Skeda10 Dec 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar-Emona Muçi-kryetare e Gjykatës së Pogradecit

Kryetarja e komanduar e Gjykatës së Rrethit Pogradec, Emona Muçi do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2012 në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Emona Muçi, kryetare e komanduar e Gjykatës së Pogradecit do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Muçin drejtohet nga Xhensila Pine dhe ka si anëtarë Suela Zhegun dhe Brunilda Bekteshin.

Emona Muçi e ka nisur karrierën në gjyqësor në vitin 2012, pas kryerjes së Shkollës së Magjistraturës. Përgjatë tetë viteve, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Dibrës, ka ushtruar funksionin e ndihmëses ligjore në Gjykatën e Lartë dhe në vitin 2016 u komandua si kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Emona Muçi nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar e gjyqtares Emona Muçi për vitet 2012-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Emona Muçi nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2012, kur deklaroi për herë të parë interesat e saj në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtares Muçi kap vlerën e 9.6 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.6 milionë lekësh në vit. Pasuria e gjyqtares përbëhet nga një apartament i blerë pjesërisht me kredi në vlerën e rreth 8.4 milionë lekëve, një automjet 350 mijë lekë si dhe kursime në cash në vlerën e 850 mijë lekëve.

Për periudhën deklaruese 2012-2017, znj. Muçi ka realizuar të ardhura me vlerë 6.2 milionë lekë. Paga nga funksioni si gjyqtare përbën 88 për qind të të ardhurave, ndërkohë që 8 për qind e tyre përbëhet nga dhurata prej 500 mijë lekësh që e motra i ka bërë me rastin e diplomimit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit të gjyqtares Emona Muçi, nga të cilat një deklaratë rezulton me diferencë negative.

Mungesa e burimeve rezulton në vitin 2015, kur gjyqtarja Muçi bleu një apartament me vlerë 61 560 euro, të financuar sipas saj me 43 mijë euro kredi bankare, 5 mijë euro hua dhe kursimet cash nga puna në vlerën e 570 mijë lekëve. Shuma e pajustifikuar në blerjen e këtij aseti rezulton të jetë rreth 989 mijë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al