Numri i rasteve të reja qëndron për të dytën ditë radhazi në kuotat më të larta, ndërkohë që numri total i të prekurve nga koronavirusi i ri në Shqipëri shkoi në 333 persona.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri u identifikuan 29 raste të reja me COVID-19 si dhe humbën jetën dy pacientë të tjerë, duke e çuar në 18 numrin e viktimave nga epidemia. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi të shtunën se ishin kryer 216 testime të reja, nga të cilat 29 rezultuan pozitivë.
Numri i rasteve të reja qëndroi për të dytën ditë radhazi në kuotat më larta, duke përmbysur rënien e evidentuar në fillim të javës. Instituti i Shëndetit Publik ka testuar 2247 persona të dyshuar që nga fillimi i epidemisë, nga të cilët 333 kanë rezultuar pozitivë.
Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën dy pacientë, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë në spitalin Infektiv në Tiranë.
“Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i shtruar prej 13 ditësh në spitalin Infektiv dhe i intubuar prej 6 ditësh,” tha Dervishi, duke i shprehur ngushëllimet familjes.
Në Shërbimin Infektiv në Tiranë ndodhen të shtruar 66 pacientë, ndërsa pesë të tjerë po marrin trajtim në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, i cili është kthyer në spitalin COVID 2. Nga këta, 6 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 ndodhen në gjendje të rëndë dhe të intubuar.
Gjatë dy ditëve të fundit, infeksioni i koronavirusit ka shënuar një shpërthim të ri në qytetin e Shkodrës, ku numri i personave të infektuar ka shkuar tashmë në 31. Pas 12 rasteve të zbuluara të premten, Instituti i Shëndetit Publik ka zbuluar edhe 9 raste të reja deri mëngjesin e së shtunës.
Harta është zgjeruar gjithashtu në Tiranë, Durrës, Elbasan, Has, Lushnje, Kavajë dhe Lezhë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar nga sëmundja 10 pacientë të tjerë, tre prej të cilëve janë personel shëndetësor. Deri më tani janë shëruar 99 persona të prekur ose 29% e të gjitha rasteve të konfirmuara nga Instituti i Shëndetit Publik.
Autoritetet apeluan sërish për zbatimin e masave të distancimit social si dhe ato të kontrollit të infeksioneve edhe brenda rretheve familjare- ku këshillohet të shmangen vizitat tek të afërmit për çfarëdolloj arsyeje.