Investigim8 Aug 2018

Të heshtura dhe të shfrytëzuara: Lulëzimi i biznesit fason rëndon mbi mijëra gra shqiptare

E kthyer në një kantier të rëndësishëm punësimi për familjet e varfra shqiptare, industria fason rritet mbi shfrytëzimin e punonjësve të vet, normën e lartë dhe punën e keqpaguar-ndërkohë që shkeljet e konstatuara nuk ndëshkohen.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Marjana Pjetri, 40 vjeç, nënë e tre fëmijve, ish punonjëse e farikës së tekstileve ‘Lovers Albania’ | Foto nga : LIndita Çela

Marjana Pjetri, 40-vjeç, ndjeu t’i tronditej makina qepëse ndër duar mëngjesin e 25 majit dhe pak sekonda më vonë u shemb në dyshemenë e kapanonit me mbi 150 punonjës të fabrikës së tekstileve “Lovers Albania” në Shkozet të Durrësit.

Nëna e tre fëmijëve-një nga mijëra gratë e punësuara në sektorin e fasonerisë në Shqipëri u përmend vetëm pasi u dërgua në spitalin rajonal të Durrësit.

“Në fillim nuk e kuptova ç’kishte ndodhur, por më pas pashë që i gjithë reparti ishte shtruar aty,” kujtoi Pjetri për BIRN. “Qëndrova një javë në spital derisa u përmirësova dhe gjatë gjithë kohës kam marrë serume,” shtoi ajo.

Ço ditë në dy vitet e fundit, Pjetri thotë se e niste punën në 7.25 minuta të mëngjesit dhe e mbyllte tetë orë më pas, në 17:30, brenda një ndërtese 3-katëshe ku mungonte ajri dhe ku furnizimet e shpeshta shkaktonin zhurmë dhe pluhur. Ajo i tha BIRN se punën në rrobaqepësi e nisi me qepjen e 150 xhaketave në ditë, por së fundmi norma mbërriti në 700 copë në këmbim të një page prej 29 mijë lekësh në muaj.

Mëngjesin e 25 majit, Pjetri nuk ishte e vetmja që kishte nevojë urgjente për trajtim mjekësor. Rreth 20 gra të fabrikës së prodhimit të veshjeve ushtarake “Lovers Albania” përfunduan me marrje mendsh, të vjella ose pa ndjenja në spital, për shkaqe që dy muaj më pas nuk kanë marrë ende përgjigje nga mjekët dhe Prokuroria e Durrësit-e cila nisi hetimin por nuk e ka përfunduar ende atë.

Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në sfondin e biznesit fason në Shqipëri, ku rritja graduale e prodhimit, e eksporteve dhe e fitimeve rëndon mbi krahun e lirë të punës, varfërinë dhe heshtjen e mijëra grave shqiptare.

BIRN intervistoi një duzinë punonjësesh të kompanive të ndryshme të prodhimit të tekstileve dhe të përpunimit të lëkurës në vend, të cilat në kushtet e anonimatit nga frika e humbjes së vendit të punës, dëshmuan për punë me orë të zgjatura në salla të errëta dhe të paajrosura, me normë ditore gati të pamundur dhe me paga që rrallëherë i kalojnë 30 mijë lekët në muaj.

Punonjëset e fasonerisë që BIRN intervistoi ankohen gjithashtu për trajtim çnjerëzor nga drejtuesit e kompanive si dhe bashkëjetesën me presionin e flakjes në rrugë.

Dëshmitë e punonjësve mbështeten edhe nga disa gjetje të institucioneve që kanë për detyrë të kontrollojnë zbatimin e Kodit të Punës si dhe të një morie ligjesh që lidhen me sigurinë në punë, me nxitjen e punësimit apo me atë të Sigurimeve Shoqërore.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se pavarësisht përmirësimeve në sektor sa i përket daljes nga informaliteti dhe lidhjes së kontratave të punës, “mbetet shumë për të bërë në zbatimin real të tyre gjatë marrëdhënies së punës”.

Inspektoriati shtoi gjithashtu se gjatë inspektimeve në rreth 77 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara në muajt prill dhe maj 2017 u konstatuan një seri shkeljesh të legjislacionit në fuqi, që lidhen me sigurinë në punë, mbrojtjen kundër zjarrit, informimin e punëmarrësve apo pagesat e kontributeve shoqërore.

I pyetur nga BIRN, edhe kreu i Inspektoriatit Qendror, Shkëlqim Hajdari pranoi problemet me këtë sektor, por u ankua se institucioni që ai drejton “nuk ka kompetenca të forta për të penguar abuzimet në vendin e punës”.

Drejtuesit e kompanisë “Lovers Albania” nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi ngjarjen e 25 majit dhe pretendimet e punonjëseve për kushtet e keqija të punës.

“Fabrika si stallë”

Foto ilustruese, punetorë te nje fabrike fasonësh në qytetin e Shkodrës | Foto nga : LSA

Industria e veshjeve ishte ndër degët kryesore të ekonomisë shqiptare deri në vitet ’90, kur vendi doli i rrënuar nga regjimi komunist dhe i hapi dyert ekonomisë së tregut. Pas viteve ’90, industria tradicionale e konfeksioneve u zëvendësua nga prodhimi i veshjeve me material porositës, kryesisht për kompanitë e huaja vazhdimisht në kërkim të krahut të lirë të punës.

Përgjatë dy dekadave, biznesi fason në Shqipëri u kthye në një kantier të rëndësishëm punësimi për familjet e varfra, por njëkohësisht vuajti famën e keqe për pagat e ulëta, kushtet e këqija dhe informalitetin e lartë.

Por ndërsa sipërmarrësit e këtij biznesi dhe institucionet shtetërore këmbëngulin për përmirësimin gradual të kushteve të punës, punonjëset e fasonerisë me të cilat BIRN foli e përshkruajnë ndryshimin nga “shumë keq” në “keq”.

Vera*, 39-vjeç, u punësua rreth një vit më parë në një kompani të prodhimit të këpucëve pasi dështoi të mbante në këmbë biznesin e saj të vogël të parukerisë. Gruaja, nënë e tre fëmijëve i tha BIRN se në fillim kushtet ishin të mira, por zhvendosja e fabrikës në Valias e ktheu punën e saj të përditshme në skëterrë.

“Fabrika ime është si stallë. Pa dritare, pa dyer, pa ndriçim të plotë. Imagjinoni mbi 1700 persona që rrinë ulur e punojnë këpucët aty,” thotë ajo, pasi u kujdes që intervista të bëhej larg shtëpisë së saj, në një lokal ‘undeground’ në zonën e Institutit në Kamëz.

“Zhurma e makinerive apo era e mastiçit është e padurueshme,” shtoi ajo.

Vera shton se në këtë ambient pa oksigjen i duhet të qepë rreth 300 palë këpucë në ditë për të çuar në shtëpi pagën mujore prej 28 mijë lekësh.

Në statistikat zyrtare, biznesi fason përfshihet në kategorinë e ndërmarrjeve prodhuese, duke i bërë shpeshherë të dhënat kontradiktore.

Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore janë 313 ndërmarrje fason të regjistruara në të gjithë vendin, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha në një përgjigje me shkrim se në vitin 2017 numëroheshin si aktive 709 ndërmarrje të konfeksionimit të veshjeve dhe 264 ndërmarrje të prodhimit të lëkurës dhe produkteve të tjera prej lëkure.

Të dyja këto linja prodhimi punësojnë së bashku 45 487 punonjës ose rreth 40 për qind të industrisë prodhuese në vend. Pjesa dërrmuese e të punësuarve në këtë sektor janë gra dhe vajza.

E pyetur për pagën minimale në këtë sektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i tha BIRN se INSTAT nuk e prodhon këtë tregues. Megjithatë, ky institucion dha numrin e të punësuarve dhe shpenzimet totale për pagat, ç’ka e nxjerr pagën mesatare mujore në 24.8 mijë lekë për punonjësit e prodhimit të veshjeve dhe rreth 26 mijë lekë për prodhuesit e produkteve të lëkurës për vitin 2017.

Thuajse gjysma e punonjësve të fasonerisë në vend janë regjistruar megjithatë me pagën minimale prej 22 mijë lekësh. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, i cili drejtohet nga Arben Seferaj i tha BIRN se rreth 43.7 për qind e punëmarrësve rezultojnë të siguruar me pagë minimale.

Ekzistenca e dy borderove pranohet edhe nga punonjëset që BIRN intervistoi, të cilat thanë se një pjesë të pagës e merrnin në bankë dhe pjesën tjetër në dorë. Megjithatë, ankesat për pagat, nuk janë aq të shpeshta sa ato për kushtet e punës dhe normën e lartë ditore.

Florian Zekja, pronar i dy kompanive fason i tha BIRN se futja në tregun shqiptar të kompanive ndërkombëtare mëmë i ka përmirësuar pagat në këtë sektor si dhe dhënien e tyre në kohë. Ai pranon se shumica e punonjësve janë të siguruar me pagë minimale, por shton se pagat variojnë në 30 mijë lekë e ndonjëherë edhe 40 mijë në muaj.

“Rumania është bërë shumë e shtrenjtë, Kina është e largët, por edhe kostoja është rritur atje. Për njëmijë motive, në Shqipëri kanë filluar të punojnë ndërmarrjet mëmë, që janë vetë markat,” tha Zekja për BIRN.

Zekja është i ndërgjegjshëm se ka ende kompani që shkelin Kodin e Punës, por ai thotë se 80 për qind e biznesit funksionon tanimë në kushte të mira. Ai mendon gjithashtu se ka një tendencë dashakeqe të medias ndaj këtij biznesi, i cili përforcohet edhe nga statistikat e INSTAT apo të Bankës Botërore.

“Kur dalin statistikat e INSTAT apo të Bankës Botërore, del që biznesi fason i ka pagat e ulëta, por kjo nuk është e vërtetë,” tha Zekja për BIRN.

Shkeljet nuk ndëshkohet

Kryeministri Edi Rama duke vizituar një fabrikë veshjesh më 6 qershor 2017. Foto” Facebook

Thuajse dy muaj pasi përfundoi pa ndjenja në spital, Marjana Pjetri nuk ka ende një përgjigje se çfarë i rrezikoi jetën. 40-vjeçarja i tha BIRN se mjekët u përpoqën ta bindnin se shkak ishte bërë anemia, por ajo këmbëngul se ishte e shëndetshme dhe fajëson për sëmundjen furnizimin e fabrikës me copë të re dhe me erë të rëndë.

“Kishte ardhur furnizimi i ri dhe që një ditë më parë unë ndjehesha keq. Kam shkuar në shtëpi me të marra mendsh dhe vetëm pasi volla u qetësova,” kujtoi ajo.

Pasi qëndroi në spital për një javë, mjekët i dhanë edhe një javë pushim. Por Pjetri nuk u kthye më në kapanonin e kompanisë “Lovers Albania”, pasi mësoi nga koleget e saj se drejtuesit e kompanisë fajësonin punonjëset e tyre për incidentin.

Pas intoksikimit të punonjëseve të kompanisë në Shkozet, Prokuroria e Durrësit regjistroi procedimin penal me nr; 1013 për akuzën e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Në funksion të hetimit të këtij procedimi janë kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë aktet e Ekspertimit Toksikologjiko-Ligjor për të gjitha rastet për të cilat është vendosur ekspertimi… Duke qënë se ky procedim është në hetim, për shkak të sekretit hetimor,  nuk mund t’ju bëjmë me dije veprime konkrete të kryera,” thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Durrësit.

Ky është rasti i dytë brenda një viti që Prokuroria ka regjistruar procedim penal për helmime masive në ndërmarrjet e fasonerisë, por pa ndëshkuar askënd.

Më 31 maj 2017, në një fabrikë këpucësh të kompanisë “Merlika Group sh.p.k” në fshatin Budull të Fushë-Krujës, 22 kilometra larg Tiranës, punonjëset filluan të kishin marrje mendsh dhe mpirje të pjesëve të ndryshme të trupit.  17 gra përfunduan në spitalin rajonal të Fushë-Krujës dhe u kuruan për 9 ditë me radhë.

Sipas dokumenteve të hetimit që BIRN i disponon, Mjekët konstatuan instoksikim të punonjëseve dhe humbje të përkohshme të aftësisë për punë. Por pas dy muajsh hetime, Prokuroria e Krujës vendosi mosfillimin e procedimit penal për drejtuesit e fabrikës.

“Për të përcaktuar lëndët toksike në gjak është vendosur kryerja e ekspertimit toksikologjik duke marrë mostra gjaku nga shtetaset e dëmtuara. Ka rezultuar se mostra e gjakut është e papërshtatshme dhe e pamjaftueshme për t’iu nënshtruar ekzaminimit toksikologjik për të gjitha shtetaset e mësipërme,” thuhet në vendimin e pushimit të Prokurorisë, të firmosur nga prokurorja Mirela Kapo.

Vendimi i Prokurorisë bazohet gjithashtu në një raport të inspektorëve të ISHP-së, të cilët konstatuan se ajri në fabrikë ishte brenda normave si dhe deklaratës noteriale të firmosur nga 13 gratë e dëmtuara, ku shkruhej se ato nuk kishin asnjë problem shëndetësor dhe asnjë pretendim ndaj kompanisë ku punonin.

Prokurorja Kapo argumenton se “vepra penale e shkeljes së sigurisë në punë” nuk mbështetet nga konstatimi se “parametrat e ajrit ishin normalë”, ndërkohë që sipas saj, pasojë në kuptimin e nenit 289 të Kodit Penal është “vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit”.

Shkelje të vazhdueshme të kushteve të sigurisë në punë si dhe protokolleve për shgmangien e aksidenteve janë evidentuar edhe në raportet e inspektimit për vitet 2015-2017. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i tha BIRN se gjatë inspektimeve të kryera u konstatuan shkelje sa i përket masave të mbrojtjes kundër zjarrit, masave për shmangien e aksidenteve në punë apo për mungesën e masave mbrojtëse.

Gjetjet e Inspektoriatit konfirmohen edhe nga punonjëset me të cilat BIRN foli. Nazmia, një 46 vjeçare e cila frikësohet dyfish për humbjen e punës për shkak të moshës së saj dhe problemeve të shpeshta shëndetësore rrëfen se në fabrikën ku ajo punon mungojnë maskat dhe masat e tjera mbrojtëse.

“Gjithë ditën në mastiç, pa maska dhe pa asgjë. Unë jam me migrenë dhe mastiçi ma acaron gjendjen dhe më shkakton të vjella. I them shefes, sa të mbaroj punë dhe kthehem. Ndryshe më thonë po qe sëmurë shko në shtëpi,” tregon ajo.

Shfrytëzimi modern

Foto ilustruese nga një biznes fason në Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi

Në vitin 2017, biznesi fason në Shqipëri eksportoi jashtë vendit produkte me vlerë 117 miliardë lekë-një rritje graduale kjo krahasuar me vitet paraardhëse. Rreth 78 për qind e produkteve prodhohen për Italinë, ndërkohë që Gjermania dhe Greqia, që zënë vendin e dytë dhe të tretë importojnë respektivisht 5 dhe 4.5 për qind.

Ashtu si në sektorët e tjerë, marrëdhëniet në këtë biznes rregullohen nga Kodi i Punës. Por inpektimet e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale tregojnë se rregullat mbeten në letër për një pjesë të operatorëve në treg.

Në përgjigjen me shkrim për BIRN, Inspektoriati renditi një listë të gjatë të shkeljes së Kodit të Punës, sa i përket mungesës së ndriçimit, të ushqimit, instalimet sanitare, ndihmën e shpejtë, punë në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, mungesën e kompensimeve për këtë punë apo zgjidhje të pajustifikuara të kontratës së punës.

Inspektoriati deklaroi megjithatë se mbi 99 për qind e punëmarrësve të fasonerisë kanë një kontratë të nënshkruar pune, ndërkohë që problem mbetet zbatimi i tyre.

“Fenomeni më masiv i evidentuar janë punëmarrësit kursantë. Kategoria e të punësuarve kursantë, direkt nga kompanitë kishte më shumë problematika, për shkak të mosinformimit të tyre për marrëdhënien e punës,” tha Inspektoriati.

“Ka problematikë për deklarimin e të punësuarve në organet tatimore si dhe pagesa e kontributeve bëhet me vonesë,” shtohet gjithashtu në përgjigje.

Për shkeljet e konstatuara, Inspektoriati tha se kishte vendosur 23 gjoba gjatë vitit 2017 me një vlerë totale prej 4 742 000 lekësh.

Megjithatë, këto ndërhyrje nuk duket se e kanë përmirësuar situatën në terren.

Një studim i Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror tregon se statistikat ekonomike rriten mbi shfrytëzimin e punonjëseve të fasonerive, të cilat pranojnë kushtet e këqija të punës nga frika e flakjes në rrugë.

 “Në fasoneri puna është më e rëndë, paguhet me keq dhe shfrytëzohet më shumë. Gratë janë më pak të arsimuara dhe nga zona rurale dhe pesha e traditës ka bërë që fati i keq të pranohet kollaj,” tha Arlind Qorri për BIRN, një nga autorët e këtij studimi.

Qendra për të Drejtat në Punë, një tjetër organizatë që mbikëqyr gjendjen e ndërmarjeve të prodhimit fason në Vlorë denoncon gjithashtu shfrytëzimin që u bëhet punonjësve të fasonerisë.

“Ekziston një frikë e madhe për të folur, pasi mendojnë se po të reagojnë do kenë presione deri në largim nga puna,” tha përfaqësuesi i kësaj qendre, Edison Hoxha.

Humbja e vendit të punës i përndoqi punonjëset e kontaktuara nga BIRN, të cilat lanë takime larg fabrikave dhe lagjeve ku ato banojnë, nga frika se dikush mund t’i shihte.

Njësoj si Vera, edhe punonjëset e tjera u ankuan për rritje të vazhdueshme të normës, për mungesën e higjienës apo për presionin e vazhdueshëm të drejtuesve të fabrikave, ndërkohë që ato nuk e kanë luksin e humbjes së punës.

 “Në fabrikë janë 1700 punëtorë dhe është vetëm një plakë që e pastron. As nuk lahen me ujë të rrjedhshëm e as nuk disinfektohen,”tha Vera për BIRN.

Ndërsa Nazmia*, 46 vjeç, një tjetër punonjëse e një kompanie në rrethinat e Tiranës i tha BIRN se është detyruar të mbyllë gojën ndaj sharjeve, pasi ka frikë se nuk e merr kush në punë për shkak të moshës.

“Për  një gabim më të vogël, të bësh pak pis këpucën me mastiç të shajnë, të ofendojnë… Për mua  është e vështirë se nuk më merr një njeri tjetër në këtë moshë që jam. Sa të shohin më thonë  ik te shpia,” tha ajo.

Florian Zekja, anëtar i një shoqate që nuk funksionon më mohon shumicën e ankesave dhe këmbëngul se ka mungesë informacioni për të pasqyruar realitetin e vërtetë në këtë sektor.

“ Në Shqipëri  ka 400 biznese të tilla dhe ti etiketosh të gjithë  është shumë rëndë.  Në këtë sektor punojnë 100 e ca mijë veta dhe mund të pyesësh ata se  si pranojnë të shfrytëzohen dhe vazhdojnë të punojnë,” shtroi ai për BIRN.

Por Enkelejda, 33 vjeç, e cila punon në një rrobaqepësi në Durrës e ka një përgjigje për këtë konstatim. Ajo u detyrua të kërkojë punë në fasoneri në një kohë kur burri ishte pa punë dhe duhej të kujdesej që fëmijët të shkonin në shkollë.

“Ajo që ne kërkojmë nuk është luks, por gjëra normale. Norma e punës të mos jetë kaq e lartë, të kemi ajrim, të mos na ofendojnë dhe të punojmë të qeta,” përfundoi ajo për BIRN.

*Emrat e punonjëseve të fasonerisë janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin e tyre.