Skeda14 Nov 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Simon Pashuku –prokuror në Prokurorinë e Lezhës

Prokurori Simon Pashuku do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tirane
Printo

Prokurori i Prokurorisë së Lezhës, Simon Pashuku do të përballet të premten më  15 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që po kryen hetimin administrativ për prokurorin Pashuku përbëhet nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine.

Simon Pashuku e ka filluar karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 1999. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe përgjatë 5 viteve e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Kukësit. Në vitin 2017, Pashuku është emëruar në Prokurorinë e Lezhës, ku vazhdon ta ushtrojë detyrën edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Simon Pashuku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurise se deklaruar nga prokurori Simon Pashuku per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Simon Pashuku zotëronte pasuri me vlerë 2 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është rritur me 8 herë, duke kapur vlerën e 16.3 milionë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Pashukut ndahet në 10.3 milionë lekë pasuri të patundshme, 5.1 milionë lekë likujditete bankare, 550 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 300 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 12.3 milionë lekë. Rreth 64% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni të Z.Pashuku, ndërsa 29% pagën e bashkëshortes. Të ardhurat e deklaruara me burim nga qiraja zënë gati 6% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 9 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me probleme.

Pashuku ka qenë subjekt deklarues deri në vitin 2004 si oficer i Policisë Gjyqësore dhe pas një shkëputjeje 8 vjeccare, ai ka deklaruar sërish pasurinë e tij familjare në vitin 2012. Në intervalin mes dy periudhave, ai ka krijuar pasuri me vlerë 11. 2 milionë lekësh, e përbërë nga një apartament prej 60 mijë eurosh dhe kursime prej 40 mijë eurosh, por ka deklaruar si burim vetëm një kredi bankare prej 25 mijë eurosh. Pjesa tjetër prej 9.8 milionë lekësh është e pajustifikuar me burimet e deklaruara në ILDKPKI.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” deklarimin e një shtëpie me sipërfaqe 100 m2 në proces legalizimi në Bërdicë të Madhe në Shkodër, e cila “është dhënë me qira pa akt noterial”.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al