Lajm13 Jul 2021

Zbulohen 14 pako të dyshuara me kokainë në Portin e Durrësit

Aksioneri i një kompanie frutash u arrestua nga policia dhe 11 kilogramë lëndë e dyshuar si kokainë është bllokuar në Portin e Durrësit nga policia.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Kontejner në Portin e Durrësit. Foto ilustruese Geri Emiri

Policia e Durrësit dhe autoritetet doganore zbuluan 14 pako të dyshuara me lëndë narkotike kokainë brenda një kontejneri që ishte i mbushur me banane.

Policia njoftoi se operacioni ishte rezultat i punës së task-forcës së përbashkët me autoritetet doganore dhe falë informacioneve që dispononte policia.

“Kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontejner të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri”, njoftoi më tej policia, duke shtuar se 2 persona janë shoqëruar në komisariat për tu pyetur në lidhje me ngjarjen.

Policia njoftoi se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Durrës po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, teksa policia po vijon me kontrollin e mëtejshëm të kontejnerit dhe peshimin e lëndës narkotike të dyshuar si kokainë.

Në një njoftim* të dytë policia bëri me dije arrestimin e njërit prej aksionerëve të kompanisë Alba Exotic Fruit, Barjon Gumenit dhe shpalli në kërkim aksionerit tjetër Eduard Dauti.

Pas peshimit të sasisë së kapur policia njoftoi se kishte sekuestruar 11 kilogramë e 675 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Porti i Durrësit është ekspozuar nga operacionet e fundit policore si një portë shumë e rëndësishme për sjelljen e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine. Pak javë më parë, më 16 qershor u sekuestruan rreth 300 kg kokainë, e cila ishte grupuar në disa pako me kode të ndryshme dhe emra markash.

Ndërsa më 10 prill policia sekuestroi në port një sasi prej rreth 143 kilogramësh kokainë, e cila vinte nga Ekuadori.

*Ky shkrim u përditësua pas njoftimit të ri të policisë.