Investigim11 Jan 2016

Rritja e biletave të autobuzëve ishte jo transparente dhe e paargumentuar

Më 30 dhjetor 2015, ndërsa shqiptarët përgatiteshin për festimin e vitit të ri, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj për rritjen e çmimit të transportit urban në kryeqytet nga 30 në 40 lekë. Gjithsesi, relacioni për rritjen e çmimit i siguruar nga BIRN, tregon se vendimi nuk bazohet në kurrfarë argumenti në lidhje me kostot e mundshme të pambuluara nga çmimi aktual.

Autor: Lindita Çela, Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i fotografuar më 19 gusht 2015 gjatë një udhëtimi me autobuz urban të linjës Qendër - Kombinat në Tiranë. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i fotografuar më 19 gusht 2015 gjatë një udhëtimi me autobuz urban të linjës Qendër – Kombinat në Tiranë. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Disa kompani private, të cilat ofrojnë shërbimin e transportit publik me autobuzë në Tiranë janë ankuar prej vitesh për gjendje të vështirë financiare dhe kanë kërkuar vazhdimisht rritje të çmimit ose subvencione nga qeveria për shërbimin e tyre. Në fillim të vitit 2013, psh, një kërkesë e ngjashme për rritjen e çmimit të biletës në 70 lekë për udhëtim u refuzua nga Bashkia e Tiranës pavarësisht kërcënimeve nga disa operatorë për ndërprerje shërbimi (grevë) apo për rritje të njëanshme të çmimeve.

Në tetor 2013, operatorët e përsëritën kërkesën dhe sërish nuk morën gjë. Ata sërish kërcënuan me ndërprerje të shërbimit por kërcënimi i tyre nuk u realizua.

Por në dhjetorin e kaluar, kur operatorët e përsëritën edhe një herë kërkesën dhe kërcënimin për grevë, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës papritur u dorëzua. “Unë nuk jam idiot ta lë Tiranën pa transport publik,” tha Veliaj sipas raportimeve të medias më 30 dhjetor, pak orë para se Këshilli Bashkiak të miratonte rritjen e çmimit.

BIRN ka zbuluar që ky vendim është marrë në mungesë transparence; ndërkohë që relacioni shoqërues i tij nuk përmban argumenta bindës që justifikojnë rritjen e çmimit, i cili do të rëndojë buxhetet familjare të qytetarëve të Tiranës.

Pretendimi i bashkisë që rritja e çmimit të biletës është thjesht “indeksim” në bazë të inflacionit vjetor është gjithashtu i pabazë dhe nuk mbështet nga të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT.

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj pikëpyetjeve të BIRN mbi mungesën e transparencës dhe mungesën e argumentimit financiar të rritjes së çmimit.

Vendim pa procedurë

Mbledhja e 30 dhjetorit e Këshillit Bashkiak të Tiranës u krye në kushtet e mungesës së plotë të transparencës. Faqja e Bashkisë së Tiranës ku publikohet axhenda e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak dhe vendimet e marra nuk është e përditësuar që nga fillimi i vitit 2014. Gjithsesi, pas kërkesës së BIRN, Këshilli Bashkiak i Tiranës dha një kopje të axhendës së mbledhjes në mbrëmjen e 29 dhjetorit dhe në axhendën e shpërndarë, vendimi për rritjen e çmimit të biletave nuk qe përfshirë. (Kliko këtu për të parë njoftimin për Mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 30 shtator 2015)

BIRN pyeti disa anëtarë të Këshillit Bashkiak nëse dispononin një kopje të vendimit, por asnjëri prej tyre nuk e dispononte dhe disa thanë se nuk kishin parë kurrfarë vendimi.

Këshilli Bashkiak i Tiranës iu përgjigj një kërkese për të drejtë informimi nga BIRN dhe dërgoi një kopje elektronike të të gjitha vendimeve të datës 30 dhjetor 2015 me përjashtim të vendimit për rritjen e çmimit të biletave.

Vetëm pas kërkesave të përsëritura nga BIRN, zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës dha një kopje elektronike të relacionit të Bashkisë për Këshillin Bashkiak në lidhje me atë që Bashkia e quan “indeksimin e tarifave”. (Kliko këtu për të parë relacionin)

Asnjë argument për rritjen

Relacioni jep një përshkrim të shkurtër të transportit publik të Tiranës duke thënë se në Tiranë ka 14 linja urbane me 203 autobuzë, por nuk jep ndonjë të dhënë mbi të ardhurat dhe shpenzimet, fitimet apo humbjet e mundshme të operatorëve që të mund të përbëjnë argument për “indeksimin e çmimit”.

Relacioni thotë se sipas raportimeve të kompanive që ofrojnë shërbimin, në vitin 2014, transporti urban ka pasur 72.5 milionë pasagjerë ndërsa i referohet disa studimeve të kryera në vitet 2007-2009 për të thënë se kur dhe si e përdorin transportin urban banorët e Tiranës.

“Aktualisht transporti qytetës në Bashkinë e Tiranës zbaton tarifat e përcaktuara me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.637, datë 21.5.2008, ku gjatë gjithë kësaj periudhe shtatë vjeçare megjithë ndryshimin e faktorëve ekonomik, çmimi i shërbimit të transportit qytetës nuk kandryshuar,” thuhet në relacion. Gjithsesi, nuk ka ndonjë të dhënë se çfarë faktorësh ekonomikë kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe. Argumenti i Bashkisë vijon duke thënë se: “Gjithmonë këto vite ka pasur kërkesa të shtuara nga ana e operatorëve deri në greva për mundësimin e një fleksibiliteti financiar të shërbimit sa herë që njësitë bazë të shpenzimeve si përshembull çmimi i karburantit ka pësuar rritje drastike, duke prurë në një kontradiktë që rëndon financiarisht shërbimin dhe me pasojë direkte në cilësinë e vetë shërbimit, për shkak të tendencës së operatorëve për të menaxhuar kostot”. Relacioni nuk sqaron se mbi çfarë të dhënash ka dalë në konkluzionin se çmimi i karburantit është rritur nga viti 2008 deri më sot dhe as se çfarë ndikimi ka pasur ky ndryshim i mundshëm në koston e përgjithshme të transportit publik.

Fjalitë e tjera në mbështetje të “indeksimit të çmimit” duket se janë gjithashtu të pakuptimta.

P.sh, bashkia argumenton se është “në kërkim të një formule ekujlibruese”.

“Kjo kontradiktë zgjidhet fillimisht nëpërmjet evidentimit dhe legjitimimit të një formule ekulibruese, që fut në lojë indikatorët rivlerësues të çmimit, si përshembull, ashtu si eksperienca e vendeve të zhvilluara tregon, duke aplikuar ndryshimin e çmimit të shërbimit mbështetur në normën e inflacionit. Kjo mund të realizohet në momentin që vlerat financiare të çmimit të shërbimit duke u indeksuar me inflacionin e viteve, krijojnë mundësinë e indeksimit të tij në një vlerë të shkëmbyeshme në raport me monedhën tonë,” thuhet në relacion.

Argumenti vijon më tej duke thënë se duke marrë parasysh inflacionin e këtyre viteve, atëherë çmimi i biletës për një udhëtim duhet të rritet nga 30 në 40 lekë, një rritje me 33 për qind. Abonetë mujore për një linjë rriten në 1,400 lekë në muaj ndërsa abonetë mujore për të gjitha linjat rriten në 1,800 lekë në muaj.

Argumenti i inflacionit nga viti 2008 deri më sot rezulton vetëm pjesërisht i vërtetë, për shkak se inflacioni në Shqipëri gjatë kësaj periudhe është rritur shumë më pak se sa rritja me 33 për qind e çmimit të biletës të vendosur nga Bashkia.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se nga maji i vitit 2008, kur u vendos rritja e çmimit të biletës së transportit urban nga 20 në 30 lekë, deri më sot, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur në total me vetëm 17.3 për qind.

Indeksi i çmimeve të grupit transport, ku përfshihen të gjitha çmimet e transportit (përfshirë edhe koston e karburantit), është rritur me vetëm 11.8 për qind.

“Indeksimi” i çmimit të autobuzëve me 33 për qind, ose tre herë më shumë se sa indeksi i çmimeve të transportit, për rrjedhojë nuk është e justifikuar.

Transporti urban është një monopol publik që ofrohet nga kompani private me çmime të mbikëqyrura dhe standarde shërbimi të përcaktuara dhe të monitoruara. Çmimi duhet të mbulojë kostot dhe një normë fitimi “normale” mbi të ardhurat e kompanive. Problemi është se aktualisht nuk ka asnjë tëdhënë publike mbi të ardhurat e realizuara nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, mbi numrin e udhëtarëve të secilës kompani dhe mbi kostot e shërbimit të transportit.

Aktualisht shërbimi i transportit publik në Bashkinë Tiranë ofrohet nga pesë kompani, të cilat njëkohësisht merren me aktivitete të tjera tregtare jashtë transportit publik të Tiranës. Rrjedhimisht bilancet e këtyre kompanive nuk mund të shërbejnë për të parë rezultatin financiar pasi nuk ka raportim të veçantë mbi të ardhurat dhe shpenzimet e transportit urban.

Shërbimi i transportit publik nga kompani private në Tiranë filloi në vitet 2002-2003 pasi Bashkia e Tiranës ia transferoi këtë shërbim operatorëve privatë, të cilët e kanë mbajtur atë që nga ajo kohë.

Me 72.5 milionë pasagjerë të deklaruar nga vetë kompanitë, të ardhurat e këtyre kompanive mund të jenë në rendin e 1.5 – 2 miliardë lekëve në vit. Kjo është e barabartë me afro 10 milionë lekë të rinj të ardhura të realizuara nga secili prej 203 autobuzët e flotës ose rreth 30 mijë lekë të rinj në ditë.

Çmimi i transportit publik të Tiranës mund të jetë aktualisht nga më të shtrenjtit në Shqipëri. Për një distancë prej dy apo tri kilometrash, udhëtarët do të duhet të paguajnë 40 lekë, ose mbi 12 lekë për kilometër, ndërkohë që për udhëtimin Tiranë-Elbasan, 40 kilometra, autobuzi kushton 150 lekë ose vetë, 3.75 lekë për kilometër.