Lajm18 Feb 2019

‘Solidariteti,’ punëtorët e ‘call-center’-ave themelojnë sindikatën e parë

Punëtorët e disa kompanive ‘call-center’ që ofrojnë shërbime klientësh për të tregun italian, kanë themeluar sindikatën e parë duke pasur si qëllim të përfaqësojnë 30 mijë të punësuarit e sektorit në Shqipëri.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Ilustrim i një call center.

Sindikata Kombëtare e Qendrave të Kontaktit do të quhet ‘Solidariteti’. Ky është vendimi i marrë nga një numër përfaqësuesish të industrisë të cilët u mblodhën të hënën për të themeluar të parën sindikatë të sektorit të tyre, i cili në Shqipëri ka rreth 30 mijë të punësuar.

“Mbrëmë punëtorët zhvilluan asamblenë themeluese të sindikatës dhe sot dorëzuan dokumentet e njohjes ligjore të saj,” thuhet në një njoftim të sindikatës në rrjetet socialie.

Sipas njoftimit qendrat e kontaktit, ndryshe të njohura si ‘call-center’, po e zgjerojnë shtrirjen e tyre në ekonominë shqiptare dhe se 7% e forcës punëtore formale është e punësuar në qendrat e kontaktit me bazë gjuhën italiane.

Kompanitë që ofrojnë shërbime për tregun në gjuhë italiane – si Teleperformace, IDS apo Alba Call janë dhe punëdhënësit më të mëdhenj të sektorit. Vetëm në Shqipëri ‘Teleperformancë’ llogaritet se ka më shumë se 2 mijë të punësuar, pjesë e të cilëve po organizohen nën ombrellën e lëvizjes sindikale.

“Ne jemi zëri që dëgjojnë klientët kur kanë nevojë për ndihmë teknike dhe tani, me sindikatën tonë, ne do të kemi një zë në organizimin e punës sonë,”  tha njëri prej drejtuesve të punëtorëve të Teleperfromance-s.

“Themelimi i sindikatës sonë të re është një hap historik drejt rritjes së standardeve të punës në sektorin tonë. Punëdhënësit tanë duhet të nisin menjëherë negociatat për arritjen e një kontrate kolektive për të gjithë sektorin,” shtoi ai.

Kompania franceze Teleperformace ofron shërbime në formë nënkontraktori për korporata ndërkombëtare si Apple, Amazon dhe Lottomatica. Ajo është gjobitur një vit më parë nga autoritetet shqiptare për probleme me kontributet shoqërore të punëtorëve.

“Për shkak të zgjerimit të shpejtë të qendrave të kontaktit në Shqipëri, duhet të përpiqemi që në këto vende të reja pune kushtet e punës të jenë të mira dhe paga të jetë dinjitoze,” tha Bora Mema, përfaqësuese e Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, IKESH.

“Nuk mund të lejojmë që kompanitë nënkontraktuese si Teleperformance-a të minojnë standardet e punës së punëtorëve shqiptarë. U bëjmë thirrje punëdhënësve të nisin një proces të ndershëm marrëveshjeje me sindikatën e punëtorëve,” shtoi ajo.

Një zëdhënës për kompaninë Teleperformace nuk ishte menjëherë i arritshëm të hënën mbasdite.

Përveç mbështetjes së IKESH, përpjekjet organizuese të punëtorëve të sektorit të qendrave të kontaktit janë mbështetur nga sindikatat italiane të telekomunikimit SCL-CGIL dhe FISTel-CISL dhe nga Sindikata Globale UNI, e cila është një federatë sindikale ku përfshihen 20 milionë punëtorë shërbimesh nga 150 vende të botës.

“Globalizimi i shërbimeve nuk duhet të nënkuptojë një garë globale drejt standardeve më të ulëta. Sindikata e re në Shqipëri do të jetë një prej efekteve domino në organizimin sindikal nëpër Evropë e më gjerë,” tha Teresa Casertano Sindikatës Globale UNI.

Përfaqësuesit e sindikatave italiane SLC-CGIL dhe FISTel-CISL, Marco Del Cimmuto dhe Giorgio Serao, nënvizuan se të drejtat e punëtorëve në një industri globale nuk duhet të njohin kufij.

“Nuk mund të mendojmë më vetëm për punëtorët italianë të qendrave të kontaktit dhe për kushtet e tyre të punës pasi jemi përpara një industrie globale,” thanë ata.

“Problemet e punëtorëve në Shqipëri dhe Itali janë të lidhura ngushtë dhe e vetmja mënyrë për t’i përballuar këto probleme është një qasje shumëkombëshe,” deklaruan sindikalistët italianë.