Një aventurë e shkurtër një të shtunë më çoi nga Tirana në Krujë përmes rrugëve të paasfaltuara si dhe të “zbuloja” një segment rruge të lashtë që duhet sikur ka dalë nga filmat.
Në një hartë të vjetër të ushtrisë Amerikane të prodhuar në vitin 1943, [link] një seri shtigjesh përgjatë kodrave rrëzë vargmaleve Krujë – Dajt klasifikohen herë si shtigje të përshtatshme për karroca dhe herë si shtigje të përshtatshme vetëm për karvane mushkash.
Këto shtigje vendosa të ndjek të shtunën për një udhëtim me biçikletë nga Tirana për në Krujë, 34 kilometra të gjatë dhe pothuajse tërësisht nëpër rrugë të paasfaltuara.
Rruga më dërgoi nga Tirana në Paskuqan, Zall Herr, Pinar, Kallmet, Qinam e Kurcaj, të gjitha fshatra të shtrira përgjatë kodrave, ku një seri rezervuarësh për vaditje të ndërtuara gjatë kohës së komunizmit i jepnin hijeshi panoramës kodrinore.
Nga Tirana për në Krujë kapërcehen tre lumenj të vegjël, Lumi i Tiranës, i Tërkuzës dhe i Zezës. Të tre janë tributarë të Ishmit ndërsa mes tyre, rruga kalon një seri me kodra të buta duke krijuar vazhdimisht panorama të këndshme.
Rrugët për deri në fshatin Kurcaj, pranë përroit të Zezës, kanë mbetur pak a shumë njësoj si një shekull më parë. Shumica dërrmuese e tyre janë të paasfaltuara ndërsa sa i përket segmentit të fundit, shtegut përgjatë malit të Krujës, ai qe një surprizë e vërtetë.
Fshatrat përgjatë rrugës deri në Kurcaj kanë pothuajse të gjithë nga një apo dy lokale ku mund të ndalohet për pushim. Pushimet duken të domosdoshme për shkak se pedalimi në këto rrugë është impenjativ. Shpesh ngjit me vështirësi rrugë të shtruara me çakull dhe po aq shpesh duhet të kesh kujdes kur zbret kodrat e rrëpira ku guralecët rrezikojnë gjithmonë të të çekujlibrojnë.
Pasi pedalova për 30 kilometra, pranë fshatit Kurcaj, një urë guri e periudhës Osmane paralajmëroi për më shumë surpriza. Nga ajo pikë, për rreth 4 kilometra, rruga ngjitet për në lartësitë e Malit të Krujës dhe është një rrugë guri duket se nuk është prekur që prej një shekulli. Nëse dëshiron të xhirosh ndonjë film me karvan mushkash, ngjan si skena perfekte. Rruga ka nominalisht në hartë emrin Lekë Zaharia, një nga bashkëluftëtarët e Skënderbeut i vrarë në konflikt pronash, sipas dyshimeve të Barletit, nga familja Dukagjini.
Emri është i përshtatshëm për këtë rrugë. Gurët janë aty ku kanë qenë së paku një shekull më parë, por koha dhe uji kanë bërë punën e vet duke i larguar nga njëri-tjetri dhe duke i bërë praktikisht të pakalueshëm për asgjë tjetër veçse dhentë. Për një pjesë të konsiderueshme të atyre katër kilometrave nga fshati Kurçaj deri në fshatin Barkanesh m’u desh ta mbaja biçikletën në krahë. Katër kilometra të lodhshme, ku lodhja vështirë se lejonte të shijoje panoramën që shtrihej deri në det dhe lëndinat e këndshme mes ullishteve qindravjeçare.
Nga fshati Barkanesh deri në Krujë, shtegu është krahasimisht më i stabilizuar, aq sa përshkruhet nga furgonët që shërbejnë për personelin e burgut të Zaharisë, një ndërtesë që funksionon si spital burgi për personat me aftësi të kufizuar.
Përfundimisht segmentin nga ura e Kurcajt deri në Krujë nuk e rekomandoj për biçiklistët, për sa kohë nuk jeni të gatshëm të vuani ca. Për pjesën tjetër, shtegu është i këndshëm për këdo që pëlqen rrugët e paasfaltuara.
Nëse vendosni ta përshkroni këtë shteg, rekomandohet gjithashtu të përgatiteni shpirtërisht për kombinimin e natyrës me degradimin mjedisor. Ndonëse rrugët moderne nuk kanë vajtur ende në këtë pjesë të Shqipërisë qendrore, plehrat dhe mungesa e heqjes së plehrave ka vajtur gjithsesi.
Fotot janë në rend kronologjik.