Lajm22 Oct 2018

Tre të akuzuar për drogë në Has mbeten në qeli, gjykata liroi 2 të tjerët

Gjykata e Kukësit zbuti masën e sigurisë për një 77-vjeçar dhe një grua, ndërsa la në arrest me burg tre të akuzuar të tjerë për prodhim dhe mbajtje lëndësh narkotike.

Autor: Bashkim Shala BIRN Kukës
Printo

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Kukësit për pesë të akuzuarit pë laboratorin e drogës. Foto:Bashkim Shala

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës  la në burg të hënën tre nga pesë të arrestuarit për laboratorin e drogës në Brenogë të Hasit. I zoti i shtëpisë në të cilën u gjet droga dhe paisje për ndarjen e përzierjen e saj, u la në arrest shtëpie për shkak të moshës, ndërkohë bashkëshortja e njërit prej të ndaluarve u caktua me masën detyrim paraqitje.

Pesë personat u arrestuan të premten, ndërsa katër të tjerë përfshi dy shtetas turq e një shqiptar të Kosovës, u shpallën në këkim. Ata akuzohen për “Prodhimit dhe Shitjes së Lëndeve Narkotike”, dhe sipas prokurorisë dhe policisë janë të lidhur me aksionin “VOL-VO 4”, ku u godit një organizatë kriminale dhe u arrestuan 27 të dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Ndërkohë asnjëri prej të akuzuarve nuk e ka pranuar akuzën e ngritur. Gjykata vendosi të lërë në burg të arrestuarit Xhavit Shuti nga fshati Brenogë i Hasit, Flamur Çela nga qyteti i Shkodrës e Vehbi Berushi nga qyteti i Krujës. Nderkohë 77 vjeçari Mustafë Shuti, babai i Xhavit Shutit dhe Anila Shutit bashkëshortja e këtij të fundit u lanë përkatësisht me masë sigurie “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje”.

Të premten në shtëpinë e familjes Shuti policia sekuestroi rreth 120 kg morfinë dhe lëndë të nevojshme për prodhim heroine, ndërsa arrestoi tre anëtarë të saj dhe dy persona të tjerë që pretenduan se ishin aty për të bërë instalime elektrike dhe riparime të tjera.

Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë prokurori Edmon Karriqi ka paraqitur para gjyqtarit Rexhep Karaj akuzën ndaj pesë të pandehurve, për prodhim droge.  Karriqi tha se gjatë kontrollit të banesës së Xhavit Shutit në fshatin Brenogë u gjetën në këtë banesë të pesë të pandehurit e arrestuar nga policia gjyqësore. Sipas prokurorit  janë gjetur edhe provat të shumta materiale që i implikojnë ata si dhe 161 pako që dyshohet se është lëndë narkotike.

Gjithashtu janë gjetë edhe një numër automjetesh që rezultojnë në pronësi të shtetasve të ndryshëm, por këto të fundit nuk rezultojnë të implikuar. Prokurori kërkoi që arrestimi të cilësohej i ligjshëm duke i akuzuar të ndaluarit për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bazë  të nenit 283/3 dhe 283/25 të Kodit Penal.

Ndërkohë të pandehurit pretenduan se ishin të pafajshëm. Xhavit Shuti tha se kishte qenë i dënuar më herët në Turqi, por nuk pranojë të tregojë përse ishte dënuar.  Ai tha se shtëpinë e kishte dhënë me qira për përpunimin e bimeve medicinale. Avokatja e tij Domenika Gjeçi e pranoi faktin se në banesën e Xhavit Shutit është gjetë një lëndë që dyshohet se është lëndë narkotike, por sipas avokates nuk ka prova që ky person e disponon lëndën narkotike. Gjykata vendosi që Shuti të mbetej në arrest në burg.

Ndërkohë për Mustafa Shutin Gjeçi ka kërkuar cilësimin e arrestimit të paligjshëm. Ajo ka thënë se Mustafa Shuti, 77 vjeç, nuk kishte dijeni për asgjë nga ato që kishte bërë i biri, ndërsa vuante nga astma. Prokurori Karriqi pranoi pjesërisht arsyetimet e mbrojtjës dhe kërkoi që për të moshuarin të jepej një masë më e lehtë sigurie. Ndërkohë gjatë dëshmive u përmend se një pjesë e familjes Shuti jetonte në Xhafzotaj, në të njëjtën zonë ku jetojnë vëllezërit Avdyli të arrestuar po ashtu për trafik narkotikësh që sipas akuzës lidhet me laboratorin e gjetur në Has.

Avokatja Aurora Guska mbrojti me të njëjtat fjalë Anila Shutin. Duke pretenduar se ajo kujdesej për dy të moshuar dhe për tre fëmijë dhe se nuk kishte dijeni për punët e të shoqit. Gjykata në këtë rast dha masë sigurie “detyrim paraqitje”.

Të pyetur në sallë për personin që i kishin dhënë ambjentin me qira, anëtarët e familjes refuzuan të tregojnë, duke thënë se nuk e njihnin dhe se gjithçka do formalizohej kur kontrata të ishte noteriale.

Ndërsa avokatja Aurora Guska, e cila mbrojti Flamur Çelën nga Shkodra dhe Vehbi Berushi nga Kruja, kërkoi që arrestimi të cilësohej i paligjshëm. Ajo tha se dy të mbrojturit prej saj ndodheshin në shtëpi për të rregulluar një pompë pusi uji dhe për saldime. Njësoj si anëtarët e familjes Shuti ajo mohoi që klientët e saj të dinin emrin e personit që i kishte pajtuar. Megjithatë tha se ata mund ta indentifikonin nëse policia i ballafaqonte.

Prokuroria i kundërshtoi këtë pretendime. Karriqi tha gjatë masës se ishte e çuditshme pse në këtë rast një elektricist ishte marrë nga Kruja dhe saldatori kishte ardhur nga Shkodra. Për të dy personat u caktua masë sigurie arrest në burg.