Në 24 orët e fundit janë kryer 243 testime, nga të cilët 9 persona kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19. Numri total i të prekurve kap shifrën e 409 personave.
Instituti i Shëndetit Publik ka kryer 243 testime në 24 orët e fundit, nga të cilat ka zbuluar nëntë raste të reja me COVID-19 në Shqipëri. Të enjten, numri total i të prekurve nga COVID-19 mbërriti në 409 raste.
Harta e infeksionit është zgjeruar sërish në Tiranë, me 6 raste, ndërsa tre rastet e tjera janë zbuluar në Elbasan.
Nga personat e prekur me COVID-19, 58 pacientë ndodhen aktualisht të shtruar në shërbimin Infektiv në Tiranë si dhe në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndoqi”, i kthyer tashmë në COVID2. Në të dy spitalet ndodhen dhjetë pacientë në terapi intensive, katër prej të cilëve në gjendje më të të rëndë dhe të intubuar.
Tirana mbetet vatra më e nxehtë e koronavirusit të ri, duke numëruar 196 raste deri të enjten ose gati 48% të totalit të personave të prekur në Shqipëri. Në vendin e dytë vjen Shkodra me 45 raste, e ndjekur nga Durrësi me 38 raste.
Që prej fillimit të epidemisë, 22 persona e kanë humbur betejën me sëmundjen në Shqipëri. Vdekshmëria nga sëmundja SARS-CoV-2 në Shqipëri është 5.3% e numrit total të të prekurve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 pacientë të tjerë nga sëmundja, duke e çuar numrin total të të mbijetuarve në 165. Personat e shëruar nga koronavirusi zënë 40% të numrit total të të prekurve.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e reja me COVID-19 po identifikohen më së shumti në vatrat familjare të personave të prekur më parë. ISHP përsëriti apelin që masat e distancimit social si dhe ato të kontrollit të infeksionit të zbatohen me rigorozitet edhe brenda rretheve familjare.