Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër raportojnë për një rigjallërim të jetës së egër në plazhin e Velipojës dhe në Alpe, ku janë shfaqur delfinë, yje deti dhe rrëqebuj.
Ndryshimet klimaterike dhe moratoriumi i gjuetisë duket se kanë sjellë një rigjallërim të jetës së egër në zonën e Shkodrës, ku Administrata e Zonave të Mbrojtura raporton shfaqjen e një sërë speciesh të rralla në det dhe në Alpe.
Agim Dardha, drejtues i AdZM në Shkodër thotë se në Velipojë ka pasur shfaqje të delfinëve, breshkave të ujit dhe yje të rrallë deti, ndërsa kamerat e vendosura në Alpe kanë fotografuar shtim të dhive të egra, kaproj si dhe rrëqebullin.
Shfaqe të ngjashme të jetës së egër u regjistruan edhe në Ballkan, ku një balenë u vu re pranë një ishulli Kroat, ndërsa pamjet e delfinëve në Adriatik u bënë virale.
Por delfini që u gjet në Velipojë nuk ishte aq me fat. Gjitari i detit, i cili është banor i Adriatikut, por me një popullsi në rënie kryesisht për shkak të gjuetisë së pakontrolluar, u gjet i ngordhur në bregdet. Ai ishte dëmtuar nga helika e një peshkarexhe.
“Delfini ka veti që lëviz në ujë paralelisht me mjetin lundrues apo dhe njeriun që noton. Kjo nuk dihet nga të gjithë peshkatarët dhe kështu ndodh dhe dëmtimi i tyre,” tha Dardha.
Ai shpjegon se shfaqja e këtyre gjallesave lidhet kryesisht me temperaturat e ujit që janë rritur. Sipas tij, këto specie janë shumë të rralla për ujërat e Adriatikut në veri, ndërsa janë shfaqur këto ditë në lagunën e Vilunit.
“Nga peshkatarët janë gjetur breshka uji, që ne i kemi dërguar në qendrën e rehabilitimit në Vlorë, por edhe peshkaqenë e yll deti,” shton Dardha.
Elvin Sala, specialist në AdZM Shkodër shprehet se gjallesat e rralla ujore të shfaqura gjatë dy muajve të fundit në zonën ujore të Shkodrës janë ndeshur në thellësi 2-9 m. “Në kufirin me Malin e Zi janë shfaqur 4 delfinë,” thotë Sala, ndërsa apelon për kujdes nga peshkatarët. “Ata dëmtohen nga rrjetat e peshkatarëve dhe varkat e peshkimit,” shton ai.
Kafshë të rralla janë shfaqur dhe në zonat malore të Shkodrës. Sipas Agim Dardhës, në zonën e Munellës, por dhe në Theth e Toplanë janë parë jo vetëm kafshët e egra që janë të zakonshme në këto zona si dhie e egër, derri i egër, ariu e ujku, por dhe kaprolli që është shumë i rrallë.
“Ka një shtim të dhisë së egër, ndërsa është shfaqur e rrëqebulli i Ballkanit. Këto janë të filmuara nga kamerat kurth që i kemi të vendosura në këto zona”, thotë Dardha, i cili thotë se meritë për këtë ka moratoriumi i ndalimit të gjuetisë në territor brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura.
“Kafsha lëviz dhe nuk e di se ku është zona e mbrojtur apo jo, por gjuetia e paligjshme i ka dëmtuar. Këtu ka ndikuar dhe fakti se nuk ka një institucion përgjegjës për të garantuar zbatimin e moratoriumit dhe ruajtur këto territore,” thotë Dardha. Ai shton se Policia e Shtetit ka ndërhyrë kur ka pasur sinjalizime, por ajo e ka të vështirë të kontrollojë territorin malor dhe ujor për shkak të ngarkesave të tjera. Vetë AdZM sipas Dardhës ka tagër vetëm monitorimin dhe nuk mund të bëjë më shumë.
Një shtim i jetës së egër në zonën malore është dokumentuar edhe në pyje të tjera në vend. AdZM Elbasan dhe Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) fiksuan në kamerat kurth në mes të prillit një familje të rrëqebulli të Ballkanit në zonën e Malit të Polisit dhe Gurit të Zi në qarkun e Elbasanit.
Me fat kanë qenë edhe vrojtuesit e zogjve. Një çift i Kalit të Qyqes, që folezon në Vjosë, u rikthye këtë pranverë. Po ashtu për shkak të ndalimit të lëvizjes zogjtë shtegtarë në laguna apo në Divjakë kanë pasur një pranverë të qetë, ndërsa sepcialistët kanë vërejtur numra të shtuar të flamingove rozë, pelikanit kaçurrel dhe një sërë llojesh të tjera.