Lajm25 Oct 2016

Shtatori thellon deficitin e të ardhurave të qeverisë

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë ndjeshëm më të ulëta se sa plani ndërsa qeveria vijon të mos jetë e aftë të shpenzojë fondet e parashikuara për investime publike duke penalizuar ekonominë në tërësi.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, duke folur gjatë një seance parlamentare më 20 tetor 2016. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, duke folur gjatë një seance parlamentare më 20 tetor 2016. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën janar-shtator 2016 ngecën në 298.1 miliardë lekë, duke krijuar një deficit prej 7.2 miliardëve në krahasim me planin fillestar 2016 si dhe një deficit prej 4.5 miliardë lekësh në krahasim me planin e rishikuar të të ardhurave të muajit gusht.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 6.8 për qind, një rritje e dobët kjo për shkak se viti 2015 qe një vit shumë i keq për të ardhurat buxhetore ndërsa buxheti i këtij viti pati planifikuar shtimin e të ardhurave totale vjetore me 10 për qind.

Të ardhurat e qeverisë qenë më të ulëta se sa plani në të gjitha zërat kryesorë, përfshirë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nga akcizat, taksat nacionale etj. Të ardhurat qenë më të larta se sa plani në zërin e Tatimit mbi Fitimin apo të ardhurat nga pushteti vendor. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore patën një deficit të vogël në krahasim me planin.

Ministria e Financave publikon bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve çdo muaj në faqen e vet në internet. [Link]

Nafta e cigaret shkaktuan deficitin

Problemi kryesor në të ardhurat e munguara të qeverisë për shtatorin lidhet me rënien e papritur të importit të karburanteve dhe cigareve gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të doganave [Link], importi i karburanteve ra në 36 mijë tonë në muajin shtator nga gati 52 mijë tonë që qe në muajin gusht. Importi i cigareve ra në 248 tonë në muajin shtator, nga 278 tonë në gusht.

Deficiti i të ardhurave të buxhetit të shtetit në krahasim me planin ka gjasa që do të thellohet edhe më shumë në muajt e mbetur të vitit.

Vijon problemi me shpenzimet

Ndërsa deficiti në të ardhura është krahasimisht më i ulët këtë vit se sa vitin e kaluar, problemi më i madh aktual për buxhetin e shtetit është mungesa e investimeve. Për periudhën janar-shtator 2016, buxheti i shtetit pati në total 10.5 miliardë lekë më shumë të ardhura se sa shpenzime, ndërkohë që në buxhetin e këtij viti është planifikuar një deficit i përgjithshëm prej 35.7 miliardë lekësh.

Problemi u kritikua së fundmi nga Banka e Shqipërisë, e cila argumentoi se shpenzimet e buxhetit duhet të shtrihen në mënyrë sa më të barabartë përgjatë të gjithë vitit për të mos shkaktuar presione të panevojshme për ekonominë. Por qeveria vijoi të hasë probleme me shpenzimet, ku një numër i madh projektesh investuese të rëndësishme, përfshirë Autostradën Tiranë – Elbasan, Bypass-in e Fierit apo atë të Vlorës, janë të bllokuara. Deri në fund të shtatorit, plot 40 për qind të investimeve publike nuk janë realizuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pavarësisht se kanë mbetur vetëm 3 muaj deri në fund të vitit.

  • elio

    Po keta sikur deshen te rrisin rrogat!!?? Po nashti? Me siguri do fillojne gjobat, prape…Sa turp, driteshkurter..