Vendimi i qeveverisë për të rihapur kufijtë ka sjellë radhë dhe paqartësi në kufi me Kosovën, ndërsa udhëtarët janë përballur me urdhëzime kontradiktore që më pas janë ndryshuar.
Prej mesnatës së të dielës kufiri Shqipëri-Kosovë është rihapur pas dy muaj e gjysëm mbyllje. Por rihapja nuk ka qenë e lehtë ndërsa qoftë policia, qoftë udhëtarët janë përballur me urdhëzime jo të qarta mbi vetëizolimin dhe dizinfektimin.
Paqartësitë dhe një tarifë deri në 22 euro për mjetet që kalonin kufirin drejt Kosovës shkaktuan protestë të shoferëve të mauneve, por disa orë më vonë qeveria e Kosovës hoqi tarifën për dezinfektimin dhe po ashtu sqaroi se udhëtarët nga Shqipëria nuk kishin detyrim vetëizolimin, duke normalizuar situatën.
Reagimet ndërkohë risollën në skenë përplasjen e muajve të fundit mes qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë dhe debatet në distancë mes kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama, në një Twitter në të cilin mburrej për hapjen e shpejtë të kufijve të vendit ironizoi masat e marra nga Kosova si “bllokim të çuditshëm të makinave të Shqipërisë në kufirin e Kosovës për dizinfektim”. Por burime pranë qeverisë së Kosovës thanë se masat ishin marrë më herët dhe ishin bazuar në këshillat e OBSH-së, ndërsa fajësuan ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë që nuk kishte njoftuar qytetarët për rregullat e udhëtimit.
Nga të dhënat në dogana ka pasur qarkullim nga të dy kahet. “Nga ora 24:00 e natës duke u gdhirë e hënë deri në oren 12:00 të kësaj dite kanë hyrë në Shqipëri 1304 shetas të Kosovës dhe 327 shtetas të Shqipërisë, pra në total 1630 persona me 900 automjete. Ndërsa nga Shqipëria për në Kosovë kanë kaluar 900 persona me 400 automjete”, tha për “BIRN” operatori i policisë kufitare në Morin Elez Doçi.
Ndërkohë që radhët e krijuara fillimisht u normalizuan me vendimin e dytë të qeverisë së Kosovës që hoqi detyrimin për të paguar një tarifë dizinfektimi që shkonte nga 17-22 euro në varësi të peshës së makinës.
Drejtues të policisë kufitare pranuan se kishte paqartësi dhe se palët ishin takuar për të dakordësuar mënyrën se si do të veprohej. “Jemi takuar me homologët nga Kosova duke parë situatën në terren. Departamenti i Kufirit në policinë e shtetit të Kosovës do të informojë qeverinë e këtij vendi për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, tha për “BIRN” drejtori i Kufirit dhe Migracionit për rajonin e Kukësit Zija Sula.
Tarifa që ishte edhe problemi kryesorë i ditës u kundërshtuar prej transportuesve të mallrave që fillimisht refuzuan ta paguajn. “Ne grupi i importuesve të mallrave nga Shqipëria jemi të detyruar të protestojmë lidhur me ngarkesën financiare që na bëhet për të ashtuquajturin dezinfektim të automjeteve në hyrje të kufirit doganor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, Vermicë (nga ana e Kosovës), që është çmim prej 22. Euro për 1 maune për një kalim”, thuhej në një deklaratë të transportuesve që kishin lajmëruar edhe protestë.
Pak orë pas saj Ministria e Brendshme e Kosovës njoftoi se tarifa ishte shfuqizuar. Megjithatë autoritetet pranuan se situata do dojë kohë për tu kthyer në normalitet.
Nga ana e Shqipërisë udhëtarët nuk kanë pasur proboleme dhe e vetmja shtesë në procedurë ka qenë matja e temperaturës. Por ngjashmërisht me Kosovën edhe Shqipëria është duke u përgatitur të vendosë tunele dizinfektimi në kufi. Një projektligj i propozuar nga deputeti Edmond Stojku kërkon që masat të përfshihen në ligjin “për parandalimin e epidemive” dhe parashikon se kostot do të paguhen prej udhëtarëve apo transportueseve.