe psikologjike, një sallë lojërash për fëmijë dhe një qendër informacioni e pajisur me kompjuter dhe internet, si dhe broshura për vendin dhe kryeqytetin, u siguruan, kryesisht nga Kryqi i Kuq.

Ndërmarrja e transportit të qytetit, JSP, ra dakord të vërë në dispozicion autobusë për dhe nga resorti dy herë në ditë, në mënyrë që refugjatët të mund të bëjnë udhëtime në qytet, tha për BIRN Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq në Shkup.

Që nga mbërritja e tyre, Kryqi i Kuq ka ofruar pjesën më të madhe të mbështetjes logjistike për refugjatët, me një ekip prej rreth 30 vullnetarësh.

“Refugjatët, të cilët shpesh mbetën sendet e tyre personale me bazike, më shpesh kërkojnë gjëra të thjeshta për ta bërë më të lehtë qëndrimin e tyre”, shpjegoi Tuneva Paunovska, duke shtuar se Kryqi i Kuq po punon gjithashtu për të siguruar një arsim joformal, duke përfshirë kurse të gjuhëve të huaja.

Ajo tha se ndërsa refugjatët janë përgjithësisht të shëndetshëm, me përjashtim të atyre që kanë nevojë për terapi për shkak të diabetit ose tensionit, përshtatja pas sprovës që kaluan nuk është gjithmonë e lehtë.

“Kemi pasur një të ti që kërkonte ndihmë psikologjike, të cilën ne e siguruam. Në Shkup kemi pasur lindjen e një fëmije dhe katër gra të tjera janë shtatzënë, kështu që ato kërkojnë kujdes të veçantë”, tha ajo.

Edhe pse mediat e kanë të ndaluar të vizitojnë vendet ku jetojnë refugjatët, organizatat e të drejtave të njeriut që i kanë vizituar thonë se deri më tani nuk kanë vërejtur ndonjë shenjë shkeljeje të të drejtave të njeriut.

“Kemi vizituar refugjatët në hotelin Bellevue pranë Shkupit dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë statusin e tyre gjatë qëndrimit të tyre këtu. Deri më tani, nuk kemi parë apo marrë ndonjë ankesë që do të sugjeronte se të drejtat e njeriut të refugjatëve po kërcënohen”, tha për BIRN Uranija Pirovska, kreu i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut.

Pirovska tha se ndërsa siguria e policisë është e dukshme, liria e lëvizjes së njerëzve nuk është e kufizuar.

“Në fakt, ne kemi një refugjat, një person homoseksual, të strehuar në strehën tonë LGBT, dhe ai gjithashtu gëzon lirinë e lëvizjes dhe të gjithë mbështetjen që ne mund të ofrojmë”, shtoi ajo.

Pikëpyetje në lidhje me kampet e Kosovës

Grupi i parë i afganëve të mbërritur në Prishtinë.

Kushtet në të cilat refugjatët afganë po jetojnë në Kosovën fqinje janë shumë më pak të qarta dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për mungesën e informacionit në lidhje me kontingjentin prej rreth 1,000 afganësh që janë strehuar atje.

Qeveria e Kosovës u dha statusin e mbrojtjes së përkohshme afganëve që mbërritën në gusht, status i cili i jep atyre të drejta të përcaktuara qartë, të tilla si e drejta për arsimim, kujdes shëndetësor dhe liri të lëvizjes.

Por pas mbërritjes, refugjatët u vendosën në dy kampe të referuara si Bechtel dhe Liya, i pari i drejtuar nga Komanda Ndërkombëtare e NATO-s dhe i dyti i vendosur brenda bazës ushtarake Bondsteel, e cila drejtohet nga forcat amerikane.

Vazhdojnë pyetjet pa përgjigje në lidhje me përfshirjen e Kosovës në kujdesin për refugjatët dhe gazetarët deri më tani nuk janë lejuar të vizitojnë të dy kampet për të parë kushtet në të cilat ata jetojnë.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme e Kosovës deri më tani kanë dhënë vetëm informacion të pakët dhe nuk u përgjigjën deri në kohën e publikimit të artikullit kërkesës së BIRN që ata të shpjegojnë situatën në kampe.

Megjithatë, Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla dha disa detaje gjatë një konference për shtyp të kohëve të fundit. Kur u pyet për lirinë e lëvizjes të evakuuarve, Svecla tha “lëvizja jashtë kampit do të organizohet vetëm nëse është e nevojshme”, duke cituar ato që ai tha se ishin shqetësime të sigurisë.

Kryqi i Kuq në Kosovë tha për BIRN se nuk i është kërkuar të ndihmojë refugjatët. As agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, apo Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Të dy kanë thënë për mediat kosovare se ata janë ende në pritje të një kërkese zyrtare nga autoritetet e Kosovës për t’u përfshirë.

Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin dhe BE-në për Amnesty International, tha se mungesa e informacionit mbi statusin e objekteve ose menaxhimit të kampit e bën të vështirë monitorimin e çdo shkelje të mundshme.

“Në rrethana normale, statusi i mbrojtjes së përkohshme do t’u garantonte njerëzve liri të plotë të lëvizjes në territorin e Kosovës, ushqim, veshmbathje, qasje në shëndetësi dhe arsim dhe një sërë shërbimesh të tjera mbështetëse”, tha Sesar për faqen e internetit Kosovo 2.0 më 16 shtator.

“Ky nuk duket të jetë rasti këtu. Shtetasit afganë në Bechtel-Enka dhe Bondsteel nuk lejohen të dalin jashtë dhe mediat dhe organizatat humanitare nuk duket se kanë qasje në kampe”, shtoi ajo.

Sesar tha se nëse refugjatët do të qëndrojnë në kampe derisa lejet e tyre të veçanta të emigrantit ose azilit të miratohen nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera perëndimore, autoritetet e Kosovës duhet të “marrin përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e kampeve”.

“Nëse qasja aktuale nuk ndryshon, këta njerëz do t’i nënshtrohen paraburgimit të pacaktuar dhe de facto, i cili do të ishte në kundërshtim me ligjin e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo.

Duke pritur Perëndimin

Dy vajza afgane ecin në rrygën kryesore të Qytetit Studenti, Tiranë. Foto: Malton Dibra/ LSA

Ndërsa kushtet e jetesës për refugjatët afganë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mund të ndryshojnë, një gjë që ata kanë të përbashkët është se të dhënat e tyre po verifikohen tërësisht, ndërsa presin që të miratohet aplikimet për rezidencë në SHBA ose kërkesat e tyre speciale për azil.

“Njerëzit mendojnë se statusi i refugjatit është një prapavijë për të hyrë në SHBA, por statusi i refugjatit është gjëja e fundit që do të donit të kalonit, sepse ai është një procesi më rigoroz dhe i plotë verifikimi që ekziston”, tha Stephanie Nawyn, një sociologe në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, e cila studion politikën e refugjatëve.

Autoritetet në tre vendet e Ballkanit kanë thënë se kanë marrë garanci nga autoritetet amerikane se ata po e përshpejtojnë procesin dhe kanë konfirmuar se zyrtarët amerikanë janë tashmë në terren duke bërë kontrolle.

Por Departamenti Amerikan i Shtetit sqaroi kohët e fundit se refugjatët afganë duhet t’i nënshtrohen një procesi kontrolli sigurie në dy hapa të kryer nga zyrtarë kundër terrorizmit, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Në rastin e afganëve që janë dërguar përkohësisht në vendet e treta, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, procesi i shqyrtimit të tyre është në vazhdim.

Ambasada amerikane në Kosovë kohët e fundit deklaroi se e gjithë procedura atje mund të zgjasë deri në një vit.

“Zyrtarët amerikanë në Kosovë po ndihmojnë në përpunimin e aplikantëve që mund të kenë nevojë për dokumente shtesë për të sqaruar identitetin e aplikantit, historinë e punësimit ose lidhjet e tjera me Shtetet e Bashkuara”, tha ambasada amerikane.

Megjithatë, ambasada gjithashtu vuri në dukje se “individëve mund t’u lejohet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara më shpejt pasi ky proces të ketë përfunduar”.

Ndërsa autoritetet amerikane kanë thënë se të gjithë atyre që po u ofrohet strehim i përkohshëm kanë të drejtë të aplikojnë për të shkuar në SHBA, mbetet e paqartë se çfarë mund të ndodhë me afganët që refuzohen gjatë procesit të verifikimit dhe nëse ata do të përfundojnë duke ngecur në vendet e tyre tranzit apo nëse do të kthehen në Afganistan.

Të tre shtetet e Ballkanit që kanë pranuar refugjatë kanë thënë se qëndrimet e tyre mund të jenë vetëm të përkohshme, siç përsëriti zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Arsovski.

“Ne nuk po mendojmë t’u japim qëndrim të përhershëm apo azil këtyre njerëzve, pasi ata thjesht kalimthi në vendin tonë”, këmbënguli ai.