Lajm3 Sep 2018

Shkarkimi i Artan Lazaj, KPK gjeti “fshehje pasurie dhe deklarime të rreme”

Vendimi i zbardhur i Komisionit tregon se gjyqtarit të Tiranës dhe ish-anëtarit të KQZ-së, Artan Lazaj i ishin gjetur 17 shkelje për kriterin e pasurisë, ndërkohë që kërkesat paraprake të tij konsiderohen përpjekje për të penguar procesin.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj dhe avokati i tij në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e argumenton shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj me 17 shkelje të gjetura në kriterin e pasurisë, të cilat përfshijnë mosdeklarime, deklarime kontradiktore, kontrata fiktive dhe madje deklarim të rremë para Komisionit. Vendimi i zbardhur i trupës gjykuese të kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici e cilëson të mjaftueshëm hetimin vetëm për kriterin e pasurisë-ndonëse gjyqtari Lazaj dhe avokati i tij pretenduan të kundërtën.

Lazaj që u përfaqësua vetë në seancat dëgjimore bashkë me avokatin Sokol Hazizaj, i kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Gjykatësi u mbrojt kryesisht duke deklaruar se “ka bërë gabime të shumta, por që ato janë harresa, neglizhenca ose pasaktësi, nuk janë veprime të qëllimshme dhe nuk kanë pasur si objektiv apo pasojë fshehjen e pasurisë”. Në një rast ai tha se arsyet e mosdeklarimit të një pasurie që i takonte bashkëshortes kishte qenë e drejta zakonore sipas të cilës “gruaja e martuar nuk kishte pjesë takuese në shtëpinë e prindërve”.

Por për KPK-në, argumentet e përdoruar nga Lazaj nuk qëndronin, madje Komisioni vë në dukje në vendimin e zbardhur se ato shtuan paqartësitë mbi pasurinë dhe ndëshkuan gjykatësin.  “Faktet e ekspozuara si më lart, të konstatuara nga Komisioni dhe të pranuara nga subjekti i rivlerësimit, nuk mund të justifikohen nga një gjyqtar, dhe aq më tepër me argumentin e zgjedhjes së vetëdijshme për respektimin e një tradite zakonore, duke mos përmbushur, në këtë mënyrë, me dashje dhe paramendim detyrimet ligjore”, thuhet në argumentimin e KPK-së.

Lexo më shumë:

 Tentativa për shtyrje

Problemet në pasurinë e ish-anëtarit të KQZ dhe më pas Gjykatësit të Tiranës Artan Lazaj ishin gjetur sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që nga hetimi i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), por që sipas vendimit të zbardhur u theksuan kur Komisioni kreu hetimin e tij.

Madje në vendimin e zbardhur bëhet me dije se vetë pohimet e gjykatësit para KPK apo përmes postës elektronike shtuan kontradiktat dhe rënduan pozicionin e tij. Në vendimin e KPK-së për shkarkimin e Lazajt  bëhet me dije se pasi ishte vënë në dijeni për mbyllje të hetimit vetëm mbi kriterin e pasurisë dhe me gjasë edhe hamendësimit të rezultatit pas kësaj mbyllje, Lazaj tentoi të shtynte procesin.

KPK thotë se fillimisht ai kishte kërkuar që të prishej vendimi për mbyllje të hetimit, ndërsa kishte këmbëngulur në seancën e parë dëgjimore që të hetohej edhe në dy kriteret e tjera.

Kur KPK vendosi ta rrëzonte këtë kërkesë si të pambështetur në ligj, Lazaj kërkoi përjashtimin e trupit gjykuese dhe pasi kjo kërkesë iu rrëzua ai bëri një përpjekje të tretë duke kërkuar përjashtimin e kryesueses Brunilda Bekteshi. Lazaj paraqiti këtë herë si argument faktin që Bekteshi, në një periudhë kur ishte avokate, kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trupi gjykues.

KPK refuzoi edhe kërkesën e tretë, ndërsa u shpreh se pas kësaj ishte e qartë që Lazaj po synonte të zvarriste procesin. “U konstatua një tentativë për të zvarritur procesin, nëpërmjet një sërë kërkesash strategjikisht të paramenduara dhe të parapërgatitura”, thuhet në vendimin e zbardhur, ndërsa theksohet se “Në lidhje me këtë sjellje, trupi gjykues rezervoi të drejtën mbi vendosjen e mundshme të një gjobe, në bazë të nenit 34 të Kodit të Procedurës Civile”.

Lazaj sidoqoftë ia doli të fitonte shtyrje disa ditore, që siç del nga rezultati nuk e ndihmoi gjykatësin.

Shkeljet

Vendimi i zbardhur i KPK rendit 17 shkelje, secila prej të cilave “shkarkuese”, duke filluar nga mosdeklarimi i 4.9 milionë lekëve të shpenzuara në vitin 2009 dhe 50.000 eurove në vitin 2010 në favor të një kompanie ndërtimi.

KPK thotë se bazuar në deklarimet e tij, Lazaj nuk kishte “burime financiare të ligjshme në datën 18 gusht 2010 për pagesën e 50.000 eurove, pasi të ardhurat nga shitja e shtëpisë, e kryer më 19 nëntor 2010, ishin të disponueshme tre muaj më vonë”.

Problemet sipas KPK u konstatuan që në deklarimin e çmimeve të ndryshme për apartamentin e deklaruar nga Lazaj. Në vendimin e zbardhur rezulton se ai kishte deklaruar apartamentin me vlerë 120 mijë euro në deklaratën periodike të vitit 2011,  ndërsa në deklaratën veting e kishte deklaruar atë 129 mijë euro. Lazaj e shpjegoi diferencën me punimet shtesë të bërë nga kompania ndërtuese, por KPK gjeti se ai nuk mund ta dokumentonte këtë dhe as të provonte burimin e një pjese të të ardhurave për blerjen apo mënyrën e pagesave.

Mbrojtja e tij përmes një letre nga kompania ndërtuese që thoshte se pagesat ishin bërë në këste për disa vite u konsiderua problematike, pasi KPK gjeti përmes bankave transferat që e përgënjeshtronin këtë pretendim.

KPK gjeti po ashtu se Lazaj deklaroi dy herë shitjen e një apartamenti 90 mijë euro. Deklaratat e gjykatësit ishin sipas KPK kontradiktore, ai deklaron njëherë përfitimin e shumës në vitin 2008 si gjendje Cash, pastaj thotë se ajo u likujdua në vitin 2010. KPK gjeti se në këtë rast Lazaj kishte bërë edhe një kontratë fiktive me të njëjtin blerës. Pretendimi i gjykatësit se kontrata e dytë ishte bërë për shkak se blerësit i kishte kaluar koha dhe nuk mund ta regjistronte më pasurinë në hipotekë u rrëzua nga KPK. Kjo e fundit thotë në vendim se qëndrimet e Lazajt kishin shtuar problemet duke e cilësuar fiktivitetin e kontratës si një veprim që rëndonte figurën e gjykatësit.

Sipas KPK-së, po ashtu Lazaj kishte bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së një apartamenti në vitin 2004. Në vendimin e zbardhur thuhet se vetë gjyqtari “ka paraqitur deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej tij”.

KPK thotë po ashtu se Lazaj nuk kishte plotësuar saktë Deklaratën-Vetting duke lënë herë pas here bosh pjesën ku duhej të paraqitej burimi për pasurinë e krijuar dhe në disa raste duke bërë deklarim “të pamjaftueshëm dhe në mospërputhje me deklaratat periodike, si dhe me deklarimet e dhëna prej tij në përgjigje të pyetësorëve të Komisionit”.

Sipas vendimit të zbardhur, Lazaj dha edhe gjatë seancës dëgjimore “përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore midis tyre”. Po ashtu KPK rrëzoi referimin e Lazajt në të drejtë zakonore dhe cilësoi fshehje pasurie mosdeklarimin e pjesës takuese të bashkëshortes në shtëpinë e prindërve.  KPK arsyetoi se pasuria duhej të deklarohej dhe se e drejta zakonore mund të zbatohej duke kryer një dhurim formal.

Po ashtu, KPK gjeti probleme në deklarimin e pjesëve takuese në disa pasuri, përfshi një tokë kullotë në Himarë për të cilën gjykatësi kishte thënë se zotëronte 25 për qind, por që sipas hetimit rezultoi se ishte e gjitha në pronësi të tij. Probleme u gjetën edhe në transaksionet për një makinë. KPK gjeti se makina ishte blerë vetëm 125 mijë lekë dhe shitur pesë vjet më vonë 5 mijë euro, një transaksion të cilin e cilësoi “anormal”.

Argumenti i Lazajt se makinën e kishte blerë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kishte përfituar çmim të lirë, u përdor nga KPK kundër tij. “Gjithsesi, nga sa më lart, rezulton që në procesin e privatizimit, pra të blerjes së autoveturës, ka pasur një trajtim preferencial, të padeklaruar nga ana e subjektit,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Ai po ashtu rezultoi se kishte bërë deklarim të rremë në Deklaratën-Vetting, po ashtu edhe në deklaratën e vitit 2003, për shitjen e një apartamenti në vitin 2001. Lazaj e kishte deklaruar shitjen fillimisht në vitin 2003, ndërsa më pas e deklaroi në vitin 2012. KPK pranoi që në rastin e fundit deklarimi mund të ishte lapsus, por cilësoi se fakti që gjykatësi kishte deklaruar pronësi mbi apartamentin në vitin 2003, ndërsa ai ishte shitur në vitin 2001 i bënte të pabesueshme argumentet e tij.

KPK gjeti se Lazaj kishte deklarim të paplotë dhe të rremë për vitet 2015, 2016 dhe 2017, ndërsa argumenton se ai nuk ka pasur të ardhura “për të përballuar blerjet e pasurive të paluajtshme, gjendjen e likuiditeteve në bankë dhe cash në shtëpi, si dhe për të kryer shpenzimet jetike dhe ato të deklaruara”, për shumicën e viteve të deklarimit nga 2003 deri në 2017. Komisioni gjeti se në mjaft raste, Lazaj nuk kishte deklaruar të ardhura apo shpenzime deri në 10 mijë euro në deklaratat vjetore apo atë veting.