Lajm14 May 2018

Studimi: Fëmijët me aftësi të kufizuara të diskriminuar dhe me akses të dobët në shërbime

Fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë me aftësi të kufizuar u duhet të përballojnë diskriminim, shërbime të dobëta dhe jashtë nevojave të tyre, ndërsa jetojnë në familje me të ardhura të ulëta të cilat nuk janë në gjendje të përballojnë kostot e shërbimeve të nevojshme për ta, zbuloi të hënën studimi i parë i thelluar kombëtar nga World Vision Albania dhe Save the Children Albania.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese nga Ivana Dervishi/BIRN

Një studim kombëtar i publikuar të hënën nga organizata World Vision dhe Save the Children, zbuloi se fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar në vend përballen me diskriminim, vështirësi ekonomike e arsimore, si dhe mungesë shërbimesh të nevojshme.

Studimi mati për herë të parë prevalencën e aftësisë së kufizuar te fëmijët dhe të rinjtë e moshës 2 deri në 17 vjeç përmes intervistave me 13.000 familje në të gjithë Shqipërinë dhe vlerësoi mundësitë e tyre për zhvillim dhe akses në shërbime cilësore.

Ai zbuloi se një nga dhjetë fëmijë në Shqipëri ka aftësi të kufizuar ku prevalon mosha 5 deri në 14-vjeç dhe se vetëm 4 për qind e tyre janë të pajisur me certifikatë mjeko-ligjore.

“Një në dy fëmijë me aftësi të kufizuar përjeton diskriminim në komunitet (52,9%), në institucione arsimore (52,4%) dhe gjatë lojës me bashkëmoshatarë (54,9%); ndërsa 1 në 3 fëmijë me aftësi të kufizuar diskriminohet në shërbimet e tjera publike si ato shëndetësore ose shoqërore”, thuhet në studim.

Mjeku i familjes mbetet instrumenti kryesor i rekomandimit të fëmijëve me aftësi të kufizuar në rreth 58 për qind të rasteve, duke kaluar kështu edhe personat e tjerë që kanë kontakt të përditshëm me fëmijët si mësuesit (5.5%) dhe prindërit.

Diskriminim dhe varfëri

Rreth 66 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuar jetojnë në familje me të ardhura të ulëta, ndërsa 30 për qind e tyre jetojnë në familje me të ardhura të mesme, ku nënat duket se janë kujdestaret kryesore për fëmijët me aftësi të kufizuar pasi 58 për qind e tyre janë të papuna ose të punësuara pjesërisht, krahasuar me 33 për qind të baballarëve.

Pjesa më e madhe e fëmijëve të certifikuar nga komisioni mjekësor marrin vetëm mbështetje financiare, 13,6% marrin përkujdesje në familje nga një mjek specialist, ndërkohë që më pak se 4% përfitojnë forma të tjera të mbështetjes si shërbimet e specializuara mjekësore dhe arsimore, ato të rehabilitimit dhe ato psikosociale, raportoi hulumtimi.

86.9% e prindërve e vlerësojnë mbështetjen e ofruar financiare si jo të mjaftueshme ose krejtësisht të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat bazë dhe për të përballuar kostot e shërbimeve të lidhura me aftësinë e kufizuar.

Mungesë aksesi në shërbime

Studimi ngre alarmin se vetëm 7.8 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuar morën shërbime sociale gjatë 12 muajve të fundit, përmes qendrave të specializuara, qendrave të kujdesit ditor, atyre të shëndetit mendor dhe qendra rezidenciale të përkujdesjes sociale.

Papërballueshmëria e kostove financiare që lidhen me marrjen e shërbimit (88,9%); mungesa e transportit (20,0%); mungesa e shërbimit në komunitet (8,9%); refuzimi i shërbimit (11,1%), si dhe cilësia e papërshtatshme e shërbimeve (8,9%) janë sipas prindërve arsyet kryesore për mosndjekjen e shërbimeve sociale.

Nga ana tjetër, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë më të pakënaqurit me shpenzimet që duhet të bëjnë për të marrë shërbimin, përkundrejt 17,7% të prindërve të fëmijëve që nuk kanë aftësi të kufizuar ose kanë vështirësi funksionale të nivelit të lehtë.

Shkollim i cunguar

Sipas World Vision numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar që ndjekin çerdhen, kopshtin dhe shkollën është më i ulët se i fëmijëve të tjerë.

Shkollat speciale dhe ato profesionale janë institucione që përbëjnë një pjesë mjaft të ulët të arsimimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi 94.3 për qind e tyre ndjekin shkolla të zakonshme. Lidhur me këtë, prindërit e fëmijëve shprehen të pakënaqur për kushtet infrastrukturore të institucioneve arsimore dhe largësisë së tyre.

Afërisht për çdo nëntë fëmijë që ndjekin nivelet e arsimit, vetëm shtatë fëmijë me aftësi të kufizuara shkojnë në shkolla. Numri ulet edhe më shumë për fëmijët, aftësia e kufizuar e të cilave është vlerësuar nga një komision mjekësor.

Një tjetër problem i ngritur nga prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara është gjithashtu pakënaqësia me ecurinë e fëmijës në shkollë, nivelin e përshtatjes së mësimdhënies për zhvillimin e fëmijëve dhe niveli i respektit të shfaqur nga stafi arsimor.

Prindërit gjithashtu konsideruan si të papërballueshme shpenzimet e nevojshme për mundësimin e frekuentimit të institucioneve arsimore nga fëmijët, vështirësi që raportohej në një shifër më të ulët te prindërit e fëmijëve pa aftësi të kufizuara.

Rreth gjysma e fëmijëve të marrë në studim (45.4%) hasin të paktën një vështirësi të nivelit të lehtë në fushat e funksionimit.

Në vitin 2012 Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara por ende nuk ka nënshkruar Protokollin Opsional që do t’i mundësonte atyre mjetet e ankimimit.

“[Gjetjet]… na vënë përpara përgjegjësisë që të përballemi me këta faktorë dhe të ndërhyjmë për të ndërtuar politika, shërbime, praktika e programe, veçanërisht në nivel komunitar, që do të ndryshojnë jetën e fëmijëve” u shpreh drejtorja ekzekutive e World Vision për Ballkanin Perëndimor, Eljona Boçe Elmazi.

Ekspertët rekomanduan që institucionet shtetërore të punojnë për identifikimin multidisiplinor dhe të specializuar të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe trajnuese falas (ose me kosto të përballueshme) për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve me vështirësi të theksuar, bazuar në parimin e qasjes së klientit nga shërbimi (dhe jo anasjelltas), nevoja këto që duhet të shihen me përparësi.

Strukturat qendrore dhe vendore duhet të rrisin mbështetjen financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, sugjeruan ata.

Ata nxitën për vënien në përparësi të identifikimit dhe eliminimit të barrierave për identifikimin, certifikimin dhe përfitimin e shërbimeve për këtë grup të madh fëmijësh në rrezik të lartë.

“Raporti i ngushtë midis varfërisë dhe aftësisë së kufizuar nxjerr në pah nevojën e gjetjes së skemave të reja dhe efikase nga pikëpamja e kostos në mbështetje të këtyre familjeve”, thuhej në raport lidhur me papunësinë e prindërve të fëmijëve.

Sipas ekspertëve stafet psikosociale dhe ato mësimore duhet të trajnohen dhe informohen më shumë për të referuar fëmijët me aftësi të kufizuar te shërbimet speciale dhe për këtë do të shërbente një koordinim më i mirë i punës mes institucioneve.

Për të luftuar diskriminimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara gjatë jetës, ekspertët rekomanduan aplikimin e veprimtarive mbështetëse të përfshirjes domethënëse të fëmijëve në komunitet e më gjerë, jo vetëm në nivel shkollor.

“Në mënyrë që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj kundrejt fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe t’u garantojë atyre trajtim të barabartë dhe gjithëpërfshirës, duhen marrë masa për përmirësimin e sistemit të shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për përmbushjen e detyrimeve që autoritetet dhe shoqëria kanë ndaj realizimit të të drejtave të tyre,” theksoi Anila Meço, drejtoresha e Save the Children në Shqipëri.

 

Shënim: Drejtoresha e BIRN Albania, Kristina Voko u përfshi nga organizatat zbatuese për hartimin e këtij raporti.