Policia e Durrësit arrestoi brenda 24 orëve një tjetër person që sipas saj ju gjetën disa vepra arti me vlera historike.
Pas kontrollit në një ambient në lagjen numër 15 të qytetit policia zbuloi disa objekte dhe sende të jashtëligjshme, ndër to siç paraqitet në fotot e bëra publike, duket një objekt prej qeramike dhe objekte të tjera prej mermeri të gdhendura me mbishkrime.
37 vjeçarit me iniciale D. K. ju gjet edhe një sasi me lëndë narkotike “Cannabis sativa”, grirëse hashashi, krehër arme dhe municion luftarak, armë të ftohta (thikë dhe shpatë), uniforma policie me simbolet e Policisë së Shtetit, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe 14 makineta për lojëra fati.
Ai ishte i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe policia tashmë ndër disa akuza ka përfshirë edhe atë për “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”.
Ditën e djeshme Policia e Durrësit njoftoi sekuestrimin e një ikone që mendohet se i përket periudhës bizantine, e cila ishte vjedhur nga një kishë dhe arrestoi poseduesin e saj që do e shiste kundrejt parave.
Gjatë realizimit të operacionit policor të koduar “Ikona” një 45-vjeçari me banim në Kavajë ju
gjetën edhe 12 kilogramë e 150 gramë lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa”. Ai ishte i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike dhe përvetësim të mallrave ose parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Ai tashmë akuzohet edhe për “Trafikimi i veprave të artit”. Ndërsa në korrik të vitit 2020 Policia e Durrësit arrestoi 3 persona që tentuan të trafikonin 2 objekte të periudhës së antikitetit, një basoreliev ku ishin gdhendur imazhet e 2 njerëzve dhe një enë prej qeramike.