Lajm20 Jul 2021

‘Ujin po na e merr kryetari i bashkisë’; tjetër protestë kundër HEC-eve në Mat

Banorët e fshatit Madhesh protestuan të martën përpara bashkisë Mat, kundër ndërtimit të një HEC-i në rrjedhën e lumit Lunresë.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Protesta e mbajtur pëpara bashkisë Mat nga banorët e fshatit Madhesh | Foto : Sami Curri

Disa banorë të fshatit Madhesh në Mat, mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, protestuan të hënën para Bashkisë Mat, kundër ndërtimit të një Hec-i në rrjedhën e lumit të Lunresë.

Banorët akuzuan kryetarin e bashkisë, Agron Malaj se HEC-i që ju merr ujin po ndërtohet nga firma e tij, por të administruar nga i vëllai, Fatos Malaj.

“Fatkeqësisht ne ujin po na e merr kryetari i bashkisë, A.R.M-Albania, prandaj i jam drejtuar personalisht, pasi edhe administrimin e ka vendosur në emër të të vllait”, tha Edi Miza, banor i fshatit Madhesh, në njësinë administrative Ulëz.

Fshati Madhesh ndodhet rreth një kilometwr larg HEC-it të Shkopetit dhe aty banojnw 20 familje.

Procedurat për ndërtimin e këtij HEC-i kanë nisur që në fillim të vitit 2020-të. Banorët shprehen se për këtë HEC nuk është marrë dakordësia dhe dëgjesat publike janë bërë në kohën kur vendi ishte izoluar totalisht prej pandemisë COVID-19.

Ish-Kryeplaku i fshatit, Gjergj Gjegji tregon se pak muaj më parë në fshatin Gurrë, është vënë në funksion një HEC, që ju ka marrë ujin e pijshëm. Sipas tij uji është jeta në fshat dhe shërben për të pirë, bagëtitë dhe vaditjen e tokave.

“Një pushtim që nuk po ndalen, e nisën me ujin e pijshëm në Gurrë, e futën në tuba tërsisht, pa marrë dakordësinë nga populli,” tha Gjergji.

“Në këtë fazë të dytë, duan që të marrin edhe ujin vaditës që i shërben po këtij fshati,” shtoi ai.

Zona e Ulëzës ku është projektuar të ndërtohet HEC-i i Madheshit është shpallur në vitin 2013, Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, i kategorisë së IV. Projekti po kërkohet të zhvillohet nga kompania “A.R.M-Albania sh.p.k”, që rezulton të jetë nën administrimin e Fatos Malaj,  vëllai i kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj.

Punimet për ndërtimin e HEC-it nuk kanë nisur, kjo për shkak të protestave që janë zhvilluar nga banorët e zonës dhe moslejimin e mjeteve të kompanisë. Banorët kanë nisur edhe një betejë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, pas pushimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë.

Gjovalin Gjergji, banor i këtij fshati tregon se nuk ka ardhur t’i pyesë asnjë njeri për ndërtimin e HEC-it dhe firmat që janë dërguar në shkresën e dakordësisë së banorëve, janë punonjës të bashkisë.

“Ata pretendojnë që në kulmin e pandemisë kanë zhvilluar një takim me banorët, kur vendi ishte izoluar totalisht,” tregoi Gergji.

“Unë kam kullën të ndërtuar kullën në vitin 1920, ne e kemi vendos jetën për atë ujë, për bagëtitë, për tokat,” shtoi ai, ndwrsa u ankua se “këta edhe kët dun me e marrë.”