Në një aksion të përsëritur policia sekuestroi sërish një sasi kokaine në kontejnerët që sillnin banane për kompaninë “Alba Exotic Fruit”. Totali i kapur 25 kilogramë.
Policia e Durrësit sekuestroi një tjetër sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, në vijim të dy operacioneve të mëparshme në portin e qytetit në kontejnerët e së njëjtës kompani.
Ditën e enjte gjatë kontrollit në kontejnerët me banane të ardhura për kompaninë “Alba Exotic Fruit”, policia gjeti 7.25 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.
Në kuadër të këtij operacioni, të koduar “Rada”, policia ka realizuar edhe 2 sekuestrime të tjera në 2 javët e fundit. Fillimisht më datë 13 korrik policia në kontejnerët e kësaj kompanie sekuestroi 11 kilogramë e 675 gram lëndë narkotike të dyshuar si kokainë dhe të premten e kaluar, ajo gjeti një tjetër sasi kokaine, me peshë 6.5 kilogramë.
Në të tre operacionet policore në kontejnerët e sjellë për këtë kompani policia në total ka sekuestruar rreth 25 kg kokainë, një sasi e vogël krahasuar me dërgesat e tjera të kapura në port, si ajo e 18 qershorit, ku brenda një kamioni që vinte nga Maqedonia e Veriut, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.
Policia njoftoi se operacioni i sotëm u realizua nga Task-Forca e vendosur në Portin e Durrësit dhe më herët sqaroi se për rastin po vijon hetimet nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Durrësit dhe të SPAK-ut.
Më herët policia bëri me dije për mediat arrestimin e njërit prej aksionarëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Barjon Gumenit dhe shpalli në kërkim aksionerin tjetër, Eduard Dauti.