Lajm11 Dec 2019

Të gjithë kundër, por Kuvendi shtyn drejt votimit ligjet për median online

Gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare bashkuan zërin në disa raunde konsultimesh publike kundër drafteve të qeverisë për median online, por në kundërshtim me sugjerimet, Komisioni i Ligjeve i konsideroi të kryera dëgjesat dhe paralajmëroi votimin nen për nen.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetja e PS-së Klotilda Bushka gjate një seance degjimore. | Foto : Gjergj Erebara

Pas dy raunde dëgjesash –para dhe pas tërmetit të 26 nëntorit –Komisioni i Ligjeve i konsideroi të kryera konsultimet të mërkurën dhe në kundërshtim me rekomandimet vendase dhe ndërkombëtare, vendosi të shtyjë përpara dy projektligjet  e qeverisë “Rama” të prezantuara si “paketa antishpifje”.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha të mërkurën se projektligjet do të kalojnë tashmë në fazën e shqyrtimit nen për nen, përpara se t’i dërgohen për votim seancës plenare.

“Besoj se draftet do të marrin në konsideratë disa nga sugjerimet e organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare. Nuk kemi ndonjë ngutje,” tha Manja përpara kamerave.

Në kohën që organizatat vendase kërkojnë njëzëri rrëzimin në parim të dy projektligjeve dhe ato ndërkombëtare rekomandojnë qasje krejt të ndryshme për të mos cënuar lirinë e shprehjes, reflektimi i këtyre sugjerimeve në draftet aktuale ngjan me një premtim bosh.

Prej dhjetorit të vitit të kaluar, qeveria e kryeministrit Edi Rama shpalli synimin për t’i vendosur mediat online në një regjim kontrolli, duke marrë kritika nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të njeriut.

Në një dëgjesë publike në Komisionin e Medias të mërkurën, draftet u konsideruan sërish si ligje censure nga gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gazetarja Mimoza Koçiu, përfaqësuese e shoqatës së “Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë” u kujtoi deputetëve të komisionit se kishin përballë një koalicion të madh gazetarësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe u bëri thirrje atyre që t’i rrëzojnë dy projektligjet.

“Pluralizmi i mendimit është vendosur në Shqipëri në vitin 1991 me themelimin e Rilindjes Demokratike. Mos e cënoni atë 30 vjet më vonë,” tha Koçiu.

Gazetari Ylli Rakipi, i paditur së fundmi dy herë për shpifje nga kryeministri, i kritikoi projektligjet si totalitare dhe e konsideroi këmbënguljen për t’i miratuar ato si nismë personale të Edi Ramës.

Përfaqësuesit e organizatave të medias të mërkurën në Komisionin e Medias.

“Projekligjet kanë frymë fashiste dhe e vendosin median online nën kontrollin e dy institucioneve që i krijon qeveria. Pra ju u është dërguar një projektligj që ta ktheni në ligj për të ligjëruar urdhrin administrativ të kohës së Enver Hoxhës. Urdhri administrativ do të dalë mbi drejtësinë, mbi gjykatat,” tha Rakipi, duke shtuar se nuk ka asnjë garanci se Këshilli i Ankesave do të jetë i pavarur.

“Bëjeni, por turpi do të jetë i juaji,” shtoi Rakipi përballë deputetëve.

Drejtoresha ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko theksoi në fjalën e saj se procesi ka qenë i mbushur me paqartësi dhe se Këshilli i Ministrave nuk është konsultuar me askënd në fazën e hartimit të drafteve. Voko hodhi poshtë edhe pretendimet mbi modele të huaja duke i konsideruar projektligjet të pangjashme me asnjë vend demokratik.

“Ne i kundërshtojmë dy projektligjet në tërësi, pasi nuk pranojmë që AMA dhe AKEP, dy institucione që kritikohen në të gjitha raportet për varësi politike të kenë kontroll mbi përmbajtjen e medias online,” tha Voko, duke i konsideruar ato si ligje censure.

Kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri, përfaqësuese e opozitës parlamentare i miratoi kritikat për paqartësi dhe mungesë transparence, duke u ankuar se edhe ajo ishte lënë në errësirë. Dhimitri shtoi se vetë ajo e kishte pasur të pamundur t’i gjente draftet –të cilat i kritikoi më pas si censuruese.

Komentet e Dhimitrit shkaktuan disa herë tension në sallë, ndërsa nënkryetarja Milva Ikonomi i sugjeroi disa herë asaj që të ishte e përmbajtur. Pyetjeve të Dhimitrit se ku ishin draftet, Ikonomi iu përgjigj se kishin nevojë të konsolidoheshin nga shërbimet juridike të Kuvendit.

“Drafti është përpunuar nga shërbimet juridike të Kuvendit me misionin e OSBE-së në Vjenë,” tha Ikonomi, ndërsa shtoi se shërbimet juridike ishin porositur gjithashtu që të bënin kërkime për modelin që Shqipëria po ndjek.

Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi anulimin e të dyja drafteve, duke u shprehur prerazi kundër çdo lloj arnimi. Ndërsa pranoi edhe defektet e medias, Çipa theksoi se ligjin duhet ta bëjnë gazetarët përmes mekanizmave të vetërregullimit dhe jo qeveria.

Kritika për censurë dhe shkelje të lirisë së medias adresuan edhe pedagogu Elvin Luku nga Medialook dhe gazetari Artan Rama.

“Gjobat janë shumë të larta dhe do t’i çojnë mediat online drejt mbylljes,” tha Luku, duke e konsideruar gjithashtu të rëndë ekzekutimin e tyre përpara ankimit në gjykatë.

Ndërsa Artan Rama tha se projektligjet i japin goditjen përfundimtare vetërregullimit në Shqipëri dhe u kujtoi deputetëve misionin e gazetarëve.

“Është detyrë e medias të kontrollojë qeverinë dhe kurrsesi e qeverisë të kontrollojë median,” përfundoi Rama.