Policia e Krujës arrestoi në flagrancë përfaqësuesin ligjor të gurores në Krujë, në të cilën humbi jetën një punëtor dhe mbeti i plagosur një tjetër, pas një shpërthimi me mina.
Asllan Jaupaj punonte në guroren në fshatin Kurcaj të Krujës mbeti i vrarë të dielën (1 mars 2019) gjatë montimit të disa minave elektrike për hapjen e një fronti të ri pune. Policia, e cila njoftoi se ngjarja dyshohet të ishte aksidentale, tha se 55 vjeçarit i ka shpërthyer njëra prej minave dhe ka humbur jetën menjëherë. Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe punëtori tjetër, Gani Demnushi, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë mëngjesin e të hënës policia njoftoi arrestimin në flagrancë të shtetasit me iniciale N. J, 42 vjeç dhe banues në Tiranë, i cili sipas saj ishte përfaqësues ligjorë i kompanisë ku ndodhi shpërthimi. Megjithatë emri i kompanisë nuk u bë publik. Po ashtu u arrestuan 2 punëtorët e kompanisë, me iniciale B. C., 32 vjeç, banues në fshatin Kurcaj dhe punëtori tjetër me iniciale G. D., 48 vjeç dhe banues në Tiranë.
Në kërkim policor u shpall administratori i kompanisë, me iniciale K. M., 34 vjeç dhe banues në Tiranë, si edhe drejtuesi teknik, me iniciale A. K., 66 vjeç dhe ku banues në Tiranë. Policia njoftoi se materialet për ngjarjen u referuan në Prokurorinë e Krujës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse”. Ndërkohë BIRN mësoi nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore se deri të hënën as subjekti dhe as policia nuk e kishin njoftuar për ngjarjen aksidentale.
Mbi 30 punëtorë humbën jetën vitin e kaluar në aksidente në punë kryesisht në ndërtim dhe në miniera. BIRN ka gjetur në një investigim të mëparshëm se në pjesën më të madhe faji për aksidentet u lihet viktimave, ndërsa kompanitë ndëshkohen me gjoba minimale.