Raporti i Hendekut Gjinor, një klasifikim botëror i barazisë gjinore në aspekte kryesore si ekonomia, arsimimi dhe shëndetësia, e renditi Shqipërinë në vendin e 38 në botë.
Një raport mbi Hendekun Gjinor i publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror për 144 shtete në të gjithë botën e renditi Shqipërinë në vendin e 38 në vlerësimin e përgjithshëm të progresit drejt barazisë gjinore.
Raporti shqyrtoi vendet në katër dimensione, në mundësitë dhe pjesëmarrjen në ekonomi, arritjet në arsimim, shëndetësi dhe mirëqenie dhe së fundmi në fuqizim politik.
Shqipëria mori 0.728 pikë nga fasha 0 deri në 1, ku 0 është pabarazi dhe 1 barazi.
Vlerësuar veçmas në secilën prej fushave të mësipërme, vendi ynë u rendit i 70-i në mundësitë dhe pjesëmarrjen ekonomike, me një kryesim të ndjeshëm të barazisë së pagave për punë të ngjashme.
Arsimi qe aspekti ku Shqipëria duket se ka më tepër barazi mes dy gjinive, ku djemtë dhe vajzat ndjekin thuajse në nivele të ngjashme studimet fillore, ato të mesme dhe shkollën e lartë.
Gratë shqiptare e kanë kapërcyer hendekun gjinor në aspektin e jetëgjatësisë ndaj burrave, ku diferenca është 71 vjet jetëgjatësi mesatare për gratë dhe 66.8 për burrat.
Raporti megjithatë vlerësoi dobët Shqipërinë për pjesëmarrjen e grave në parlament, me 0 për nga aspekti i grave presidente apo kryeministre dhe mbi mesataren për gratë që mbajnë poste ministrore.
Parë më ngushtësisht, raporti ofroi të dhëna të tjera interesante në peshoren gra-burra dhe hendekun gjinor në Shqipëri.
Për shembull, raporti vlerësoi se vajzat në Shqipëri kanë gati 4 herë më shumë gjasa që të jenë të martuara në moshën 25-vjeçare sesa djemtë e po të njëjtës grupmoshë.
Gratë kontribuojnë më shumë në familje përmes punës, por burrat kanë dyfish më tepër gjasa të marrin përsipër hapjen e një biznesi të vetin.
Vajzat dhe gratë mbizotërojnë në arsim në fusha si arte, edukim, shëndetësi, matematikë dhe gazetari; ndërsa diferencë e madhe u pa në fushat e dominuara nga meshkujt si bujqësia, biznesi dhe ligji, inxhinieria, informacioni dhe komunikimi, si dhe shërbimet.
Në lupën rajonale të raportit të hendekut gjinor, Shqipëria la pas me rezultate të ngushta vendet fqinje të rajonit si Serbia, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja.
Në shkallë globale vendet kryesore vazhdojnë të mbahen nga shtetet e Europës Perëndimore, veçanërisht ato nordike. Europa Perëndimore gjithashtu po i afrohet mbylljes së hendekut gjinor, me 25% të diferencave gjinore të mbetura, pasuar nga Amerika e Veriut me 28% dhe Europa Lindore dhe Azia me 29%.
Raporti vlerëson se sipas trendeve aktuale, do të duhen 100 vjet që hendeku të mbyllet plotësisht, ku fushat më problematike mbeten ekonomia dhe shëndetësia.
Megjithëse në vitet e fundit të gjitha vendet e raportit kanë bërë progres të konsiderueshëm, ËeForum vlerëson se më shumë duhet bërë për të siguruar barazi mes burrave dhe grave në sfera kryesore të jetës.