Sistemi arsimor i Finlandës po përflitet shumë kohët e fundit. Ai konsiderohet si një nga sistemet më të mira arsimore në botë. Ia kalon Shteteve të Bashkuara në lexim, shkencë dhe matematikë. Dhe ka qenë një performues shumë i mirë që nga anketimi i parë i zhvilluar nga Programi i parë Për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili u zhvillua në vitin 2000.
Por pyesni dikë se çfarë kanë kaq të mirë shkollat e Finlandës dhe zakonisht do t’ju japin një ose tre faktorë. Ata kanë ditë më të shkurtra shkollore. Ata nuk bëjnë teste të standardizuara. Duhet të jenë të gjithë të zgjuar sepse gjuha finlandeze është një makth i vërtetë.
Sistemi arsimor i Finlandës funksionon sepse e gjithë struktura vërtitet rreth disa parimeve kryesore. E para dhe më e rëndësishmja, qasja e barabartë në arsim është një e drejtë kushtetuese. Një tjetër parim i rëndësishëm është se një njeri duhet të lejohet të zgjedhë rrugën e tij edukative, e cila s’duhet të të çojë kurrë në një rrugë qorre.
Ja si funksionon sistemi arsimor i Finlandës për të përmbushur këto parime.
Arsim në fëmijërinë e hershme
Arsimi i hershëm i Finlandës është projektuar rreth koncepteve të të mësuarit përmes lojës.
Imagjinoni sikur jeni një prind finlandez. Keni marrë leje lindjeje të sponsorizuar nga shteti, një grant për lindje, madje edhe një kuti të vogël për bebin, në mënyrë që të mund të shijoni ato muajt e parë të çmuara në një nga vendet më të mira për të rritur fëmijë. Tani, po filloni të mendoni për arsimimin e fëmijës tuaj.
Mos u shqetësoni, keni kohë. Fëmijëve finlandezë nuk u kërkohet të shkojnë në shkollë deri në moshën 6 vjeçare, kur fillon arsimi parashkollor. Ju jeni të lirë t’i kaloni ato vite të hershme duke luajtur, duke mësuar dhe duke u lidhur me të vegjlit tuaj. Nëse dëshironi ta filloni më herët arsimin e fëmijës tuaj, sistemi finlandez ofron një program të gjerë për arsimimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijës tuaj (ECEC).
Programi zbaton një model “të mësuari përmes lojës” për të promovuar “rritje të ekuilibruar”, sipas faqes së internetit të Agjencisë Kombëtare Finlandeze për Arsim. Edhe pse udhëhiqet nga Kurrikula Kombëtare Thelbësore për ECEC, komuna juaj lokale merret me shërbimet e ECEC dhe ka autonomi të gjerë, duke u lejuar administratorëve rezidentë të bëjnë propozime lidhur me buxhetin, madhësinë e klasës dhe qëllimet arsimore.
Do të ketë një pagesë, por një që subvencionohet. Prindërit paguajnë afërsisht 14 për qind të faturës totale, por barra e vendosur mbi familjet individuale bazohet në të ardhurat dhe numrin e fëmijëve. Programi është dukshëm popullor, pasi shkalla e regjistrimit në shkollë në Finlandë për fëmijët e moshave 3 deri në 5 është rreth 80 për qind.
Arsim bazë (plus një vakt falas)
Kur fëmija juaj të mbushë 7 vjeç, do të jetë koha për arsimin bazë. Finlanda nuk e ndan arsimin e saj bazë në nivele fillore dhe të ulëta. Në vend të kësaj, ai ofron arsimim me një strukturë të vetme për nëntë vjet, 190 ditë në vit. Ashtu si me ECEC-në, politikëbërësit u lënë shumë hapësirë administratorëve dhe mësuesve të shkollave lokale që të rishikojnë dhe ripërtërijnë kurrikulën për të përmbushur nevojat e nxënësve.
“Ideologjia është të udhëzohemi nëpërmjet informacionit, mbështetjes dhe financimit,” shkruan Agjencia Kombëtare Finlandeze për Arsim (e cila përcakton kërkesat thelbësore të kurrikulës). Qëllimi i tyre i deklaruar për arsimin bazë është “të mbështesë rritjen e nxënësve drejt njerëzimit dhe anëtarë të përgjegjshëm të shoqërisë, si edhe t’u ofrojë atyre njohuritë dhe aftësitë e nevojshme në jetë.” Kjo përfshin se çfarë testesh duhen bërë, si të vlerësohet progresi dhe nevojat e nxënësve dhe madje edhe aftësinë për të caktuar orare ditore dhe javore.
Një autonomi e tillë mund të tingëllojë e frikshme për disa prindër. Po sikur fëmija juaj të kalojë gjithë ditën regresionet fenomenale të Kdit Konami? (Edhe pse kjo do të ishte interesante). Prindërit e Finlandës, megjithatë, nuk kanë shqetësime të tilla, pasi mësimi është një fushë shumë e respektuar dhe profesionale në Finlandë.
Shumica e mësuesve kanë një diplomë master dhe mësuesit e arsimit bazë janë të detyruar t’i kenë ato. Tetëdhjetë për qind e mësuesve të arsimit bazë gjithashtu marrin pjesë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional. Ky nivel mësimdhënieje dhe zhvillimi të vazhdueshëm siguron që arsimtarët e Finlandës të zhyten në shkencën e mësimdhënies – për ironi, duke u frymëzuar nga pedagogjia amerikane aktuale.
“Është e kuptueshme që mendimi arsimor pragmatik dhe i përqendruar te fëmijët i John Dewey është pranuar gjerësisht në mesin e mësuesve finlandezë,” shkroi Pasi Sahlberg, edukator finlandez dhe dijetar, për Washington Post. “Shumë shkolla finlandeze kanë adoptuar pikëpamjen e Deëey për arsimin për demokracinë duke rritur qasjen e studentëve në vendimmarrje në lidhje me jetën e tyre dhe studimin në shkollë.”
Shkollat nuk lihen as të bëjnë ç‘të duan pa u kontrolluar. Agjencia Kombëtare Finlandeze e Arsimit promovon vetëvlerësimin dhe përmirësimin për shkollat dhe mësuesit e tyre. Sa i përket arsimit bazë, është e vërtetë që Finlanda nuk përdor teste kombëtare të standardizuara; megjithatë, ata zbatojnë vlerësimet kombëtare të rezultateve të të nxënit.
Megjithatë, vlerësimet në Finlandë bazohen në mostra, nuk janë gjithëpërfshirëse. Ato gjithashtu nuk janë të lidhura me financimin e shkollave dhe nuk përdoren për të renditur shkollat. Në vend të kësaj, vlerësimi shërben për të vlerësuar kualifikimet e shkollës dhe pastaj u ofrohet administratorëve për qëllime zhvillimore.
E përmendëm gjë që vaktet në shkollë janë falas për të gjithë fëmijët? Dhe se udhëzimi dhe këshillimi ndërtohen si pjesë e kurrikulës? Sepse kështu është.
Arsimi i mesëm në Finlandë
Pas arsimit bazë, fëmija juaj mund të zgjedhë të vazhdojë shkollën e mesme. Edhe se nuk është e detyrueshme, 90 për qind e nxënësve fillojnë studimet e mesme menjëherë pas atyre bazë. Për shkak të përkushtimit të Finlandës që nxënësit të mos marrin një rrugë pa krye, pjesa e mbetur prej 10 për qind mund të zgjedhin që ta vazhdojnë arsimimin e tyre më vonë pa asnjë kosto.
Shkolla e mesme ndahet në dy drejtime kryesore, i përgjithshëm dhe profesional, dhe të dy këto zgjasin nga rreh tre vjet. Arsimi i përgjithshëm merr formën e një kursi, por nxënësit kanë shumë liri për të vendosur oraret e tyre të studimit. Në fund të arsimit të përgjithshëm, nxënësit bëjnë provimin e maturës kombëtare, i vetmi test i standardizuar i Finlandës. Pikët e tyre përdoren si pjesë e aplikimeve të tyre për në shkollë të lartë.
Arsimi profesional është më i përqendruar te puna dhe përfshin praktika si edhe mësim në shkollë. Rreth 40 për qind e nxënësve fillojnë arsimin profesional pas atij bazë. Kjo rrugë përfundon me kualifikime të bazuara në aftësi pasi nxënësi të përfundojë një plan studimi individual.
Vlen të përmendet se nxënësit nuk ngecin nëpër këto rrugë. Si pjesë e përkushtimit të Finlandës ndaj arsimimit dhe vendimmarrjes, të dyja këto ndarje janë përshkueshme, kështu që nxënësit mund të zbulojnë interesa të reja ose të krijojnë një rrugë që i ndërthur të dyja.
Arsimi i lartë dhe më tej
Me fëmijën tuaj që po shkëlqen në shkollë të mesme, ndoshta po shqetësoheni se kursimet që keni ruajtur për të ardhmen e fëmijës tuaj mund të mos jenë të mjaftueshme për arsimin e lartë. Mos u shqetësoni. Arsimi i lartë, si ai bazë dhe i mesëm, është falas.
Mos harroni! Qasja e barabartë në arsim është një e drejtë kushtetuese në Finlandë. Studentëve u kërkohet të paguajnë vetëm librat, transportin dhe sende të tjera shkollore – dhe ndihma financiare për studentët është gjithashtu në dispozicion.
Universitetet finlandeze janë të ndara në dy lloje: universitetet dhe universitetet e shkencave të aplikuara. Universitetet përqendrohen në kërkimin shkencor, ndërsa universitetet e shkencave të aplikuara i kushtojnë vëmendje vënieve në praktikë. Nxënësit zakonisht marrin një diplomë bachelor për katër vjet studime me kohë të plotë, që përfshin studime, kurse opsionale dhe një projekt. Diploma e masterit zgjat 5-6 vjet dhe, si rregull, studentët pranohen të studiojnë menjëherë për master.
Nëse fëmija juaj zgjodhi rrugën profesionale, ata mund të vazhdojnë arsimin e tyre në një universitet, zakonisht një universitet të shkencave të aplikuara. Por përsëri, rrugët arsimore të Finlandës janë shumë të adaptueshme.
Nuk është habi që Finlanda mbështet një arsimim të fuqishëm të të rriturve për të promovuar barazinë sociale dhe një fuqi punëtore kompetente. Kompanitë mund të investojnë për zhvillimin e stafit dhe për të papunët ofrohet trajnim profesional. Edhe pse jo falas, arsimi i të rriturve është (dhe vjen keq nëse po përsëris pak si shumë) i subvencionuar me shpenzime që varen nga rrethanat personale.
Si është Finlanda në gjendje të ofrojë një arsimim të tillë gjithëpërfshirës, universal për të gjithë qytetarët e saj? Shumë e thjeshtë. Të gjithë janë një ekip. Përtej mishërimit të së drejtës për arsim në kushtetutën e tyre, populli finlandez vlerëson arsimin dhe ka ndërtuar një sistem që i përshtatet hulumtimit më të mirë arsimor.
Nëse vendet e tjera duan të ndjekin modelin e Finlandës, ata nuk duhet të kopjojnë modelin e saj arsimor. Megjithatë, ata do të kenë nevojë për rëndësinë që i kushton vendi arsimimit.
Marrë me autorizim nga Weforum.org. How does Finland’s top-ranking education system work?