Blog30 Mar 2020

Të mendosh të pamendueshmen: Ekonomia në epokën e COVID-19

Pandemia COVID-19 ka krijuar një situatë të paprecedentë ekonomike, gjë që i ka shtyrë autoritetet në vendet demokratike dhe jo aq demokratike të mendojnë zgjidhje po aq të paprecedenta. Përkundër kësaj, Shqipëria ka vendosur të ndjekë politikën e fyerjes së shqiptarëve, duke shpërndarë paketa ndihmash dhe duke pozuar në shtatë pozicione të ndryshme për çdo pako makarona.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj duke shpërndarë qese me ushqime për familjet në Tiranë. Foto nga Facebook/Erion Veliaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një buxhet sa 37% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe konsiderohen si modeli i shtetit të vogël, ku pjesa dërrmuese e aktivitetit ekonomik i është lënë sektorit privat. Danimarka e ka buxhetin e shtetit sa 51% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe konsiderohet si një nga rastet e shtetit me demokraci sociale, ku autoriteti publik grumbullon më shumë se gjysmën e prodhimit të kombit për ta rishpërndarë në shërbime publike.

Në rastin e Pandemisë COVID-19, Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht qeverisen nga konservatorët – kundërshtarë të shtetit të madh, vendosën të rrisin shpenzimet buxhetore të vendit me 2 trilionë dollarë. Ndërsa ngjan si marramendëse, kjo shifër është në fakt sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Këto para do të shkojnë afërsisht në masën 1200 dollarë për çdo të rritur dhe 500 dollarë shtesë për çdo fëmijë. Pak a shumë, kjo është një rrogë minimale për familje. Përjashtohen vetëm amerikanët me të ardhura vjetore mbi 100 mijë dollarë, pra njerëzit që e kanë të lehtë të kapërcejnë krizën, pavarësisht nëse mbeten një muaj pa punë.

Nuk ka nevojë të aplikosh. Agjencia e taksave do të dërgojë paratë në llogaritë bankare. Përveç kësaj, personat që do të dalin përkohësisht të papunë, përveç pagesës së zakonshme të papunësisë që në SHBA arrin në 40-50% të pagës, do të marrin edhe një shumë shtesë, që vlerësohet 20-30% të tjera, për të mbushur më shumë nga hendeku i pambuluar.

Të vetmit që përjashtohen janë punëtorët që mund të punojnë nga shtëpia. Këto të gjitha janë sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo vështirë se do ta bëjë SHBA-në vend me qeveri të madhe, por ndërhyrja energjike sakaq është interpretuar si një kthesë historike. Papritur SHBA-të po bëhen një demokraci sociale, e ngjashme me vendet europiane.

Danimarka, e cila sakaq e ka shtetin social dhe qytetarët kur mbeten pa punë, nuk mbeten edhe pa bukë, vendosi të frenojë krizën ekonomike me një paketë në masën 5% të PBB-së. Nga këto, 2.5% u vendosën në dispozicion të ruajtjes së vendeve të punës. Me pak fjalë, qeveria mori përsipër të paguajë të gjitha rrogat e sektorit privat në masën 75 deri në 90% të pagës, me kushtin që punëdhënësit të mbulojnë pjesën që mbetet dhe të mos nxjerrin punëtorët në pagesë papunësie.

Në Britaninë e Madhe, qeveria ndërmori një masë të ngjashme, duke pranuar të paguajë deri në 80% të rrogave të bizneseve të penalizuara nga kriza si dhe të paguajë të vetëpunësuarit një shumë të barabartë me fitimet e tyre të deklaruara të viteve të fundit. Ky vendim i qeverisë britanike u konsiderua si i pari i këtij lloji në histori.

Në Shqipëri, buxheti i shtetit është sa 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa paketa e qeverisë në ndihmë të biznesit në kohë krize përbën vetëm 1.3% e PBB-së. Këtu qeveria ka vendosur të ofrojë vetëm një pagë minimale për një pjesë të biznesit të vogël, (afërsisht 60%) ndërsa të gjithë të punësuarit e tjerë do të duhet të bëjnë si të bëjnë.  Bizneset me punë të bllokuar u sugjerohet të marrin kredi në bankë për të financuar funksionimin e tyre, (paga, qira dhe taksa), pavarësisht se nuk kanë punuar dhe nuk kanë të ardhura. A është kjo e mjaftueshme?

Arsyeja se pse qeveritë e vendeve demokratike po ndërhyjnë me një formë të tillë në ekonomitë e veta, është e dyfishtë, ekonomike dhe sociale, ku kryefjala është sigurimi që çdokush që kishte një pagë në shkurt, të mund të marrë një pagë, qoftë pak më të ulët, gjë që lehtëson mbijetesën e bizneseve për të qenë gati për të rifilluar punë pasi pandemia të mbarojë. Nëse hendeku në të ardhura shkaktuar nga paraliza ekonomike nuk mbushet në ndonjëfarë mënyre, pasojat në ekonomi rrjedhin zinxhir. Njerëzit mbeten pas në pagesën e faturave, qirave, taksave, furnitorëve. Këto të fundit nga ana e tyre mbeten pas në pagesat ndaj punëtorëve të vet dhe furnitorëve.

Në ekonomi përdoret shpesh e njëjta terminologji me fushën e shëndetësisë publike. Duhet izoluar “i sëmuri”, pra punëtori që nuk merr pagë, dhe të mjekohet, përndryshe infekton të gjithë zinxhirin ekonomik deri sa epidemia bëhet e papërmbajtshme.

Arsyeja e dytë duket se është sociale. Kriza si kjo e pandemisë penalizojnë në mënyrë disproporcionale njerëzit me paga të ulëta, të cilët, në mungesë e punës së përditshme, e kanë shumë të vështirë të jetojnë në krahasim me personat me paga të larta. Nëse je një punëtor me pagë minimale në masën 23,088 lekë në Shqipërinë e sotme, një muaj mungesë page ka gjasa të heq mundësinë të paguash faturën e dritave apo të ujit, gjë që nga ana e vet, penalizon kompanitë përkatëse. Dhe nëse je biznes, kur ke për të paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, taksat bashkiake, qiranë dhe pagat, nga të gjitha këto, pagat duket se janë shpenzimi që mund të eliminohet më lehtë. Dërgo në shtëpi me pushime të papaguara punëtorët dhe bëj si të bësh për shpenzimet e tjera.

Pabarazia më e madhe në Shqipëri nga COVID-19 duket se do të jetë dallimi mes të punësuarve në sektorin publik dhe atyre në ekonominë private. Të 174 mijë të punësuarit në shtet, pavarësisht se në një masë jo të vogël janë të punësuar për vota dhe jo për punë dhe pavarësisht se këtë muaj kanë dalë apo jo në punë, do ta marrin rrogën e plotë.

Rrogat e tyre do të paguhen nga taksapaguesit, përfshirë taksapaguesit në sektorin privat, si punëtorët në industrinë fason, të cilët, megjithëse kanë paga mesatarisht 25% më të ulëta, ka gjasa se nuk do ta marrin të plotë rrogën e marsit e do të mbeten pa rrogë fare në prill.

Këtu normalisht duhet të hapet diskutimi se kush kontribuon dhe kush përfiton nga buxheti i shtetit. A mos vallë kontribuon më shumë një punëtor ujësjellësi- nga ata të punësuarit për politikë apo një punëtor fasoni a kamarier?

Ndihmat që qeveritë nëpër botë po i japin të punësuarve gjatë krizës COVID-19 nuk janë para të dhuruara. Përkundrazi, ato janë borxh publik, të cilat do të paguhen saktësisht nga të punësuarit që po i marrin këto para.

Përkundër shpikjeve në politika ekonomike nga e gjithë bota, qeveria shqiptare ka vendosur të ndjekë politikën e fyerjes së shqiptarëve, duke shpërndarë paketa ndihmash që nuk i ka kërkuar askush dhe duke pozuar në shtatë pozicione të ndryshme për çdo pako makarona e çdo shishe qumësht, për ta nxjerrë qeverinë bamirëse me paratë e taksapaguesve. Ndërkohë, të gjitha koncesionet dhe tenderët duket se vijojnë njësoj sikur pandemia COVID-19 të mos kishte ndodhur kurrë.