Lajm22 Mar 2019

Tjetërsimi i 36 hektarëve në Spille, prokuroria kërkon 28 vjet burg

Prokuroria kërkoi 28 vjet burg për 9 zyrtarë përfshi ish-kryeregjistruesin e Kavajës dhe fshirjen nga hipoteka të pronave të falsifikuara në Spille.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Plazhi i Spillesë | Foto nga : Besar Likmeta

Prokuroria e Kavajës kërkoi para gjykatës gjatë kësaj jave shpalljen fajtorë dhe dënim për 9 të akuzuar për tjetërsimin e 36 hektarëve bregdet në Spille. Në pretencë akuza kërkon po ashtu edhe fshirjen nga rregjistri i pronave i certifikatave të lëshuara për të 36 hektarët e përfituar përmes kësaj skeme dhe kthimin e tyre në pronë publike.

Prokuroria kërkoi ndër të tjera dënimin me 4 vjet burg për ish-kryeregjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Kavajë Seit Cikalleshin, 5 vjet për ish-zyrtarin e njësisë administrative Kryevidh Ilir Kaja, 3 vjet e 6 muaj për Andi Gjeçin ish-zyrtarë i ZVRPP Kavajë, nga 3 vjet për zyrtarët e ZVRPP Kavajë Asim Arkaxhiu dhe Dritan Kazazi, 3 vjet për ish-shefin e zyrës së Kadastrës Kavajë Nezir Leçini dhe po 3 vjet për ish-agronomin e komunës Kryevidh Agron Xhelezi.

Prokuroria kërkoi 2 vjet e 6 muaj për juristin Aldo Kila dhe 1 vit burg për protokollisten e ZVRPP-së Kavajë Aida Gjoci.

Mbrojtja e të akuzuarve që pritet të lexohet në seancën e rradhës i ka mohuar akuzat, disa prej të akuzuarve që kanë qenë me masë sigurimi arrest me burg gjatë hetimit dhe gjykimit, kanë kërkuar herë pas here zbutjen e masës kërkesa që kryesisht janë rrëzuar në gjykatë.

Rasti i 9 te akuzuarve në Kavajë është vetëm një nga abuzimet masive me pronat duke shfrytëzuar ligjin 7501 zbuluar në vitet e fundi. Prokuroria ka ngritur çështje të ngjashme në Shkodër, Vlorë dhe Lezhë ku i akuzuar është edhe kryebashkiaku Fran Frrokaj.

Një çështje e ngjashme po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ka të akuzuar ish-deputetin e Partisë Socialiste Arben Ndoka, vëllain e tij dhe një sërë zyrtarësh lokalë, që akuzohen edhe për krijim të grupit të strukturuar kriminal për këtë qëllim.

Çështja në kavajë filloi në në nëntor të vitit 2017, kur prokuroria pas hetimeve 2 vjeçare kërkoi arrestimin e 11 personave, nga të cilët për 9 kërkohet gjykimi. Hetimet zbuluan një skemë tjetërsimi e cila kishte transferuar prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta nga banorë të zonës, te të afërm dhe drejtues të pushtetit lokal përfshi ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi.

Çështja u dërgua fillimisht për gjykim nga prokuroria në shkurt të vitit që shkoi, por në korrik në një seancë paraprake Gjykata e Kavajës e ktheu atë pas duke kërkuar hetime të mëtejshme. Çështja u kalua për gjykim vetëm në fillim të këtij viti.

Lexo edhe: