Skeda22 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Arif Tafani –kryetar i Bashkisë Belsh

Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, i cili kandidon për një mandat tjetër më 30 qershor  rezulton me mungesë burimesh për të justifikuar shtesën e pasurisë për tre vite të deklarimit në vlerën totale të 3.9 milionë lekëve.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Arif Tafani u rikthye në krye të Bashkisë së Belshit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ai fitoi me 45.51% të votave kundrejt rivalit të tij politik.

Arif Tafani i ka kryer studimet në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës dhe ka marrë titullin Agronom i Lartë. Ai është përfshirë në politikën lokale në vitin 2000, kur kandidoi për herë të parë si kryetar i bashkisë së Belshit dhe e fitoi atë për tre mandate radhazi deri në vitin 2011.

Gjatë viteve 2011-2013, Tafani u angazhua në biznes privat, ndërsa në vitin 2013 u emërua drejtor i Shërbimit Pyjor të Elbasanit. Në vitin 2015, Arif Tafani u kandidua sërish nga Partia Socialiste dhe aktualisht është në fushatë elektorale për të marrë një mandat tjetër në zgjedhjet e kontestueshme të 30 qershorit.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Belshit nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetari i Bashkise se Belshit, Arif Tafani per vitet 2004-2017.

Kryebashkiaku Arif Tafani zotëronte pasuri me vlerë 2 milionë lekë në vitin 2004, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Tafanit është rritur me gati 6 herë, duke kapur vlerën e 12.7 milionë lekëve. Pasuria e paluajtshme përbën zërin kryesor të aseteve me një apartament në vlerën e 8.4 milionë lekëve. Z.Tafani zotëron gjithashtu një automjet me vlerë rreth 1.3 milionë lekë, likujditete bankare prej 1 milion lekësh dhe kursime në cash sërish 1 milion.

Të ardhurat familjare të deklaruara për periudhën 2004-2017 janë 14.7 milionë lekë. Rreth 63% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni, ndërsa 20% burojnë nga paga e bashkëshortes. Familja Tafani ka përfituar gjithashtu të ardhura më të vogla nga biznesi si dhe nga shitja e një automjeti.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, nga të cilat 3 deklarata rezultuan me probleme dhe 9 të tjerat pa probleme.

Kryebashkiaku i Belshit rezulton në pamundësi financiare për të justifikuar me burimet e deklaruara shtesën e pasurisë për vitet; 2005 në vlerën 340 mijë lekë, 2014 në vlerën 3.2 milionë lekë dhe 2015 në vlerën 325 mijë lekë.

Diferenca negative e vitit 2014 lidhet me blerjen e një apartamenti për 8.4 milionë lekë, për të cilin Z.Tafani ka deklaruar si burim një hua prej 4 milionë lekësh.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë rezultuan si “flamuj të kuq” marrja e huasë prej 4 milionë lekësh në vitin 2014, e cila është shlyer një vit më pas përmes një kredie bankare.

Kryetari i Bashkisë së Belshit kishte deklaruar më parë edhe një tjetër kredi bankare prej 5 milionë lekësh, për të cilën nuk është shpjeguar destinacioni i parave dhe nuk është e qartë nëse kredia është shlyer ose jo, pasi nuk rezulton që subjekti të ketë deklaruar këste për shlyerjen e kredisë në vitet e mëpasshme.

BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” shitjen e një automjeti në vlerën 6 mijë euro në vitin 2013, pronësia e së cilit nuk rezulton të jetë deklaruar në vitet e mëparshme.

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata Pas Largimit nga Detyra 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al