Interviste29 Apr 2019

Samiti i Berlinit duhet të rikthejë bisedimet e zvarritura mes Serbisë dhe Kosovës

Eksperti i politikës së jashtme gjermane, Milan Nic thotë se rifillimi i dialogut të ngecur mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë “qëllimi minimal” i samitit të 29 prillit në Berlin.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Fotoja familjare e konferences per Ballkanin Perendimor, 28 gusht 2014.

Milan Nic, ekspert i organizatës Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, DGAP, thotë se kancelarja gjermane kishte të drejtë në vendimin për të organizuar diskutime të nivelit të lartë që synojnë të ringjallin dialogun e zvarritur mes Serbisë dhe Kosovës.

Para samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, Nic tha se Angela Merkel do të kërkojë mbështetjen e liderëve të rajonit, po aq sa të presidentit francez Emmanuel Macron “për të mbledhur bashkë pjesët” e bisedimeve të bllokuara mes Serbisë dhe ish-provincës së saj që shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Ndërkohë që liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së po përgatiten për takimin e së hënës, media lokale dhe disa media ndërkombëtare e cilësojnë vendimtar samitin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të dekadës së fundit mes Serbisë dhe Kosovës.

Përveç Merkel dhe Macron, e gjithë vëmendja do të përqendrohet te presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn i tha agjencisë së lajmeve gjermane, DPA të premten se qëllimi i takimit do të jetë zhbllokimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb la të kuptohet në një intervistë për televizionin rajonal N1 se Gjermania mund të këmbëngulë që Kosova të heqë tarifat e larta të diktuara ndaj importeve serbe, të cilat e shtynë Serbinë “ngrinte” dialogun.

“Ne e dimë që tarifat e vendosura nga Prishtina janë një pengesë dhe ne besojmë se ato duhet të hiqen për të siguruar vazhdimin e bisedimeve,” tha Schieb.

Milan Nic mendon se minimumi i rezultatit të takimit në Berlin duhet të jetë rifillimi i bisedimeve të ngecura në praninë dhe mbështetjen e liderëve të nivelit të lartë nga Ballkani dhe Bashkimi Europian.

Milan Nic. Foto: DGAP/Dirk Enters

“Qëllimi minimal është bashkimi i pjesëve të këtij diskutimi, për të rikthyer Serbinë dhe Kosovën në procesin e dialogut. Qëllimi i dytë është në të vërtetë nisja e dialogut, i cili ka arritur në një pikë të vdekur nën Mogherinin [shefja e politikës së jashtme të BE,” tha Nic për BIRN.

Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë është një bashkim i më shumë se 30 ekspertëve të politikës së jashtme dhe ka rreth 60 vjet eksperiencë në promovimin e debatit publik në Gjermani.

Nic tha se Gjermania ishte thellësisht kritike ndaj mbështetjes së dukshme të Mogherinit për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës si një zgjidhje e qëndrueshme.

Kjo do të përfshinte heqjen dorë të Kosovës nga distriktet me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe heqjen dorë të Serbisë nga zonat me shumicë shqiptare në luginën e Preshevës.

Presidentët e Serbisë dhe Kosovës kanë lënë të hapur mundësinë e rikonfigurimit të kufinjve si një rrugë për marrëveshjen, për të cilën Kosova shpreson se do t’i hapë rrugën për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian.

Një marrëveshje e tillë mund t’i shkojë për shtat edhe Serbisë, e cila duhet të zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën për të ecur përpara me anëtarësimin në BE.

Por mbështetja për shkëmbimin e territoreve kërkon që Perëndimi të braktisë parimin e vet shumëvjeçar që shtetet nuk duhet të ndahen në vija etnike, ndërkohë që propozimi ka shkaktuar shqetësime në komunitetin ndërkombëtar.

Merkel është ndër kritikët më të fortë të kësaj ideje. Megjithatë, Politico raportoi gushtin e kaluar se Mogherini ka thënë se nëse marrëveshja plotëson disa kushte dhe është një linjën e legjislacionit ndërkombëtar dhe atij të BE-së, Bashkimi Europian duhet ta njohë atë.

Nic thotë se shumica e liderëve të rajonit mbeten sërish kundër kësaj ideje dhe i kanë dërguar ankesa Berlinit.

“Ata [gjermanët] janë të vetëdijshëm që liderët politikë të rajonit janë përgjithësisht kundër një marrëveshje të tillë dhe po vijnë në Berlin për t’u ankuar,” tha ai.

“Por shumica e kryetarëve të shteteve nuk e kanë thënë këtë hapur në Bruksel apo në kryeqytetet e tyre, ndaj Merkel në nëntë muajt e fundit ishte epiqendra e këtyre diskutimeve, pa luajtur një rol të tillë në mënyrë të qartë,” shpjegoi ai.

“Merkel ishte shumë e kujdesshme, shumë e shqetësuar rreth idesë së korrektimit të kufinjve apo shkëmbimit të territorit si pjesë e marrëveshjes me Serbinë prej fillimit. Por ajo ka pritur momentin e duhur për të lëvizur përtej kësaj ideje,” theksoi ai.

Nic e sheh Francën si pjesë të zgjidhjes dhe kërkon mbështetjen e saj në rikthimin në shina të diagolut mes Beogradit dhe Prishtinës, përpara zgjedhjeve europiane të majit.

“Në Berlin, ata [pjesmarrësit në samit] kanë nevojë të diskutojnë se çfarë vjen pas [sa i përket bisedimeve Serbi-Kosovë] dhe çfarë procesi do të jetë. Por është gjithashtu e rëndësishme të sjellim më shumë energji politike dhe vëmendje ndaj procesit,” përfundoi ai.