Kryetari i bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo kandidon si i pavarur në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga 2015 deri në fund të vitit 2017.
Leonidha Hristo u zgjodh kryetar i bashkisë së Finiqit në vitin 2015 si përfaqësues i Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA, me 52.87% të votave. Ndërkohë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, 2019 ai kandidon si kandidat i pavarur.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë Finiq nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2015, kryetari i bashkisë Finiq ka deklaruar një pasuri familjare prej 22.6 milionë lekë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e subjektit kap një vlerë prej 24.7 milionë lekë.
Kjo pasuri përbëhet nga 1 milionë lekë likuiditete në bankë, 1.8 milionë lekë likuidtete cash, 3.7 milionë lekë pasuri të luajtshme, 6.4 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe 11.6 milionë lekë huadhënie.
Të ardhurat e subjektit gjatë periudhës së deklarimit kapin vlerën 7.6 milionë lekë, nga të cilat 5.5 milionë lekë vijnë nga paga për shkak të funksionit dhe paga e familjarëve, 1 milionë lekë nga shitja e një prone familjare dhe 912 mijë lekë dhuratë cash nga prindërit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave u evidentuan disa flamuj të kuq. Më konkretisht subjekti Leonidha Hristo në deklarimin Para Fillimit të Detyrës, ndër të tjera, ka deklaruar huadhënie ndaj personave të tretë në shumën 85,000 euro dhe një shtëpi banimi me vlerë 6,4 milionë lekë të ndërtuar gjatë viteve 2007-2008 e cila është në proces legalizimi. Për vitin 2016 dhe 2017, subjekti ka deklaruar që ka marrë në formë dhurate nga prindërit (për shkollimin e djalit) gjithsej 6,800 euro.
Deklarata e pasurisë përpara fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al