Artisti që jeton në Nju Jork, Sislej Xhafa, flet për përfaqësimin e sivjetmë të Kosovës në Bienalen e Venecias, një shfaqje prestigjioze artistike.
Për Xhafën, artistin e lindur në Pejë, “arti është një emergjencë”. Roli i artit në shoqëri, siç pohon ai, është të ngrejë pyetje rreth “elementeve njerëzore në kushte jonjerëzore”.
Këtë maj, Kosova do të jetë pjesëmarrëse në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias për herë të tretë me përfaqësim nga Xhafa dhe ekspozitën e tij “Lost and Found (E humbur dhe e gjetur)”. I vendosur në Nju Jork, Xhafa është një nga artistët më të njohur bashkëkohorë të Kosovës. Edhe pse arti i tij ende nuk është shfaqur në vendlindje, përvojat personale që lidhen me imigrimin, statusin ligjor dhe lirinë e ngjyrojnë veprën e tij.
Me një shprehësi enigmatike dhe pa e përshkruar ekspozitën e tij hollësisht, Xhafa bisedoi me Gazetën JNK për temat që shtjellon në këtë ekspozitë madhore. Publiku duhet të presë që Pavijoni i Kosovës do të vazhdojë të ngrejë pyetje rreth lirisë dhe drejtësisë. Edhe pse ekspozita nuk do të zbulohet deri në hapjen e Bienales, vepra e gjithmbarshme e Xhafës ofron shenjëza rreth asaj se çfarë do të shfaqë ai.
“Me ‘Lost and Found’ unë dua ta theksoj dinjitetin njerëzor, drejtësinë, dhe transparencën ndaj proceseve të padrejtësisë. ‘Lost and found’ ka të bëjë me ndërveprimin, heshtjen dhe praninë. ‘Lost and Found’ lidhet me kujtesën e gjallë dhe sfidën,” tha ai gjatë një telefonate në Skype nga studioja e tij.
Kosova nuk është shteti i parë që do të përfaqësohet nga Xhafa në Venecia. Ai zyrtarisht ka qenë pjesë e pavijoneve italiane, përfshirë shfaqjen e artistëve italianë të vitit 2013, dhe ka përfaqësuar Shqipërinë jozyrtarisht. Në vitit 1997, në fillesat e karrierës së tij, ai hyri fshehurazi në hapësirat e Bienales i veshur si një futbollist i Shqipërisë me një radio të ngjitur në shpatulla që transmetonte një ndeshje mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai e titulloi performancën e tij “Albanian Clandestine Pavilion” duke e komentuar dhe prezantuar një “intervenim” për mungesën e Shqipërisë në shfaqjen e atij viti.
“Kam dashur ta nxjerr në dukje kompleksitetin e mospërfshirjes dhe përfshirjes në Bienalen e Venecias”, shpjegoi ai, duke theksuar prestigjin kombëtar që kërkojnë shtetet nga kjo ngjarje e artit bashkëkohor. “Meqenëse shqiptarët dhe kosovarët janë pjesë e projektit global të emigrimit, kam dashur që kjo performancë të jetë e gjallë, të jetë arkitekturë e lëvizshme.
Si emigrant që së pari jetoi në Itali dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai njihet më së shumti për eksplorimet në fushat e legalitetit dhe ilegalitetit, migrimit dhe politikat e përfaqësimit.
Në vitit 2001 në Bienalen e Stambollit, performanca e Xhafës e titulluar ‘Elegant Sick Bus (Autobusi i Sëmurë Elegant)’ e thekson atë që ai e quan “mikpritje e sforcuar” dhe vështrimi turistik i shkaktuar nga ekonomia e turizmit. Disa burra shtynë një autobus të stërvjetëruar e të mbuluar me pasqyra përgjatë rrugëve të zhurmshme të Stambollit. Me sipërfaqen pasqyruese të autobusit, Xhafa ka dashur ta kapë audiencën, përfshirë popullatën vendase, në spektakël.
Në ballafaqim me qëndrimin e mëhershëm mbi turizmin, dy vepra më të vonshme, “ Barka” (2011) dhe “Medusa Archive” (2014), përqendrohen në migrim. Janë vepra të zymta që përdorin gjësende të gjetura për ta theksuar krizën e refugjatëve.
“Barka” është një barkë e ndërtuar nga qindra këpucë të gjetura në ishullin italian të Lampeduzës, një pikë tranziti për mijëra azilkërkues që tentojnë ta kalojnë Mesdheun. Medusa Archive, një përvetësim i sendeve të gjetura në ishull, qe një elegji për anijethyerjen në Lampeduzë të vitit 2013.
Xhafa nuk do të prodhojë art sensacional: ai nuk ka dashur të shfaqë pamje eksplicite të dhunës së përjetuar nga refugjatët sikur “shfaqet në BBC dhe CNN”, thotë ai. Komentet e tij sjellin në kujtesë pyetjen më të madhe të ndikimit të fotografive të luftës dhe paraqitjes së dhunës, gjë e cila është ngritur në librin “Regarding the Pain of Others (Mbi dhimbjen e të tjerëve)” të Susan Sontag-ut. Sontag argumenton se imazhet e luftës shpeshherë trazojnë, përsërisin, thjeshtojnë dhe “krijojnë iluzion të konsensusit”– iluzionin që kur shohim pamje të tmerrshme të vuajtjes njerëzore, ‘ne’ vetvetiu e ndiejmë dhimbjen e tyre. Por, autorja e ndjerë argumentoi që ‘ne’ nuk duhet të merret e mirëqenë.
Për Xhafën, arti ka të bëjë me përvojën dhe dyshimin. Roli i artit është t’i ndihmojë shikuesit të përjetojnë “dimensione tjera”, shpjegoi ai, për ta hapur një gjendje më kundruese dhe ta ndryshojë gjendjen mendore por të ngrejë pyetje universale.
Kritikët shpesh cekin se vepra e Xhafës ngre pyetje, por nuk sjell përgjigje teknike.
“Po t’i kisha ditur zgjidhjet, kurrë nuk do të isha marrë me art. Unë e përdor artin si pyetje. Ne jetojmë në një botë shumë dinamike. Marrëdhëniet gjeografike, migrimi, padrejtësitë… ato i ndikojnë jetët tona të përditshme… nuk ka një zgjidhje të vetme, janë me mijëra zgjidhje,” u përgjigj ai. “Duhet ta përdorim kreativitetin, jo vetëm në art, por në çdo fushë… kreativiteti është thelbësor për mbijetesën tonë”.
Mbijetesa dhe shpresa kanë qenë tema qendrore të thurura përgjatë karrierës artistike të Xhafës, dhe duhet të presim që t’i shohim këto tema të lidhura me vendlindjen e tij teksa ai përfaqëson Kosovën në Venecia sivjet. Pavijonet kombëtarë, secila me kuratorë dhe artistë, zakonisht menaxhohen ministritë e kulturës të shteteve. Për Xhafën, t’i drejtojë politikat e veta të përfaqësimit është pjesë e mirëseardhur e sfidës.
“Bienalja më fort përfaqëson qëndrim politik sesa artistik–për fat të keq, një qëndrim politik kombëtar . Jam disi i shqetësuar nga kjo. Sidoqoftë, e pranoj si pjesë të sfidës”.
“Fundja, roli i artit është të bëjë art të mirë pa folur shumë”.
“Lost and found” ka për kuratore Arta Aganin, Drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Do të jetë e hapur nga 13 maji deri më 22 nëntor të këtij viti në Venecia (me një Parapremierë Profesionale më 10, 11 dhe 12 maj).