Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, deklaroi mëngjesin e së dielës se do të japë dorëheqjen për shkak të stresit që pësoi nga reagimet negative ndaj një interviste të saj televizive mbrëmjen e kaluar.
“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës,” deklaroi Sako.
Kryebashkiakja që mori postin nga zgjedhjet pa garë të 30 qershorit pasi ka bërë karrierë si drejtoreshë në tatime, tregoi mungesë ndjeshmërie gjatë dy prononcimeve të dhëna në media. Në njërën në Top Channel, [Link] ajo sugjeroi se “duhet të jemi të kënaqur që kemi 50 viktima sepse në raste të tjera ka edhe 1 mijë viktima”, ndërsa në tjetrën, në ABC News, [Link] ajo sugjeroi se të pastrehët e shkaktuar nga tërmeti do të strehohen në “hotele me pesë yje të cilat në kushtet normale zotërinjtë nuk mund t’i paguanin për pushime”.
Qeveria është përballur me akuza për paaftësi dhe mungesë përgatitjesh për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga tërmeti. Sako është zyrtarja e parë që largohet për këtë shkak.
Ndërkohë, një grup piratësh kompjuterikë të njohur si Anonimous Albania njoftuan se kanë sulmuar faqen e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare për shkak të urdhrit për cenzurimin e faqes popullore Jeta osh qef. AKEP duket se urdhëroi ofruesit e shërbimit të internetit në Shqipëri të bllokonin aksesin në faqen me adresën joqalbania.com në territorin e Republikës së Shqipërisë. AKEP nuk ka dhënë shpjegime publike se mbi çfarë baze ligjore dhe për çfarë arsyeje ka dhënë një urdhër të tillë. Pas njoftimit të Anonimous Albania, faqja akep.al mbeti e paaksesueshme në orët e para të së dielës.