Lajm10 Dec 2019

Socialistët mbrojnë draftet e medias nga kritikat vendase dhe ndërkombëtare

Katër institucione ndërkombëtare dhe 15 organizata vendase kritikuan në dy dëgjesa paralele në Kuvend projektligjet e qeverisë “Rama” për kontrollin e mediave online, por deputetët e PS-së në të dy komisionet vazhduan symbyllurazi t’i mbrojnë ato si të “konsultuara ndërkombëtarisht”.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Deputetët socialistë të Komisionit të Medias gjatë dëgjesave publike të zhvilluara të martën.

Në dy tryeza paralele të zhvilluara të martën në Kuvendin e Shqipërisë, institucionet ndërkombëtare dhe organizatat e lirisë së medias në njërën anë dhe përfaqësuesit e mazhorancës socialiste në anën tjetër folën në gjuhë të ndryshme në ato që konsiderohen konsultime publike mbi projektligjet e paketës “antishpifje”.

Përfaqësuesit e katër institucioneve ndërkombëtare, OSBE, BE, Këshilli i Europës dhe UNDP përsëritën njëzëri para Komisionit të Medias se draftet nuk janë ende në përputhje me standardet e lirisë së shprehjes, ndërsa kërkuan konsultime shteruese dhe adresimin e të gjitha shqetësimeve të ngritura.

Thuajse në të njëjtën kohë në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e 15 organizatave vendase të medias dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut bënë thirrje për tërheqjen mbrapsht ose rrëzimin në Kuvend të projektligjeve që “cënojnë lirinë e shprehjes”.

Të rrethuar nga rezervat dhe kundërshtitë, deputetët e mazhorancës vazhduan megjithatë symbyllurazi t’i mbrojnë projektligjet e qeverisë si të konsultuara ndërkombëtarisht. Ata i thurën lavde qëllimit për të luftuar dizinformimin dhe lajmet e rreme –për të cilat spekuluan sërish se legjislacione të ngjashme po prezantohen tashmë gjithandej nëpër Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Madje, një deputet socialist në Komisionin e Medias kritikoi përfaqësuesit e qeverisë se pse e kishin zbutur variantin fillestar. I habitur më vonë nga qëndrimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, deputeti madje i pyeti këta të fundit në mos rekomandimet e tyre po binin ndesh me frymën e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Propozimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për t’i futur mediat online në një regjim kontrolli u bë publik dhjetorin e vitit të shkuar, ndërsa u prit me kritika të ashpra nga organizatat ndërkombëtare dhe ato vendase të lirisë së medias –të cilat e konsideruan projektin si drakonian dhe të paprecedentë për vendet demokratike.

Nga varianti fillestar draftet pësuan dy herë ndryshime, por institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në mbeten të pakënaqura. Megjithatë, kryeministri Edi Rama deklaroi në një mbledhje të pak ditëve më parë se kishte për synim kalimin e tyre në senacën e fundit parlamentare për këtë vit, të parashikuar për t’u zhvilluar më 19 dhjetor.

Kritikat e institucioneve ndërkombëtare

Zv.shefja e delegacionit të BE, Monica Bylaite, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, përfaqësuesja e OSBE-së, Irina Radu dhe përfaqësuesja e Këshillit të Europës, Erkanda Bujari në Komisionin e Medias.

Ndonëse është komisioni përgjegjës, Komisioni i Medias në Kuvend zhvilloi të martën konsultimet e para për projektligjet që ndryshojnë kryekëput misionin e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe i japin AKEP-it kompetenca kontrolli mbi përmbajtjen e medias online.

Në dëgjesën e parë përpara deputetëve, drejtori i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Besmir Beja e shpjegoi nevojën për ndryshime ligjore me rritjen e ndikimit të mediave online në Shqipëri dhe ndikimin e Fake News –të cilin ai e quajti të “jashtëzakonshëm”.

“Fake News po përdoret për të nxjerrë përfitime ekonomike,” tha Beja, pa ofruar ndonjë provë apo studim në këtë drejtim.

Ai shtoi se ishin studiuar katër modele për të hartuar legjislacionin mbi median; ai gjerman, i Malit të Zi, Letonisë dhe Kroacisë, ndërsa shtoi se ishte marrë për bazë modeli kroat. Një pretendim i tillë është rrëzuar më parë nga një ekspert i Këshillit të Europës, i cili i ka konsideruar propozimet shqiptare si të pangjashme me asnjë vend të Europës.

Pretendimi i Ministrisë së Drejtësisë për modelin kroat u bë megjithatë fakt gjatë diskutimeve në Komisionin e Medias të martën dhe u përdor disa herë nga deputetët e mazhorancës për të theksuar se draftet ishin konsultuar për një kohë të gjatë dhe se ishin në përputhje me standardet.

Përfaqësuesit e katër institucioneve ndërkombëtare në dëgjesë këmbëngulën për të kundërtën.

“Jo të gjitha rekomandimet janë marrë në konsideratë. Ajo që mund të them është që nga drafti i fundit është konsideruar një hap përpara, por kam frikë se pa ndihmën e ofruar nga OSBE do të kishin mbetur në atë nivel që ishin,” tha Irina Radu, drejtuese e zyrës së medias në OSBE.

“Jemi ende të shqetësuar për kompetencat e mëdha të AMA-s. Gjobat janë shumë të larta dhe kritikat nuk duhet të konsiderohen shpifje. Duam gjithashtu të shohim të adresuara edhe qasje të tjera, të tilla si koncentrimi i pronësisë apo kasetat e parapërgatitura,” shtoi Radu.

Zv.shefja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Monika Bylaite përsëriti qëndrimin e mbajtur në seancën e 25 nëntorit se projektligjet duhet të kenë përputhshmëri të plotë me praktikat ndërkombëtare për lirinë e fjalës.

Duke iu referuar deklaratës së Ramës për kalimin e mundshëm të drafteve për votim më 19 dhjetor, Bylaite ngriti pikëpyetje mbi synimin e dëgjesave publike dhe nëse ato do të adresonin shqetësimet e ngritura.

“Komisioni Europian vazhdon të rekomandojë qasje më pak të ashpra, të tilla si vetërregullimi. Ne bëjmë thirrje që konsultimet të jenë shteruese, duke marrë në konsideratë të gjithë ekspertizën dhe shqetësimet e ngritura. Ne nuk na duket se kjo do të arrihet të bëhet në mënyrën e duhur deri në fund të këtij viti,” shtoi ajo.

Erkanda Bujari nga Këshilli i Europës lexoi rekomandimet kryesore të ekspertes Dierde Kevin, duke sqaruar se për shkak të njoftimit të minutës së fundit, nuk u bë e mundur të sillej edhe para Komisionit të Medias.

“Duke qenë se rregullimi i medias online nuk është në përputhje me standardet e Këshillit të Europës, rekomandimi është të bëhet një hap pas dhe të rifillojë puna me strategjinë e përmirësimit të gazetarisë, online dhe offline,” lexoi Bujari, duke shtuar gjithashtu forcimin e mekanizmave vetërregullues dhe bashkërregullues për shifjen.

Ajo u kujtoi deputetëve se një rezolutë e Këshillit të Europës i detyron vendet anëtare të rishikojnë në mënyrë të pavarur ligjet për median, ndërsa e konsideroi të padrejtë vënien në funksionim të regjimeve të ndryshme për media të ndryshme.

Sipas versionit të fundit, vetëm media online do t’i nënshtrohet një regjimi të rreptë rregullimi nga AMA, ndërsa media audiovizive do të funksionojnë sipas ligjit aktual dhe media e shkruar do të funksionojë sipas vetërregullimit.

Kryetari i AMA-s, Gentian Sala përsëriti edhe para Komisionit të Ligjeve se bordi drejtues është shprehur në shumicë kundër ndryshimeve ligjore, duke i konsideruar ato censuruese dhe duke i dhënë AMA-s kompetenca të Prokurorisë. Përfaqësuesi i AKEP-it në takim u shpreh dakord.

Akuzat e një deputeti të opozitës parlamentare se qëllimi “është kapja e atyre pak mediave të lira” dhe se vetëm “ERTV- media në Facebook e Ramës do të mbetet hapur” u pasua nga një debat disa minutësh mbi rëndësinë e ndarjes së fakteve nga opinionet.

Fjalën më pas e mori deputetja Mirela Kumbaro, e cila e konsideroi procesin të rregullt dhe e vuri theksin te përmirësimi i drafteve.

“Me konsultim nuk do të thotë që të gjithë duhet të bien dakord,” tha Kumbaro. “E kush më shumë sesa ne që kemi dalë nga diktatura e gjatë është për mbrojtjen e lirisë së medias. Por ne kemi gjithashtu detyrim që të mbrojmë shëndetin moral dhe shëndetin publik,” shtoi ajo, mesa duket në padijeni të heqjes së përkufizimit mbi mbrojtjen e moralit publik nga projektligji me këmbënguljen e ekspertëve të huaj.

Deputeti Musa Ulqini bëri një interpretim të vetin se pse mediat online ishin në fokusin e projektligjit dhe se nëse pritej vetërregullimi, çështja do të mbetej sipas tij në kalendat greke.

“Sot në Shqipëri media online po lë pas median print dhe atë televizive. Gazetat janë shumë pak dhe kanë audiencë të pakët,” tha Ulqini. “Amendimet duhen bërë me standardet e duhura, por ne nuk kemi bërë asnjë gabim. E ka diktuar zhvillimi i kësaj media,” shtoi ai.

Përfaqësuesja e OSBE-së, Irina Radu i sfidoi deputetët e PS-së nëse i kishin bërë pyetjen vetes se ndoshta njerëzit po zhvendosen drejt mediave online për shkak se ato janë më të lira dhe më pak të kontrolluara nuk mori asnjë përgjigje.

Deputeti Ismet Beqiraj i PS-së iu përgjigj sfidës me pyetje të vetat për ndërkombëtarët, duke vënë në dyshim nëse ata ishin vënë në dijeni me variantet e fundit dhe madje duke i konsideruar qëndrimet e tyre në kundërshtim me vetë frymën e BE-së dhe ShBA-ve.

Si përgjigje, zv.shefja e delegacionit të BE-së, Monika Bylaite përsëriti edhe njëherë ç’ka kishte thënë më parë për përmirësimin e drafteve dhe shqetësimet që mbeten për t’u adresuar.

“BE e shpreh shumë qartë që ka ende shqetësime që kanë të bëjnë me lirinë e fjalës. Ne ju kuptojmë që doni të trajtoni dizinformimin, por ne rekomandojmë qasje më të buta që kanë të bëjnë me vetërregullimin,” tha ajo.

Organizatat e medias: Tërhiqni projektligjet

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa duke lexuar deklaratën e përbashkët të 15 organizatave të medias dhe lirisë së shprehjes.

Në tryezën e organizuar nga Komisioni i Ligjeve, 15 organizata të medias dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri kërkuan njëzëri tërheqjen e projektligjeve ose mosvotimin e tyre nga deputetët e parlamentit.

Organizatat kundërshtuese janë BIRN Albania, Civil Right Defenders, Citizens Channel, Faktoje, Instituti Shqiptar i Medias, Instituti Shqiptar i Shkencave, Këshilli Shqiptar i Mediave, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Historia Ime, Qendra Respublica, qendra Medialook, Qendra Shqiptare për Gazetarinë Cilësore, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Deklarata e përbashkët u lexua nga kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, i cili kundërshtoi përfshirjen e AMA-s dhe AKEP-it në kontrollin e medias online si dhe theksoi rëndësinë e vetërregullimit në garantimin e pavarësisë së mediave.

“Dy projektligjet i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gati gjyqësore me natyrë sanksionuese, edhe pse këto organe të pavarura sipas ligjit, nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor,” tha Çipa.

“Vetërregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe i mbron ato nga ndërhyrjet partizane të qeverisë. Organizatat u bëjnë thirrje eëdhe organizatave simotra në botë dhe u janë përgjigjur 6 organizatat më prestigjoze në botë që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes,” shtoi Çipa.

Deputetët e mazhorancës këmbëngulën në seancë që të diskutohej nen për nen, por drejtoresha ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko theksoi se organizatat kundërshtojnë në parim përfshirjen e AMA-s dhe AKEP-it në kontrollin e përmbajtjes së medias online.

“Ne kundërshtojmë në parim që të jenë këto dy institucione, për fat të keq ende të varura politikisht siç theksohet në të gjitha raportet, që të kontrollojnë dhe të censurojnë përmbajtjen e medias online,” tha Voko.

“Modelin tuaj që media të rregullohet nga institucione administrative, unë nuk e kam parë në asnjë vend me përjashtim të Rusisë së Putinit,” shtoi Voko.